Koronavirusi, 463 të vdekur, 7985 të infektuar dhe 1598 të shëruar në Itali. OBSH: Rreziku i pandemisë është shumë real

9 Mars 2020, 18:43| Përditesimi: 9 Mars 2020, 18:53

  • Share

Në Itali numri i të vdekurve nga koronavirusi është rritur në 463, 97 viktima më shumë se dje kurse numri i të infektuarve ka shkuar në 7985, 1598 më shumë se një ditë më parë, kurse 1598 pacientë janë shëruar.

Në Rajonin e Lombardisë ka 333 viktima nga koronavirusi, 440 pacientë ndodhen në kujdesin intensiv teksa numri i të infektuarve ka shkuar në 5469, 1280 më shumë se dje kurse të shëruarit janë 646.

Rastet pozitive në Emilia-Romagna u rritën në 1386, 206 më shumë se dje. Nga këto, rreth 600 janë në izolim në shtëpi dhe 90 në kujdes intensiv.  Në Rajonin e Lacios, 4 mjekë dhe 3 specializantë janë vënë në karantinë pasi dolën pozitiv për Covid19.

Këshilltari për Mirëqenie i Rajonit të Lombardisë Giulio Gallera, tha se "Të gjitha të dhënat tregojnë se ka një zhvillim pozitiv të infeksionit në zonat e para të shpallura të kuqe dhe autoritetet po vërejnë ulje të numrit të të infektuarve. Kjo do të thotë se masat e marra kanë dhënë rezultate”.

Gallera tha gjithashtu se "Nga të dhënat që kemi, del se vetëm 35% e të infektuarve janë nën moshën 65 vjeç".

"40-vjeçarët dhe 50-vjeçarët sot janë në gjendje t'i shpëtojnë infeksionit të rëndë sepse ata kanë një fizik që i përgjigjet më mirë sëmundjes”.

Sipas Gallera, "Në provincën e Bergamos ka një rritje shumë domethënëse të numrit të të prekurve nga virusi i ri, 1245 pozitive (+248 nga dita e djeshme). Edhe Brescia ka një rritje po aq të fortë, 739, 238 më shumë se dita e djeshme. Në Kremona ka shkuar në 916 rastet e prekura, + 251 krahasuar me dje. Pjesa tjetër e rajonit ende ka prezencë shumë të kufizuara dhe ky është një element pozitiv".

Pasi dje qeveria italiane vendosi të zgjerojë zonën e kuqe në tërë Lombardinë dhe 14 provinca të tjera të shpërndara midis Piemonte, Emilia Romagna, Veneto dhe Marche, një masë që prek rreth 16 milion njerëz, ekspertët e komitetit tekniko-shkencor pranë qeverisë, ndërkohë janë duke punuar për të parashikuar se si do të shkojë kurba në grafikun e epidemisë.
Drejtori i Institutit të Lartë të Shëndetit, Silvio Brusaferro, tha se askush nuk ka një 'Sferë kristali' por sipas ekspertëve gjatë kësaj jave do të ketë një rritje të fortë të numrit të të infektuarve dhe viktimave. Po sipas modeleve të parashikimit, në tetë ditët e ardhshme Italia mund të prekë majën e epidemisë, pas së cilës kurba e infeksionit do fillojë të ulet, gjithnjë nëse njerëzit i përmbahen dispozitave të qeverisë dhe shkencëtarëve, gjë që do të thotë ndjenjë përgjegjësie, heqje dorë nga zakonet e vjetra dhe përshtatje me një stil të ri jetese. Kjo është arsyeja pse qeveria ka ngritur tonin e komunikimit në dy ditët e fundit duke thënë se kush shkel masat e vendosura në rajonet veriore që synojnë ndalimin e përhapjes së infeksionit, rrezikon arrestimin.

Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar sot se rreziku i pandemisë është shumë real. "Kërcënimi i një pandemie po bëhet gjithnjë e më shumë real”- tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH), Tedros Ghebreyesus, duke shtuar se “nëse do të shpallet, kjo do të jetë epidemia e parë që mund të kontrollohet".


Lajmi kryesor:

E gjithë Italia në karantinë nga koronavirusi/ Conte: Zgjerohet kufizimi i qarkullimit në gjithë territorin! Ndalet Serie A


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?