Italia s'ka kaluar pikun, kurba vijon e sheshtë! Në 24 orë 766 të vdekur! Mbi 1 milion raste të prekur në botë

3 Prill 2020, 08:39| Përditesimi: 3 Prill 2020, 20:20

  • Share

Numri i të identifikuarve pozitiv me Covid-19 në botë është rritur në mbi 1 milion. Sipas të dhënave online nga Universiteti Johns Hopkins ata janë saktësisht 1.016 401. Numri i viktimave ka shkuar në mbi 53 mijë kurse numri i të shëruarve është rritur në 211 775.

Vendi më i prekur nga infeksioni i koronavirusit është SH.B.A. me 245 560 për një total prej më shumë se 6000 viktimash, e ndjekur nga Italia me 115.224 raste pozitive dhe 13.915 vdekje dhe më pas Spanja me 112.065 raste dhe më shumë se 10,350 vdekje.

Sipas 'Washington Post' Shtëpia e Bardhë do të rekomandojë qytetarët e saj të mbajnë maska në vende publike për të mbuluar hundën dhe gojën si masë për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Presidenti Donald Trump përmes ligjit të ‘Prodhimeve për Mbrojtjen’ i ka bërë thirrje mjaftë kompanive për prodhimin e maskave të nevojshme për të mbrojtur gjithë popullsinë amerikane. Ndërkohë 10 milionë amerikanë janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi nga epidemia e koronavirusit.

Banka Qëndrore Amerikane ka paralajmëruar se 15-20 milion vende pune në SHBA janë rrezik. Papunësia në vend nga 3.6% para epidemisë ka të ngjarë të rritet në 15.6%.
 

Ora 21:03
Udhëzimet e reja në SHBA për t'u mbrojtur nga COVID-19: Nga shallet, tek bluzat për të mbuluar fytyrën

1585940727_trump.jpg

Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të miratojë udhëzime të reja duke u kërkuar amerikanëve të mbulojnë fytyrën kur dalin nga shtëpia, në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Dje gjatë një konference për shtyp presidenti vazhdoi të mbrojë në mënyrë agresive përgjigjen ndaj krizës së shëndetit publik.

Udhëzimet e reja të administratës Trump do të jenë kryesisht për ata që jetojnë në zona të goditura rëndë nga virusi, i cili ka gjetur terren për t’u përhapur në shkallë të gjerë mes anëtarëve të komunitetit.

Një zyrtar në dijeni të diskutimeve të grupit task force të ngritur në Shtëpinë e Bardhë për administrimin e situatës tha se zyrtarët do të sugjerojnë përdorimin e maskave jo-mjekësore, nga bluzat tek shamitë, për të mbuluar hundën dhe gojën kur ndodhen jashtë shtëpisë, në dyqane që tregtojnë ushqime apo farmaci.

Maskat e kategorisë mjekësore, veçanërisht ato të cilat mungojnë në treg sikurse N95, do të rezervohen për ata që merren direkt me të sëmurët. Zyrtari foli në kushte anonimiteti mbi udhëzimet e propozuara përpara daljes në publik.

Presidenti Trump, i cili e kishte kryer përsëri testin për koronavirus të enjten duke përdorur një test të ri, më të shpejtë tha se do ta mbështesë një rekomandim të tillë.

Edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio këshilloi banorët e qytetit të mbulojnë fytyrën kur dalin jashtë me qëllimin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

 Në një konferencë për shtyp ai tha se për të mbuluar fytyrën mund të përdoret shalli apo diçka e krijuar në shtëpi.

“Mund të jetë diçka që krijoni vetë në shtëpi. Mund të jetë një shami. Nuk është e nevojshme të jetë një maskë kirurgjikale profesionale. Duhet t’ua lëmë maskat atyre njerëzve që kanë më shumë nevojë, atyre që shpëtojnë jetë“, tha de Blasio.

Zoti De Blasio tha që policia e Nju Jorkut nuk do të detyrojë zbatimin e këtyre këshillave.

Do të jetë vetëm këshillë, sepse kemi gjëra shumë më të rëndësishme për të cilat mendojmë se do të shërbenin më mirë nëse do të ishin të detyrueshme për t’u zbatuar“, u shpreh ai.

Në rezervat emergjente të qeverisë amerikane thuajse nuk gjen pajisje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët.

Guvernatorët dhe punonjësit e shërbimit të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin vazhdojnë të kërkojnë me ngulm pajisje mjekësore siç janë ato që shërbejnë për frymëmarrje për pacientët me COVID-19.

Ora 19:17
Shërohet nga koronavirusi infermierja italiane që përloti botën me foton e saj

1585934640_infermierefoto.png

Elena, infermierja italiane që përloti botë me foton e saj është shëruar nga koronavirusi.

Ajo ka qenë në faqet e para të të gjithë mediave të botës, dhe është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale gjatë kësaj kohe.

Ia doli të shërohet 17 ditë pasi është diagnostikuar me koronavirus.

“Jam shumë mirë, falë Zotit nuk kam asnjë lloj shqetësimi, mezi po pres të kthehem tek kolegët e mi dhe profesioni im që e adhuroj”, ka thënë infermierja për mediat italiane.

Në lidhje me shërimin e saj ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm Luigi di Mario i cili shkruan:“Fotoja e Elenës, është një shkrepje nga jeta reale, është impenjim dhe sakrificë dhe ka prekur zemrat e të gjithëve. Është një foto që portretizon dashurinë për jetën dhe përpjekja për ta mbrojtur atë. Në një foto shfaqet i gjithë njerëzimi i kësaj gruaje. Faleminderit, faleminderit atyre që nuk heqin dorë kurrë.”

Ora 18:43
Presidenti Trump i nënshtrohet testit të dytë për COVID-19, rezulton negativ

1585932393_trump2.PNG

Presidenti amerikan Trump i  është nënshtruar sërish një testi të dytë për COVID-19.

Sipas mediave, presidenti e bëri testin më shumë se 2 javë më parë pasi kishte kryer një takim në Florida me homologun brazilian Bolsonaro.

Kreu i Shtetit të Brazilit pas takimit në Florida së bashku me një këshilltarin e tij rezultuan pozitivë,  prandaj edhe Donald Trump kreu testin.

Ndërkohë deri më tani një numër i konsiderueshëm zyrtarësh kongresmenë dhe senatorë amerikanë kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.

Ndërkohë deri më tani në SHBA numri i të infektuarve ka shkuar në 245,341 ndërsa kanë humbur jetën 6,095 persona.

Ora 18:35
Italia ende nuk ka kaluar pikun, kurba vijon e sheshtë me shifra të qëndrueshme! Në 24 orë 766 të vdekur, 2339 të infektuar

Italia ende nuk e ka kaluar pikun e koronavirusit, ndërsa prej disa ditësh kurba është e sheshtë dhe të dhënat janë pothuajse në një nivel të qëndrueshëm. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 766 viktima dhe 2339 të infektuar të rinj me COVID-19.

Numri i viktimave sot ishte 766 persona ndërsa një ditë më parë ishte 760, ndërsa numri të infektuarve i sot është 2339 ndërsa një ditë më parë shënonte 2477. Pra kemi një lëvizje të vogël në numra duke treguar një gjendje të qëndrueshëm në vend ku shifrat mbeten ende të larta dhe kurba nuk ka nisur ende të bjerë.

Dhe të shëruarit gjatë 24 orëve të fundit mbeten thuajse në të njëjtin nivel me 1480 të shëruar, ndërsa një ditë më parë ishin 1431 të shëruar.

Aktualisht në vend ka gjithsej  14 681 viktima, 19  758 të shëruar dhe  119 827 të infektuar në të gjithë Italinë.

Ora 17:56
E izoluar prej 20 marsit, Angela Merkel del nga karantina në gjendje të mirë

1584901372_AngelaMerkel.jpg

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë fund karantinës së saj dhe u kthye në zyrë këtë të premte, sipas informacioneve të një një zëdhënësi të saj.

Merkel është testuar disa herë për koronavirusin e ri por ka rezultuar negative.

Ajo ishte vetë-karantinuar dhe po punonte nga shtëpia, pasi më 20 mars, mori një vaksinë nga një mjek, i cili më vonë u zbulua se kishte koronavirus.

Numri i të infektuarve në Gjermani ka arritur në 79, 696, dhe 1,017 vdekje.

Ora 17:29
Koronavirusi/ Ish-trajneri i Italisë dhuron 17 mijë maska për Bergamon

1585928382_trajneritalian.jpg

Roberto Donadoni, ish-trajner i Italisë,  aktualisht trajner te Shenzen në Kinë, ka dërguar dhe dhuruar 16 mijë maska kirurgjike në Bergamo.

10 mijë do të shkojnë për spitalin Ponte San Pietro; të tjerat do të ndahen mes spitaleve të tjerë dhe do t’i shpërndahen mjekëve bazë.

Gjithashtu janë dhuruar edhe 300 mijë maska të tjera për përdorim mjekësh nga Interi dhe Grupi Suning për të përballuar emergjencën.

Ora 17:27
Kryeministri Boris Johnson tregon gjendjen e tij nga karantina pas konfirmimit me koronavirus

1585927678_borisjohnson.jpg

Kryeministri britanik, Boris Johnson do të vijojë të qëndrojë në izolim, pasi ende nuk është shëruar nga koronavirusi.

Sipas BBC, ai ka  simptoma të buta të COVID-19 deri më tani.

“Edhe pse ndjehem më mirë dhe i kam kaluar shtatë ditët e izolimit, vazhdoj të kem simptoma të lehta. Kam ende temperaturë, kështu që në përputhje me këshillat e qeverisë, duhet të vazhdoj izolimin tim derisa të kalojë këto simptoma”, tha në një mesazh Johnson në Tëitter.

Kujtojmë se kryeministri britanik doli pozitiv në testin që iu nënshtrua të premten e kaluar.
Ndonëse i sëmurë, ai po vazhdon të punojë nga shtëpia, gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve britanikë që të mos dalin nga shtëpitë.

Ora 17:26
Koronavirusi, përkeqësohet bilanci, shënohen të tjera vdekje në Greqi, Turqi dhe Maqedoni

Sipas autoritetet shëndetësore në Greqi në ditën e sotme kanë humbur jetën nga koronavirusi 6 pacientë ndërkohë që numri I të infektuarve nga Covid-19 është rritur në 1544 kurse totali I vdekjeve ka shkuar në 53 kurse të shëruarit numërohen në rreth 61.

Në Turqi autoritetet kanë raportuar për rreth 18 mijë raste pozitiv nga koronavirusi teksa në vend numri i viktimave ka shkuar në 365.

Në Serbi të prekurit nga infeksioni janë 1171 për një total viktimash prej 31 personash.

Në Maqedonin e Veriut janë regjistruar në total 11 viktima kurse të infektuarit nga koronavirusi janë rreth 430.

Në Kosovë deri tani janë 126 raste të infektuara me virusin Covid-19. Prej tyre 10 janë shëruar e një ka vdekur. 

Ora 17:00
Koronavirusi, eksperti amerikan: Gjendja në SHBA do përkeqësohet. Hidroksilklorina ‘ilaç nokaut’? Ende shpejt për ta thënë!

Eksperti amerikan, Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA tha se pandemia e Covid-19 do të "përkeqësohet, shumë më keq, para se të bëhet më mirë", por sipas tij distancimi social po punon për të zbutur përhapja e virusit, teksa bëri thirrje amerikanëve të vazhdojnë të ndjekin rekomandimet për distancimin shoqëror.

Në lidhje me ilaçet e provuara deri tani kundër koronavirusit, Fauci tha se është shumë shpejt ta quash ilaçin kundër malaries "ilaç nokaut" kundër koronavirusit.

Edhe pse disa të dhëna të hershme nga Wuhan, në Kinë, të cilat sugjerojnë që ilaçi kundër malaries ‘hidroksilklorin’ mund të "shkurtojë" kohën e nevojshme të qëndrimit në kujdesin intensiv për pacientët Covid-19,  Fauci paralajmëroi se nevojiten më shumë hulumtime për të përcaktuar efektivitetin e këtij ilaçi.

"Ende duhet të kryhen studime që të vërtetojnë përfundimisht nëse ‘hidroksilklorina’  është efektive për trajtimin e sëmundjes”.

Deri tani, vendi më i prekur në botë nga infeksioni i koronavirusit është SH.B.A. me 245 560 për një total prej më shumë se 6000 viktimash.

Ora 16:45
Koronavirusi, stadiumi më i madh i futbollit në Gjermani do të shndërohet në qendër trajtimi për personat e dyshuar me Covid-19

Stadiumi më i madh i futbollit në Gjermani - stadiumi Westfalen - do të shndërohet në një qendër trajtimi për Covid-19 duke filluar nga nesër. Lajmi u konfirmua nga klubi i Borussia Dortmund përmes një deklarate.

"Duke filluar nga nesër, stadium Westfalen do të shndërohet në një qendër trajtimi për rastet e dyshuara të koronavirusit dhe pacientëve me simptomat përkatëse," thuhet në deklaratë.

Drejtorët administrues të klubit të Dortmundit, Hans-Joachim Watzke dhe Carsten Cramer thanë se objekti është "një vend ideal për të ndihmuar në mënyrë aktive njerëzit".

Në Gjermani numri i vdekjeve kapërceu në më shumë se 1.100 dhe i infektimeve, shkoi në rreth 86 mijë. Por sërish duke marrë parasysh popullsinë prej më shumë se 82 milionë banorëve, shkalla e fatalitetit në Gjermani – më shumë se 1 për qind- konsiderohet relativisht e ulët.

Ora 15:12
Koronavirusi përhapet edhe nga ajri? OBSH: Po vlerësojmë përdorimin e maskave nga të gjithë

Dyshohet se Koronavirusi ‘udhëton’ nëpër ajër jo një meter por më shumë nga sa mund të mendohet.

Sipas një studimi të MIT (Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA), pikat e virusit të dala nga një kollë apo tështitje mund të arrijnë përkatësisht deri në gjashtë dhe tetë metra larg kurse mikropikat e Covid-19 mund të udhëtojnë nëpër ajër për distanca edhe më të gjata. Kjo është arsyeja pse maskat bëhen thelbësore në luftën kundër përhapjes së infeksionit.

Sipas studimeve të fundit të raportuara nga Akademia Kombëtare e Shkencave e Shteteve të Bashkuara në një letër drejtuar shefit të shkencës në Shtëpinë e Bardhë, SarsCov2 u gjet në mostrat e ajrit të mbledhura mbi 1.8 metra larg dy pacientëve në një prej spitaleve amerikane.

Rritja e numrit të infektimeve me koronavirus me ritme të frikshme gjatë ditëve të fundit duke kaluar pragun 1 milion, ka detyruar studiuesit dhe OBSH-në të rishikojnë udhëzimet e tyre për mbrojtjen ndaj COVID-19.

Pyetja që po i mundon më shumë deri tani ekspertët është nëse virusi përhapet përmes ajrit ose jo. Ndonëse për këtë nuk ka studime konkrete që ta vërtetojnë të dhënat shkencore sugjerojnë se virusi mund të qëndrojë në ajër më shumë kohë nga ç’mendohej.

Përfaqësuesi i OBSH, David Heymann tha për BBC se “po studiojmë me vëmendje gjetjet e reja shkencore” kur u pyet nëse ata do të këshillonin përdorimin e maskave në masë.

Ora 14:18
Koronavirusi, Spanja kapërcen Italinë, mbi 117 mijë infeksione. Paralajmërimi në Wuhan: Qëndroni në shtëpi

Në Spanjë infeksionet nga koronavirusi janë rritur në 117,710, një numër aktualisht më i lartë se ai i Italisë. Vdekjet - sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë 'raportuar nga El Pais - janë 10.935 që nga fillimi i epidemisë, me një rritje prej 932 në 24 orë.

Paralajmërim i ri në Wuhan: Qëndroni në shtëpi

Banorët e Wuhan, epiqendra e Covid-19, janë këshilluar për të forcuar masat e vetë-mbrojtjes, duke qëndruar në shtëpi dhe duke shmangur daljen jashtë në rrugë nëse nuk është e nevojshme në mënyrë që të shmangen infektimet e reja.

Në një deklaratë të postuar në faqen e zyrtare të bashkisë së qytetit, sekretari i Partisë Komuniste lokale Wang Zhonglin tha se "rreziku i rikthimit të pandemisë mbetet i lartë për shkak të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm". Këto janë arsye që na shtyjnë "për të mbajtur në alarm masat parandaluese dhe kontrolluese".

Gjithsesi mbetet ende në fuqi vendimi që më 8 prill në qytet të lehtësohen masat kufizuese

Ora 13:02
Koronavirusi-Itali, përkeqësohet numri i viktimave në rradhët e mjekëve dhe infermierëve (VIDEO)

Lista e mjekëve dhe infermierëve viktima të koronavirusit vazhdon të zgjatet teksa totali i atyre që kanë humbur jetën ka shkuar në 73.

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë, Silvio Brusaferro tha sot se tashmë është e konfirmuar ngadalësimi i përhapjes së koronavirusit

Ngadalësimi i konfirmuar, por pa masa shumë më shumë viktima

Në konferencën e përditshme epidemiologjike për shtyp epidemiologjike, Brusaferro "Nuk ka asnjë zone në Itali që virusi nuk po qarkullon”, dhe se “në 19 zona qarkullimi është ende i lartë”. Ai theksoi rëndësinë e respektimit rizogor të masave të miratuara teksa shtoi se “pa këto masa numri I vdekjeve do ishte shumë më i madh”.

Në lidhje me të ashtuquajturën Faza 2, ai tha se kalimi në këtë fazë duhet të jetë gradual për të minimizuar rrezikun e pandemisë.

Ora 12:21
Itali, në Trentino ulet flamuri i Europës së Bashkuar. Matteo Salvini: Nëse Europa nuk zgjohet, këto skena do të shumohen (VIDEO)

Lideri i 'Lega Nord'në Itali, Matteo Salvini ka postuar në faqen e tij në Facebook një video ku në rajonin e Trentino shfaqet një person i cili ul nga flamurin e Europës së Bashkuar, video të cilën ai e shoqëron me teksin: Nëse Europa nuk zgjohet, këto skena do të shumohen.

“Përshëndetje miq, gjithmonë përpara dhe kurrë mos hiqni dorë, me krenarinë për të qenë një popull i shkëlqyeshëm”.

Reagimi i Salvinit është në vazhdën e sulmeve të shumta verbale që ai ka bërë ndaj qëndrimit të BE, e cila vetëm dje vendosi të ndihmojë Italinë në situatën e veshtirë që po kalon për shkak të pandemisë nga koronavirusi.

Vetëm pak ditë më parë, Matteo Salvini, përmes një reagimi në rrjetet sociale, nuk e fshehu zemërimin që ka ai ndaj Brukselit pasi Unioni nuk po arrin të miratojë ndihmën financiare për Italinë, duke iu drejtuar atyre me fjalët “gjarpërinj” dhe “çakenj”. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se pas tejkalimit të pandemisë së koronavirusit, Italia do të shohë vendin e saj si pjesë e BE.

Duke pritur për të kapërcyer ngërçin midis Mekanizmit Europian të Stabilitetit dhe Coronabond, Komisioni Evropian ka zyrtarizuar dje fondin europian për të zbutur rreziqet e papunësisë në situatën e krijuar nga Covid-19, i cili, përmes 25 miliardë eurove garanci vullnetare nga shtetet e BE, do të lejojë financimin e "fondeve integruese" kombëtare apo skemave të ngjashme për mbrojtjen e vendeve të punës. 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha dje në lidhje me situatën dramatike që po kalon Italia se “Sot Europa po mobilizohet përkrah Italisë. Fatkeqësisht, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Duhet pranuar që në ditët e para të krizës, përballë nevojës për një reagim të përbashkët evropian, shumë kanë menduar vetëm për problemet e tyre të shtëpisë. Ata nuk e kuptuan që ne mund ta mposhtim këtë pandemi vetëm së bashku si Union. Në këto ditë distanca midis individëve është thelbësore për sigurinë tonë: distanca midis kombeve evropiane, përkundrazi, i vë të gjithë në rrezik”.

Ora 10:59
Koronavirusi-SHBA, 1169 viktima në 24 orët e fundit. Trump: 100 mijë teste në ditë (VIDEO)

Me 1169 viktima në 24 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë arritur rekordin botëror të numrit më të madh të viktimave në një ditë në një vend të vetëm që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

SHBA aktualisht ka mbi 245,000 raste pozitive, më shumë se dyfishin e Italisë dhe rreth 6,000 vdekje.

Vetëm në Luiziana, në 24 orët e fundit, ka pasur mbi 2700 raste të reja pozitive dhe më shumë se 300 vdekje. Një ‘goditje’ që e shtyu Guvernatorin John Bel Edvard të zgjasë urdhrin për "qëndrim në shtëpi" deri më 30 prill.

Trump: 100 mijë teste në ditë

"Tani ne bëjmë 100,000 teste në ditë, më shumë se çdo vend tjetër në botë në raport me popullsinë," tha Presidenti amerikan Donald Trump në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

 Manjati gjithashtu vlerësoi presidentin rus Vladimir Putinin për ndihmën me materiale mjekësore që ai akordoi për SHBA.

Ora 10:36
Koronavirusi-Itali, autoritetet: Izolimi mund të zgjatet deri më 16 maj. Në fazën 2 rifillojnë aktivitetet

Ekspertët në Itali vlerësojnë se këto janë ditë vendimtare për të kuptuar ecurinë e kurbës së pandemisë nga Covid 19.

Sot kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli përsëriti nevojën për të mos braktisur masat e kontrollit dhe izolimit si dhe parashikoi se këto masa mund të zgjaten deri më 16 maj.

Borrelli tha se “ deri në 16 maj, mund të kemi të dhëna të mëtejshme pozitive që na këshillojnë të rifillojmë aktivitetet dhe të fillojmë fazën 2 ".

"Situata aktuale - tha Borrelli - na lejon të marrim frymë, veçanërisht për sa i përket ambienteve spitalore dhe kujdesit intensiv që po lehtësohet nga presioni”.

Dje kryeministri italian Giuseppe Conte u shpreh se "Nëse spekulojmë tani mbi kufizimet, përpjekjet do të ishin të kota. Ai tha gjithashtu se faza e dytë e emergjencës shëndetësore do të jetë ajo e daljes në mënyrë graduale nga masat shtrënguese dhe e bashkëjeteses me Covid-19, për  të kaluar më pas në frazën 3 që është dalja përfundimisht nga situata e rëndë dhe rindërtimi i vendit nga pikpamja ekonomiko financiare.

Ora 10:24
Koronavirusi, në Kinë 29 raste të importuara. 86 pozitiv me Covid-19 në Korenë e Jugut

Kina ka regjistruar 31 raste të reja të infeksionit nga koronavirusi, nga të cilat 29 të importuara.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka raportuae edhe 4 vdekje të tjera, të gjithë në Hubei, për një total prej 3.222.

Kina ndërkohë i trembet një vale të dytë epidemia në Henan, në kufi me Hubei. Qyteti me 600 mijë banorë është izoluar totalisht nga autoritetet pasi tre persona u identifikuan pozitiv me Covid-19. 

Dje Presidenti amerikan Donald Trump vuri në dyshim saktësinë e të dhënave zyrtare të dhëna nga Kina për epideminë e koronavirusit, disa orë pasi ligjvënësit amerikanë akuzuan Pekinin për fshehjen e tyre, duke cituar një raport të inteligjencës.

Përhapja e Covid-19 në Korenë e Jugut po stabilizohet, por mbeten ende kritike infeksionet në Seul.

Shifrat e fundit flasin për 86 raste të reja me Covid-19 teksa në vend totali i të prekurve është mbi 10 000 kurse numri i viktimave është 174 kurse të shëruarit më shumë se 6000.

Ora 10:11
Koronavirusi, rritet numri i rasteve të infektuar në Europë. Rezoluta e OKB: Bashkëpunim ndërkombëtar

Ndërsa në botë numri i të infektuarve ka koronavirusi ka kapërcyer shifrën e 1 milion rasteve, rreth gjysma e tyre janë në Europë.

Spanjë: më shumë se 800 viktima çdo 24 orë për 6 ditë rresht

Në Spanjë ka më shumë se 112,000 infeksione dhe për të gjashtën ditë radhazi janw regjistruar më shumë se 800 vdekje çdo 24 orë. Sidoqoftë, qeveria beson se ekziston një arsye për të shpresuar: transmetimi i infeksionit po ngadalësohet. Në vend deri tani ka 10.348 viktima kurse numri i të shëruarve është 26.743.

Gjermania ka tejkaluar Kinën teksa deri tani ka 84.794 të prekur nga koronavirusi. Numri i vdekjeve në vend ka shkuar në 1.107 kurse të shëruarit janë 22.440.

Në Gjermani mbetet shqetësues fakti i infektimit të personelit mjekësor teksa mbi 2300 prej tyre janë testuar pozitiv me koronavirus

Francë totali atyre që kanë rezultuar opozitiv është rritur në 59.929 teksa në vend viktimat janë 5.398 kurse numri i të shëruarve është rritur në 12.548. Në vend në 24 orët e fundit u regjistruan mbi 470 kurse autoritetet janë shprehur se gjendja në kujdesin intensiv është e vështirë

Mbretëria e Bashkuar, e vonuar në masat e izolimit social dhe kufizimet për të frenuar përhapjen e infeksionit, ka regjistruar një total prej 34.173 të prekur nga Covid-19,

kurse numri i atyre që kanë humbur jetën është rritur në 2.926.

Rezoluta e OKB

Asambleja e Përgjithshme e OKB ka aprovuar një rezolutë përmes së cilës kërkon "bashkëpunim ndërkombëtar" dhe "multilateralizëm" për të luftuar koronavirusin.

Teksti i kundërshtuar nga Rusia dhe nga katër vende të tjera, nënvizon gjithashtu "nevojën për të respektuar plotësisht të drejtat e njeriut" dhe denoncon "të gjitha format e diskriminimit, racizmit dhe ksenofobisë në përgjigjen ndaj pandemisë.

Ora 09:02
Koronavirusi, në Itali më shumë dritë në kurbën e grafikut të Covid-19. Edhe në jug ngadalësohen numrat e infeksioneve

Në kurbën e grafikut të epidemisë në Itali duket se ka më shumë dritë se hije pasi edhe pse janë bërë më shumë teste ditë pas ditë, shtimi i të infektuarve me Covid-19 është më i ulët: vetëm 1 pozitiv për çdo 8.5 teste të kryera. Edhe numri i të shëruarve po rritet çdo ditë por ende ka shumë të vdekur (13.915) kurse numri i të infektuarve ka shkuar në 115 242 kurse të shëruarit janë 18 278

Edhe në Lazio situata në thelb e qëndrueshme. Rritja e infeksioneve në Jug po vazhdon të ngadalësohet, me përjashtim të Campania.

Shumë e rëndësishmë është ulja e presionit në sallat e reanimacionit. Sipas autoriteteve, nga 27 marsi kanë qenë më pak pacientë që kanë patur nevojë për kujdesin intensiv dhe kryesore tani është ruajtja e masave të izolimit dhe zbatimi i tyre në mënyrë që ulja e shifrave të vazhdojë normalisht.

Ora 08:55
Koronavirusi, vaksina ‘PittCoVacc’ do të jetë një fashë me 400 mikro gjilpëra që do vendoset mbi lëkurë (VIDEO)

Në Universitetin e Pittsburgh, është në studim një vaksinë e llojit bandazh (mbi lëkurë) kundër koronavirusit, e cila tashmë ka kaluar testet e para mbi minjtë te të cilët pas vaksinimit u prodhuan antitrupa specifikë kundër koronavirusit dhe që brenda një muaji mund të hyjë në fazën e pare të eksperimentimit mbi njerëzit.

Ndërsa rezultatet e testit u botuan në revistën ‘EBiomedicine’ (Lancet), mendohet se vaksina do jetë e lirë, e thjeshtë dhe mund të prodhohet shpejt në një shkallë të madhe.

E quajtur ‘PittCoVacc’ vaksina ka madhësinë e një maje gishti dhe që vendoset mbi poret e lëkurës, ka 400 mikro gjilpëra që nuk hyjnë thellë në lëkurë dhe që në 2-3 minuta shkrihen, pa dhimbje dhe pa gjakderdhje, duke lëshuar antigjenin, proteinën e veçantë e quajtur ‘spike’ dhe gjeneron antitrupa të mjaftueshëm për të luftuar koronavirusin brenda tri javësh. (Proteina "spike" është një lloj çelësi që virusi përdor për të hyrë në qeliza dhe nëse bllokohet ky çelës mund të ndalohet virusi).

Zgjedhja e këtij sistemi vaksinimi ka të bëjë me faktin se lëkura është pengesa e parë e trupit tonë kundër viruseve dhe baktereve dhe për këtë arsye edhe ruhet mirë nga sistemi imunitar.

Prodhimi i vaksinës po i nënshtrohet  hulumtimit ekzaminues të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave dhe nëse studiuesit  marrin autorizimin prej saj, brenda një muaji do ta testojnë atë te njerëzit, duke shmangur testet mbi majmunët pasi edhe vaksina të tjera i kanë shmangur testet mbi këto kafshë.

Shpresa e shkencëtarëve është që të kryejnë fazën e parë të eksperimentimit në një kohë shumë të shkurtër, brenda 6-8 javësh ata mund të kenë indikacionet e para mbi efektivitetin e saj.

Sipas shkencëtarëve kur bëhet fjalë për një vaksinë të këtij lloji, disa vullnetarë janë të mjaftueshëm për të parë nëse ka një përgjigje imune, por edhe një mostër gjaku është e mjaftueshme dhe se brenda pesë muajve mund të fillojë prodhimi i saj në masë të gjerë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 03/04/2020 09:15

    Ky eshte qellimi, të shkaterrojne popujt ti derrmojne e ti bejne skllevër !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?