Situata e shkaktuar si pasojë e përhapjes së Koronavirus, ka ndalur edhe punën e ligjvënësve. Në kryesinë e Kuvendit mund të gjesh vetëm administratën. Komisionet janë anuluar, në kuadër të masave për të shmangur grumbullimet, por Report tv mëson se që pas publikimit të rasteve të para të të prekurve me koronavirus deputetët nuk janë paraqitur në kryesinë e Kuvendit.
Disa prej tyre qëndrojnë në vetëizolim, ndërsa disa të tjerë i kemi parë pranë zgjedhësve të tyre në nevojë, referuar publikimeve që bëjnë në rrjetet sociale.
Por ka edhe deputetë me profesion mjekë të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së ministrisë së Shëndetësisë për të dhënë kontribut në vijën e parë të rrezikut, për kurimin e të infektuarve me Covid 19.
Thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar të gjithë mjekëve të licencuar, i janë përgjigjur pozitivisht pesë deputetë: Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho”, duke u bërë ndër personat e parë që aplikojnë për t’u bërë pjesë e nismës.
Edhe puna virtualisht ka qenë një opsion për deputetët. Dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, pasi bënë kërkesën për të shtyrë reformën zgjedhore deri në fund të prillit, u shprehën se do të vendosin të punojnë dhe komunikojnë virtualisht, deri në kalimin e situatës së koronavirusit.