A ka shqiptarë të prekur nga koronavirus në Britani? Flet specialisti i Shëndetit Publik në Londër: Masat e marra po japin efekt (VIDEO)

26 Mars 2020, 10:41| Përditesimi: 26 Mars 2020, 12:34

  • Share

Në një lidhje skype nga Londra, Dr.Laidon Shapo,Specialist i Shëndetit Publik atje (Head of programme for health & social care, Londer) ka treguar si po përjetohet koronavirus në Britani, për shifrat e të prekurve dhe masat e marra. 

Shapo ka treguar se kurba epidemike në Londër është në rritje, ndërkohë që njerëzve u bëhet vazhdimisht thirrje që të qëndrojnë në shtëpi. Sipas tij, masat e marra së fundmi në Londër po jep rezultate pozitive. 

Si është gjendja në Londër nga Koronavirus? 

"Po jap një panoramë të shkurtër të situatës këtu. Kurba epidemike është në rritje. Rastet me koronavirus në Britani janë shtuar. Vetëm po të krahasojmë 5 ose 6 ditë përpara kishte rreth 4000 raste,  sot numërohen 9640 raste. Edhe niveli i vdekshmërisë është në rritje, numërohen 466 fatalitete sot.  Ajo që të bën përshtypje është që brenda një periudhe të shkurtër ka një rritje të dukshme, por në 24 orët e fundit ka rënie të vdekmshërisë çka tregon se masat e forta të marra  këto 2 javët e fundit, masat e përforcuara kanë filluar të japin shenja. Në rang Europe ka vende që janë më keq se ne  Flamurin në dorë e ka marrë Spanja, ka raste të shtuara ndjeshëm atje, është i njëjti fenomen që u pa edhe në Itali." shprehet specialisti i Shëndetit Publik në Londër. 

Situatën e tregon të vështirë në të gjithë botën, por sipas tij Britania ka zgjeruar kapacitetet mjekësore. 

"Të gjithë liderët evropianë kritikohen në një kohë të tillë krize sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish, grupe vunerabël, njerëz mbi të 65- me probleme shëndetësore, probleme me imunitet të ulet etj. Të gjithë vendet kanë problemet e tyre përsa i përket kapacitetit hospitalor, të shtretërve, trajtimeve apo testimeve." shprehet Shapo.

Ndërkohë që Britania është vetëm një hap larg shtetrrethimit, duke ndjekur shembullin e Francës, Shapo thotë se po ndërtohet edhe një spital i ri.

"Masat janë marrë të përshkallëzuara. Në fillimet e rasteve janë marrë masat për atë përiudhë. Më pas u mendua për masa më të forta derisa jemi një hap larg shtetrrethimit".

I pyetur se a ka ndryshuar organizimi i sistemit shëndetësor britanik, Shapo shprehet:

"Bëhet fjalë për një përzierje të gripit stinor me simptoma të Covid 19. Njerezit janë adresuar të futen në shtëpi kur kanë kollë e temperaturë, kur agravohet telefonojnë numrat e posaçëm të cilët i këshillojnë si të veprojnë me tej. Masat janë marrë të jashtëzakonshme, kapacitetet spitalore janë në rritje, po ndërtohet spital i ri, një nga masat që është marrë është rritja e ventilatorëve për trajtimet intensive, diskutimet bëhen online, unë kam mbi një javë që punoj nga shtëpia. Një test i ri anti gen do të dalë së shpejti në treg dhe do tu vihet në dispozicion atyre që janë prekur për të kuptuar cfarë imuniteti i ri do të lihet pas Covid për një panoramë të përgjithshme të Covid dhe se kush mund të kthehet sërish në vijën e parë të frontit, e kush mund të kthehet në punë."

 

Ashtu si në vendet e tjera, edhe në Londër ka nisur distancimi social e masa të tjera të forta e shtërnguese që parandalojnë përhapjen e Koronavirus. I pyetur  se nëse ka shqiptarë të infektuar nga koronavirus në Britaninë e Madhe, specialisti i Shëndetit Publik thotë se nuk ka të dhëna për këtë. 

"Të dhëna të tilla nuk i disponoj. Padyshim që të dhëna të tilla ruhen në database-in  nacional. Kam përshtypjen që shtresat më të prekura janë ato që janë socialisht aktive" thotë në 'Rreze Dielli' specialisti i Shendetit Publik në Londër. 

D.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?