Artistët edhe sot kanë vazhduar me mesazhet e tyre jo vetëm me nota optimizmi, por edhe thirrje që njerëzit të ndërgjegjësohen, ne një kohë kur koronavirus po merr edhe jetë njerëzish në vendin tonë.
Denisa Gjezo, Klajdi Musabelliu e shumë artistë të tjerë bëjnë thirrje të qëndroni në shtëpi, pasi vetëm kështu do të përqafojmë shumë shpejt të dashurit tanë.
Balerina Adel Lami, e cila së fundmi e ndan jetën e saj mes Amerikës dhe Shqipërisë, ka publikuar në rrjetet sociale një performancë 'drithëruese' të saj, si për të pasqyruar atë që gjithë bota po përjeton: Lëndimin nga një virus që po grabit tragjikisht jetë njerëzish: koronavirusi!
Nën tingujt e një prej këngëve të këngëtarit francez Stromae, balerina shkruan: "Pak nga shpirti im, drejt tuajit..."
Kur të gjitha ambientet kulturore, por edhe argëtuese janë mbyllur, shumë prej nesh pyesin veten si t'i argëtojmë fëmijët në vetëizolim.
Salsano Rrapi ka gjetur një mënyrë shumë origjinale, duke sjell teatrin e kukullave brenda shtëpisë së tij.
Ai ka postuar një video në rrjetet sociale, ku duket ky 'shndërrim' i shtëpisë në një ambient mjaft argëtues.
Kjo është një ide e mirë për të gjithë prindërit!
Balerina Klaudja Pepa, e vetëkarantinuar në Itali aty ku tashmë jeton prej vitesh duket se po i shijon ditët e saj e izoluar në shtëpi.
Në mënyrën e një balerine Klaudja i është 'përveshur edhe punëve të shtëpisë. Nëpërmjet videove argëtuese ajo tregon disa momente nga jeta e saj brenda shtëpisë.
Ashtu sikurse është bërë tashmë zakon, ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro sjell vepra të ndryshme letrare dhe i lexon ato për ndjekësit në rrjetet sociale, kryesisht fëmijët.
Këtë herë ajo ka rekomanduar një tjetër libër, jo si përrallat e romanet e mëparshme, por një libër që të ndihmon të kuptosh veprat artistike dhe artin në përgjithësi.
Situata e krijuar nga koronavirus në Shqipëri duket se shoqërisë sonë po i jep një mësim të rëndësishëm: Dëgjoni fëmijët! Shumë prej tyre kanë dhënë mesazhe të forta sensibilizuese, duke e bërë pjesën e tyre të 'luftës' ndaj virusit shumë mirë.
Të ndërgjegjësuar për të qëndruar në shtëpi dhe se duhet mbrojtur kategoria e të moshuarve më shumë se kushdo tjetër, edhe Orkida e Adelajdi kanë një mesazh që do ju bëjë të reflektoni.
Instruktori i Cirkut Kombëtar Mario Uka bën ushtrime zbavitëse për fëmijët nga shtëpia e tij, së bashku me Tobin. Ai bën apel përmes këtij videomesazhi që fëmijët të qëndrojnë në shtëpi
Këngëtarja Festina Mejzini në këto ditë që shqiptarët gjenden në vetizolim ka vendosur që me këngën e njohur “Pranvera filloi me ardh” të urojë njerëzit për stinën e bukur që sapo ka nisur.
Violinisti i Ansamblit të Valleve edhe Këngëve Popullore Flogert Shatraj çdo ditë nga shtëpia e tij luan muzikë të njohur shqiptare. Nga Baresha tek vallet Rrajcës, e Kokësit edhe dhe valle kosovare
Një këngë e kënduar për herë të parë në vitin 1963 nga këngëtarja e mirënjohur Anida Take ka bërë bashkë instrumentistë, këngëtarë, aktorë, sportistë e gazetarë.
Kënga dedikuar mjekëve nga mjeshtrja e këngës shqiptare ka ardhur plot emocion edhe njëherë si përkrahje ndaj atyre që sot ndodhen në frontin e parë të luftës ndaj koronavirus nga emra të njohur të botës së artit, kulturës, sportit e ekranit shqiptar si Ema Andrea, Dhimitër Gjoka, Lorik Cana, Kujtim Prodani, Vikena Kamenica, Eranda Libohova etj.
Aktorja e Teatrit të Kukullave Shegushe Bebeti nga shtëpia e saj bën apel për të qëndruar në shtëpi. Ajo i konsideron këto momente të vështira, ndërsa mund t’ja dalim vetëm të gjithë bashkë
Tenori i njohur Rame Lahaj nga shtëpia e tij në Australi këndon për bashkatdhetarët në Kosovë. Ndërsa, rrëzimin e qeverisë Kurti në kohë të vështirë tenori e quan një pabesi ndaj qytetarëve të këtij vendi.
“Asgjë s’mund të na ndalë neve që të këndojmë së bashku. Në këtë ditë zie për politikën kosovare, kam vendosur të këndojë bashkë me kolegët e mi në Kosovë, marrë parasysh që “Vaji i burrit është kënga”, e njëkohësisht t’ju tregojmë se pavarësisht largësisë në mërgatë, e ju në Kosovë, jemi të bashkuar e më të unifikuar se kurrë. Rri në shtëpi, derisa të kalojmë edhe këtë furtunë, rri në shtëpi e bëj kujdes më shumë se kurrë, sepse pas gjithë kësaj do të kemi punë edhe më të madhe që do t’ua tregojmë vendin atyre që na vranë shpresën me thikë pas shpine”, shkruan Lahaj.
Violonçelisti Vlorent Xhafaj nga shtëpia e tij në Chamonix të Francës rrëfen ditët në vetizolim. Ai tregon se nga banesa e tij nuk ka të drejtë që të lëvizë më larg se 1 km edhe bën apel shqiptarëve që të qëndrojnë në shtëpi në këto ditë të vështira.
E kishte planifikuar festën e ditëlindjes së saj krejt ndryshe, mes shoqërisë dhe muzikës, por gjimnazistja e 'Petro Nini Luarasi', Aleksandra Shehaj është e lumtur që këtë ditë e festoi pranë atyre që të falin dashuri pa kushte: familjarëve.
Nga shtëpia ku është vetëkarantinuar, si masë e marrë për të eleminuar rrezikun 'koronavirus', gjimnazistja thotë se këtë kohë po e shfrytëzon për të lexuar më shumë, hedhur në letër idetë për piktura e për të gatuar.
Duke uruar që video mesazhi i saj t'ju gjejë sa më mirë pranë të dashurve tuaj, këngëtarja e muzikës popullore Denisa Gjezo thotë nëse respektojmë rregullat kryesore të qëndrimit në shtëpi dhe mbajtjes së higjienës personale, shume shpejt do mund të përqafojmë pa frikë njerëzit që duam.
Këngëtari Klajdi Musabelliu në një video mesazh ka bërë thirrje të qëndroni në shtëpi. Sipas tij ka mjaft gjëra interesante që mund të bëni nga shtëpia, ndaj merreni me sportivitet!
Është i njohur për videot e tij interesante dhe plot humor. Edhe këtë herë Xum Allushi i ka dedikuar disa fjalë koronavirusit.
Disa gjëra që në jetën e përditshme nuk do ti bënim kurrë, për shkak të kësaj situate do ta mendonim dy herë.
Nga personi që nuk do t'i hapnim telefonin kurrë, te orët e gjata në palestër, Xum Allushi tregon se cfarë bëhet vetëm që të 'ikë' koronavirus.