Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) ka kërkuar unitet pas akuzave të vazhdueshme ndaj agjensisë nga Presidenti amerikan Donald Trump.
"Ju lutemi, unitet në nivelin kombëtar, pa përdorur politikisht Covid," tha Dr. Tedros teksa shtoi se duhet të ketë më tepër “solidaritet në nivelin global dhe udhëheqje të ndershme nga SHBA dhe Kina."
"Më i fuqishmi duhet të udhëheqë rrugën dhe ju lutem kufizoni politikën me Covid-19," apeloi ai, në përgjigje ndaj Trump.
Gjatë një deklarate këtë të mërkurë, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus mbrojti punën e OBSH dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund politizimit të COVID-19. Të martën, Presidenti Trump kishte thënë se OBSH duket se ishte "shumë e njëanshme ndaj Kinës", duke paralajmëruar se do të konsiderojë përfundimin dërgimit të fondeve nga SHBA për organizatën.
Sipas Trump, OBSH ishte shumë e përqëndruar tek Kina, saqë hodhi në erë përgjigjen në kohën e duhur ndaj pandemisë.
Dr. Tedros hodhi poshtë komentet e Presidentit amerikan, duke këmbëngulur: "Ne jemi afër çdo kombi dhe se nuk bëjmë diskriminime".
Pasi sulmoi për herë të parë OBSH të martën, Presidenti Trump rinovoi kritikën e tij në konferencën për shtyp të mërkurën, duke thënë se organizata duhet të "shoh përparësitë e saj si duhet". Ai tha se SHBA do të të rishikojë edhe njëherë nëse ajo duhet të vijoi të paguaj kontribute apo jo.
Po ashtu, Sekretari i Lartë i Shtetit në SHBA, Mike Pompeo tha mbrëmjen e kësaj të mërkure se administrata "po rivlerësonte fondet e saj në lidhje me Organizatën Botërore të Shëndetit. "Organizatat duhet të punojnë. Ato duhet të japin rezultatet për të cilat ishin krijuar," tha Pompeo.
Covid-19 u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar në qytetin kinez Wuhan. Një këshilltar i shefit të OBSH më herët tha se bashkëpunimi i tyre i ngushtë me Kinën kishte qenë "absolutisht thelbësor" për të kuptuar sëmundjen në fazat e hershme të saj.
Sulmet e Trump ndaj OBSH vijnë në kontekstin e kritikave për administrimin nga ana e saj të pandemisë. Kujtojmë se, SHBA është një nga kontribueset më të mëdha vullnetare të OBSH-së. Sipas informacionit në faqen e internetit të agjencisë, Shtetet e Bashkuara kontribuan afro 900 milion dollarë në buxhetin e OBSH-së për vitin 2018-2019. Kjo përfaqëson një të pestën e buxhetit të saj të përgjithshëm prej 4,4 miliardë dollarë për ato vite.
Kllouni i kinezeve
Përgjigju