Koronavirus/ Mjeku okulist Rubin Topi: Zëvendësoni lentet e kontaktit me syze! Rrisin mundësinë e infektimit (VIDEO)

1 Prill 2020, 11:25| Përditesimi: 1 Prill 2020, 14:44

  • Share

Veshët, sytë, goja e hunda janë organet e trupit të njeriut që përdoren si porta hyrëse të virusit në organizëm, ndaj kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe duhet të bëjmë për secilin prej tyre. 

Në një lidhje skype për emisionin "Rreze Dielli", mjeku okulist Rubin Topi thotë se edhe ndaj syve duhet të bëjmë një kujdes të vecantë. 

"Fatkeqësisht është vërtetuar që portë hyrëse për Covid 19 janë edhe sytë. Një përqindje nuk është akoma e saktë, por kjo është vërtetuar te 1-3% e pacientëve të prekur nga koronavirus." shprehet mjeku.

Topi këshillon që të gjithë personat që përdorin lente kontakti ti zëvendësojnë ato me syze për këtë periudhë. 

"Njeriu në mënyrë reflektive ka dëshirë të prekë fytyrën. Kjo është nje sjellje normale e njeriut. Por në periudhën në të cilën ndodhemi, ku higjiena luan një rol kyç dhe është e rëndësishme, duhet kujdes që me duar të papastra të mos prekim hundën, gojën, sytë, që janë porta hyrëse të këtij virusi në trupin e njeriut, ky refleks i pavetëdijshëm kthehet në disavantazh shumë të madh. Njerëzit duket sikur qetësohën kur fërkojnë sytë, por është e rrezikshme.

Cfarë ndodh nëse ti përdor lente kontakti? Lenteja mbetet një trup i huaj për syrin. Dëshira për ta fërkuar, për ta cuar dorën në sy është më e madhe. Një ndër mesazhet e Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë, shoqatës më të madhe në botë të okulistëve është që personat që mbajnë lente kontakti ti zëvendësojnë me syze, sepse lentet kërkojnë një kujdes të veçantë, kërkojnë solucionin e tyre, duhet të hiqen dhe të vihen disa herë gjatë ditës dhe kjo rrit mundësinë e infektimit.", shprehet Rubin Topi duke këshilluar që edhe vetë syzet të pastrohen herë pas here.

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?