Koronavirusi/ Brataj: Maska është e nevojshme! Ato me valvul nuk duhen përdorur! Mund të hapen spitalet COVID 3 dhe 4

23 Tetor 2020, 18:01| Përditesimi: 23 Tetor 2020, 19:04

  • Share

Në një kohë kur shumë qytetarë kanë kundërshtuar vendimin për mbajtjen e maskave ndërsa disa të tjerë thonë se ajo nuk të mbron nga COVID, Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se ajo është shumë e rëndësishme për të parandaluar përhapjen e saj.

Në një intervistë për Report Tv, ai thotë se maskat të cilat nuk duhen përdorur janë ato me valvul. Kjo pasi sipas tij, maska filtron vetëm ajrin në hyrje dhe jo në dalje. Nëse një person është i infektuar, maska me valvul nuk e ndalon që të infektojë dikë tjetër.

"Ne kami patur një ulje të vdekshmërisë. Maska nuk mund të bëjë dëm. Maskat më të mira mund t'i gjesh. Maskat me valvula nuk duhen përdorur. Ato janë bërë për ambientet me pluhura dhe janë për personel profesional. Ato janë për personel profesional. Unë jam mjek dhe punoj brenda në një repart me të infektuar me COVID dhe nuk kam se çfarë e infektoj atë. Maska me valvul më lejon që kur marr frymë, ajri kalon përmes filtrave, ndërsa kur nxjerr ajrin, valvula hapet dhe ajri nuk kalon përmes filtrave. Po ta kem jashtë maskën në një ambient të jashtëm, kur nxjerr ajrin, nëse jam i infektuar do ta nxjerr ashtu të infektuar pasi ajo nuk kalon tek filtrat. Maskat profesionale bëjnë filtrimin si në hyrje ashtu edhe në dalje" - tha Brataj.

Mjeku thotë se situata aktualisht nën kontroll, pasi pavarësisht nga rritja e të infektuarve, numri i viktimave është njësoj. Kjo tregon që njerëzit kanë gjetur mënyrën për të përballuar deri në njëfarë niveli, koronavirusin.

"Puna shkencore po vijon. Sot ne kemi numrat 3 fish të mars-prillit të të infektuarve por viktimat janë njësoj. Nuk është fakti i zhdukjes së këtij virusi por kontrolli i saj përmes terapive intensive. Dhe në vendet e tjera, numri i të vdekurve dhe atyre në gjendje të rëndë nuk është njësoj me numrin e të infektuarve. Nuk ka ende një terapi, antiviral anticovid. Janë antiviralët që janë përdorur nga të gjithë. Remdisivir u përdor në fillim tek Ebola në Afrikë. Remdesivir nuk tregoi ndonjë superioritet nga antiviralët e tjerë. Vaksina mendoj se do të jetë e gatshme në fillim të vitit tjetër" - shprehet Brataj.

Brataj shpjegoi gjithashtu se numri i personave që telefonojnë urgjencën kombëtare është rritur shumë, ku ai thotë se mund të arrijnë 2 mijë thirrje në ditë, 500 prej tyre kanë lidhje me koronavirusin.

Ndërkohë ai thotë se spitalet janë të gatshme që të presin rritjen e numrit të të shtruarve dhe se me këtë nivel të rritjes mund të hapen dhe spitalet COVID 3 dhe 4.

"Është rritur numri në këto 10 ditët e fundit. Ka 1300 që kishim në shtator, tani kemi 2000 thirrje nga ku 500-700 janë për COVID. Kjo shndërrohet në vizita në banesë por dhe transferime në spitale. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kishte 65 raste ku 33 u trajtuan në banesë dhe 32 në spitale me COVID. Qytetari hyn në sistem përmes mjekut të familjes, qendrës shëndetësore. Çdo rast i dyshuar për COVID i dërgohet epidemiologëve dhe kontaktohet më pas nga këto. Nëse simptomat janë të lehta, ai mund të trajtohet në shtëpi. Nuk duhet të filluar që në fillim terapia me antibiotik pasi nuk japin efekt. Mund të kenë dhe efekte anësore. Ankthi dhe frika e personave që dyshojnë se janë të infektuar shtohet shumë. Brenda javës nuk shihen rezultate, ato do të shihen pas 2-3 javësh. Numri 306 është fiziologjike rritja që ndodhi. Duhet të jetë i kontrolluar. Duhet bërë bilanci mes të shëruarve dhe të sëmurëve. Unë besoj se me rritjen e këtyre numrave duhet të hapen spitalet 3 dhe 4. Vera nuk mundësoi hapjen e tyre pasi kushtet ishin në anën tonë" - tha Brataj

Lajm në përditësim...

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?