Mbretëria e Bashkuar ka marrë 300 ventilatorë nga Kina për të ndihmuar përpjekjet e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në trajtimin e pacientëve që janë infektuar me koronavirus. Lajmi është bërë me dije të shtunën nga Ministri i kabinetit të Mbretërisë së Bashkuar, Michael Gove.
"Ne kemi qenë duke blerë ventilatorë nga partnerë jashtë vendit, përfshirë Gjermaninë dhe Zvicrën, ndërsa sot mbërritën edhe 300 ventilatorë të rinj nga Kina," u tha Gove gazetarëve gjatë një konferencë në Downing Street.
Përveç rritjes së aftësisë së NHS për të vendosur ventilatorë invazivë, Gove konfirmoi që qeveria po punon gjithashtu për të siguruar ventilatorë jo invazivë për spitalet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, duke përfshirë një pajisje të re dhe klinikisht të aprovuar të zhvilluar nga University College London (UCL) .
"Ne kemi siguruar një kapacitet të ri me ndihmën e prodhuesve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë punuar me ritme të shpejta për të zhvilluar teknologji të reja," tha Gove. "Një ekip nga University College London, duke punuar me Mercedes Benz, kanë prodhuar një pajisje të re e cila është aprovuar klinikisht."
Sipas Gove, UCL ishte në gjendje të prodhonte 250 pajisje të premten.
Kujtojmë se deri tani, Britania e Madhe ka shënuar 4,320 viktima nga COVID-19, ndërsa 42,479 persona janë të infektuar dhe 215 të tjerë të shëruar.
Lajmi kryesor: