Kanë mbërritur sot në Kosovë 100,620 vaksina Pfizer, përmes programit COVAX të OBSH, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
"Sot kanë arritur 100,620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX. Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit. Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t'i dhënë fund pandemisë COVID-19. 100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë", thuhet në postim.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë thekson se pandemia e COVID nuk ka mbaruar ende, duke bërë apel për respektimin e masave anti-COVID.
"Sidoqoftë, pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende. Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë masat e mëposhtme të parandalimit - mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e mirë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të kontribuar në parandalimin e humbjeve të jetës dhe komplikimeve serioze të shëndetit të shkaktuara nga pandemia COVID-19", bën thirrje Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.
Dy javë më parë, Kosova po ashtu ka pranuar 38.400 doza të vaksinës nga COVAX-i si dhe 15.000 doza të tjera, donacion nga Bashkimi Evropian.