Koronavirusi/ Me 793 viktima në 24 orë, Italia në ditët e saj dramatike. Piku i infeksioneve ndoshta pas 2 javësh. 11,942 të vdekur në të gjithë botën

21 Mars 2020, 09:12| Përditesimi: 21 Mars 2020, 19:41

  • Share

Ka arritur 12,755 numri i të vdekurve nga koronavirus në të gjithë botën, ndërsa mbi 297 mijë persona janë konfirmuar deri tani të infektuar.

E shtuna është kthyer në një tjetër ditë të zezë për Italinë sot, ndërsa 793 persona kanë ndërruar jetë gjatë 24 orëve të fundit duke shpurë në 4,825 numrin e viktimave. Ky është numri më i lartë i të infektuarve brenda një dite, i arritur deri tani. Sipas të dhënave të fundit nga autoriteti shëndetësor ka arritur në 53.578 numri i përgjithshëm i të infektuarve. Një rreze drite në errësirën që ka kapluar vendin ditën e sotme ishte numri i përgjithshëm i të shëruarve, 943 duke kaluar numrin e të vdekurve 793.

Po ashtu, rritje numri i viktimave dhe të infektuarve ka shënuar edhe në vende të tjera të Evropës dhe jo vetëm. Sipas të dhënave, Covid-19 ka shënuar 1,375 viktima deri tani në Spanjë,  75 në Gjermani, 450 në Francë, 179 të vdekur në Britaninë e Madhe, 13 në Greqi, po ashtu SHBA ka shënuar 278 viktima, Turqia 9 vdekje, ndërsa Irani 1,556. (Per me tepër klikoni këtu për të parë hartën).

Ndërkaq, Kina sot ka shënuar 41 të infektuar të rinj. Sipas raportimeve nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në vend, të gjitha rastet kanë qenë të importuara nga jashtë.Komisioni Kombëtar i Shëndetit shprehet se 7 viktima janë shënuar në Hubei, teksa 106 persona janë ende të dyshuar si te infekuar.

 

Ora 00:14
Koronavirus/ Kriza shëndetësore detyron Texas t'iu jap përkohësisht leje ushtrimi profesioni infermierëve të pa licensuar, Abbott: Kemi nevojë për profesionistë

1584832948_Screenshot11.jpg

Kriza shëndetësore pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit ka detyruar Texasin të lëshojë leje të përkohshme për "infermierët që duhet të marrin ende provimin e licencimit", si dhe të pezullojnë rregullore të tjera për studentët për shkak se iu nevoitet ndihma e tyre në një përgjigje të shpejtë ndaj koronavirus. Lajmi është bërë me dije një deklarate për shtyp ditën e djeshme nga guvernatori i këtij shteti, Greg Abbott.

Abbott po lejon "infermierët me licenca joaktive ose infermierët në pension të riaktivizojnë licencat e tyre", thuhet në njoftim.

Studentët infermierë në vitin e tyre të fundit do të lejohen të "përmbushin objektivat e tyre klinikë duke tejkaluar kufirin 50% të përvojave të simuluara", shtohet lëshimi.

"Në javët dhe muajt e ardhshëm, Texas do të vazhdojë të shohë një nevojë në rritje për profesionistët e mjekësisë për të na ndihmuar të përgjigjemi në këto kohë unike dhe sfiduese”, është shprehur Abbott.

Ora 23:10
Ra në kontakt me një të infektuar, Numri 2 i Shtëpisë së Bardhë dhe gruaja e tij do të testohen për koronavirus

1584828865_mikepencekarenpence.jpg

Zëvendës Presidenti amerikan Mike Pence së bashku me bashkëshorten e tij Karen do të testoheshin për koronavirus. Lajmin e bëri me dije vetë zv/ Presidenti gjatë një konference për shtyp. Pence do të testohet pas dyshimeve se një nënpunës i zyrës së tij ishte testuar pozitivisht.

Në komunikatën e ditës së sotme, Pence tha se më shumë se 195,000 amerikanë janë testuar për virusin. Ai vuri në dukje se numri nuk përfshin spitalet e qarqeve ose laboratorët e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin. Sipas tij, deri tani, vetëm 19,343 teste janë rikthyer pozitive.

Katie Miller, sekretarja për shtyp e numrit dy të administratës amerikane në një prononcim të saj më herët u shpreh se: “Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence nuk kanë pasur kontakte të ngushta me këtë person”.

Të ndodhur në kushtet e një krize shëndetësore, presidenti Trump është shprehur se Kongresi është afër arritjes së një marrëveshje për një propozim, për faturën e ardhshme të stimulit për t'u marrë me pandeminë. Sot, negociatorët e kongresit dhe të administratës hynë në një ditë të rëndësishme në përpjekjen për të vendosur më shumë se 1 trilion dollarë stimul urgjent në një ekonomi mahnitëse. Një lëvizje e tillë në kuadër të emergjencës shëndetësore do të kryhej me një konsensus, por ekzistonin ende disa pengesa të vogla me projektin që duheshin zgjidhur.

Ora 22:38
Pamje të rënda/ Spitali i mbingarkuar i Bergamos në gjendje kaosi, mjekët luftojnë dëshpërimisht me virusin, helmeta ajri pacientëve në terapi intensive

Pamjet e mëposhtme vijnë nga një spital në Bergamo, Itali. Përmes tyre vihet re se si mjekët po përpiqen të merren me krizën e koronavirusit të qytetit.

Bergamo është qyteti më i goditur nga Italia, me 4,645 infeksione. Banorët kanë qenë në një mbyllje totale që nga 8 marsi. Pamjet e rënda, që tregojnë mjekët dhe infermierët që luftojnë dëshpërimisht për të kontrolluar shpërthimin, janë marrë nga një spital në këtë qytet. Videoja tregon dhjetëra pacientë me mbulesa plastike të ventilimit mbi kokë, gjatë trajtimit te tyre në urgjencë në spitalin Papa Giovanni XXIII.

Kjo hapësirë e improvizuar si urgjencë është bërë në këtë mënyrë pasi urgjenca e rregullt është tashmë e mbushur. Që nga e Premtja në mëngjes, 4,645 njerëz nga Bergamo janë testuar pozitivë për virusin, sipas të dhënave të botuara në gazetën Corriere Della Sera, që do të thotë më shumë raste se çdo qytet tjetër në Itali. Ende nuk dihet numri i saktë i vdekjeve në këtë qytet.

Pamjet paraqesin reparte me më shumë pacientë se sa mund të trajtojnë. Stafi duket i mbingarkuar.

1584829637_aaaa.png

Kreu i spitalit të kujdesit urgjent, Dr. Roberto Cosentini, në një prononcim publik tha se: "Është një pneumoni shumë e rëndë, dhe kështu është një tendosje masive për çdo sistem shëndetësor, sepse ne shohim çdo ditë 50 deri në 60 pacientë që vijnë në departamentin tonë të urgjencës me pneumonia, dhe shumica e tyre janë aq të rënda, për të cilat duhen vëllime shumë të larta të oksigjenit. "

Dr. Cosentini shtoi se riorganizimi i dhomës është bërë dhe spitali tashmë ka arritur në 3 nivele me pacient në kujdes intensiv.

"Dhe kështu ne kemi për të riorganizuar dhomën tonë të urgjencës dhe spitalin tonë - tre nivele të kujdesit intensiv."

1584829686_5e748c96c485401daf449183.png

Shumica e shërbimeve publike të qytetit janë në krizë.Të mërkurën në mbrëmje, 15 kamionë ushtarakë italianë u panë nëpër qytet duke transportuar rreth 60 trupa nga morgu në vendet e kremrimit në 12 qytete të tjera të Italisë së Veriut pasi kryetari i Bergamo bëri thirrje për ndihmë.

Disa morgje dhe krematoriumi i vetëm i Bergamos, i cili mund të djeg 25 vetë në ditë, janë mbingarkuar.

Të ndaluara nga mbajtja e shërbimeve, kishat janë përdorur për të ruajtur arkivole. Gjimnazi në Spitalin Ponte San Pietro u shndërrua në një mort të imponuar.

1584827214_5e734455c485403449284f54.png

Banorët janë kufizuar në shtëpitë e tyre që nga 8 marsi, kur qeveria vendosi në karantinë miliona njerëz në rajonin e Lombardisë.

Faqet e pavëmendshme të gazetës nekrologjike L’Ecio Di Bergamo- që publikon njoftimet për të ndjerët- ndërsa dikur publikonte dy ose tre faqe me njoftime, tani ka rritur volumin e tyre në 10 faqe për shkak të numrit të shumtë të të vdekurve.

Të enjten, Stefano Fagiuoli, shefi i departamentit të mjekësisë së spitalit, përmes rrjeteve te tij sociale iu drejtua njerëzve duke iu kërkuar të dhuronin në GoFundMe për të ndihmuar spitalin për shkak se kapacitetet e spitalit e kishin të papërballueshëm numrin e të infektuarve.

Mes lajmit të keq, Il Messagero ka ngrohur zemrat e të gjithëve përmes një artikulli se: një foshnjë 22-ditëshe, e pranuar në spital pasi rezultoi pozitive për koronavirusin, është shëruar dhe është lejuar të shkojë në shtëpi.

Ora 21:59
Masat ndaj COVID-19/ Dr. Fauci: Jo çdo person në SHBA duhet të testohet

1584824587_b0de982cc38c4f17876ef25ee546acb4.jpg

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë këtë të shtunë theksoi se jo të gjithë amerikanët duhet të testohen për koronavirus.

Fauci vuri në dukje nëse njerëzit testohen në mënyrë të panevojshme, ata do të përdorin pajisje të rëndësishme mbrojtëse personale që mund të përdoren për ata që duhet të testohen ose kanë një rrezik më të madh.

"Jo çdo person i vetëm në Shtetet e Bashkuara duhet të testohet," tha Fauci

Fauci vuri në dukje se tani ekzistojnë pabarazitë në sasinë e pajisjeve mbrojtëse personale të disponueshme, megjithëse, "ne po punojmë shumë për ta korrigjuar atë".

Fauci gjithashtu përsëriti që mjekët duhet të ndërpresin operacionet me zgjedhje për momentin që të mos e rrezikojnë veten nga të tjerët duke përdorur pajisje mjekësore.

Ora 21:37
SHBA merr masa mbrojtëse ndaj koronavirus/ Pence jep lajmin e mirë, apel edhe qytetarëve për shtyrjen e disa procedurave mjekësore

1584823325_ea2873987dbf4de0899ebf45fb86ce8f.jpg

Zëvendës Presidenti Mike Pence njoftoi të shtunën gjatë një takimi me task forcën për koronavirusin se Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore ka bërë porosi në sasi të mëdha për maska ​​N95 të nevojshme për të luftuar pandeminë COVID-19.

"Unë jam i kënaqur t'i raportoj Presidentit sot se HHS sapo vendosi një urdhër për qindra miliona maska ​​N95, për t’i vënë në dispozicion të ofruesve të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin", tha Pence.

Më pas, Pence tregoi për nevojën për të shtyrë disa procedura mjekësore paraprake në SHBA.

"Në emër të Presidentit, ne rinovojmë thirrjen që Amerikanët të shtyjnë procedurat mjekësore selektive, përfshirë shërbimet dentare, dhe kjo është një mënyrë tjetër për t'u siguruar që furnizimet mjekësore janë në dispozicion, duke shtyrë procedurat zgjedhore mjekësore, ju po çlironi furnizuesit mjekësor, duke iu dhënë hapsirë të merren me koronavirusin ", tha ai.

Ora 20:41
Italia: Ndeshja Atalanta-Valencia rezultoi 'bombë vdekjeprurëse' për shpërhapjen e koronavirusit

1584820199_Screenshot20200321182445Facebook01300x169.jpeg

Futbolli i bashkon njerëzit, por në një kohë krize shëndetësore- me një virus vdekjeprurës që përhapet për shkak të kontaktit- bashkimi dhe festimet në grupe do të thonë infektim dhe rrezik vdekje. Kjo është ajo çka pretendohet të ketë ndodhur në krahinën e Lombardisë, vend në të cilin shpërtheu fillimisht koronavirusi.

Ajo që duhej të ishte, dhe sigurisht që ishte, një festë e madhe për tifozët e Atalanta ka shndërruar në një "bombë vdekjeprurëse", sipas të dhënave nga njësia e krizave të Mbrojtjes Civile.

Ndeshja e Ligës së Kampionëve midis Atalanta dhe Valencia në 19 Shkurt (raundi i 16) do të kthehej në të ashtuquajturën "lojë zero", pasi cilësohet si shkaktarja për përhapjen e infeksionit të koronavirusit në të gjithë Lombardinë edhe, më pas në Spanjë. 45 mijë tifozë, përfshirë italianë dhe iberianë, u mblodhën në Meazza për atë ndeshje historike.

Mediat italiane dhe burime nga Mbrojtja Civile theksojnë se virusi mund të ketë ardhur nga ndonjë tifoz, i cili tashmë kishte qenë i infektuar nga Covid-19, dhe kishte shkuar për të bërë tifo për skuadrën e tij të zemrës.  “E gjitha filloi në atë stacion metroje”, që do të transportonte tifozët, ka thënë një gazetar për Calciomercato.com. Dikush mendohet të ketë qenë i infektuar nga turma. Dhe të nesërmen në mëngjes që metroja do të përdorej nga qytetar që shkonin në punë, ka bërë shpërhapjen e virusit. Megjithatë, kjo nuk është mënyra e vetme. Tjetra mbetet tek festa.

Shumica kaluan një gotë birrë për të festuar kënaqësinë e përjetuar atë mbrëmje historike. Llojë rituali ky i cili do të kthente atë natë feste në një makth, duke shpërndarë virusin vdekjeprurës dhe gjunjëzuar gjithë veriun e Italisë, por jo vetëm.

Ora 18:33
Koronavirusi/ Një tjetër ditë e zezë për Italinë, 793 të vdekur brenda 24 orëve

1584813355_15847301541580817610koronavirusi.jpg

Ka shkuar në 4,825 numri i të vdekurve nga koronavirus në Itali, ndërsa 793 viktima janë shënuar ditën e sotme. Sipas të dhënave nga autoriteti shëndetësor, deri tani janë konfirmuar 53.578 të infektuar nga pandemia në të gjithë vendin.

Në Itali, që nga fillimi i epidemisë së koronavirus, 53.578 persona kanë kontraktuar virusin Sars-CoV-2 (6,557 më shumë se dje, për një rritje prej 13.9%). Të dhënat u bën me dije nga Mbrojtja Civile. Nga këto, 4,825 vdiqën (+793, + 19,7%) dhe 6,072 të shëruar (+943, + 18.4%). Ky është një tregues pozitiv, pasi për herë të parë deri tani numri i të shëruarve 943 kalon numrin e të vdekurve 793. Aktualisht ka 42.681 persona të konfirmuar pozitivisht me COVID-19 (duke rritur numrin në 53.578).

Janë 17,708 pacientë të shtruar në spital me simptoma; 2,857 janë në kujdesin intensiv, ndërsa 22 116 janë të karantinuar në kushte shtëpie.

Rajon për Rajon:

Lombardia 25.515 (+3.251, 14.6%)
Emilia Romagna 6.705 (+737, +12.3 %)
Veneto 4.617 (+586, +14.5 %)
Piemonte 3.752 (+291, +8.4 % )
Marche 2.153 (+172, +8.7 % )
Liguria 1.436 (+215, +17.6 %)
Campania 844 (+95, +12.7 %)
Toscana 2.012 (+219, +12.2 %)
Sicilia 490 (+82, +20.1 %)
Lazio 1.190 (+182, +18.1 %)
Friuli Venezia-Giulia 790 (+134, +20.4 %)
Abruzzo 529 (+80, +17.8 %)
Puglia 675 (+94, +16.2 % )
Umbria 462 (+67, +17%)
Bolzano 621 (+73, +13.3 %)
Calabria 235 (+28, +13.5 %)
Sardegna 330 (+37, +12.6 %)
Valle d’Aosta 313 (+49, +18.6 %)
Trento 782 (+140, +21.8%)
Molise 61 (+11, +22%)
Basilicata 66 (+14, +26.9%)

Ora 17:12
Gjendet kura për Covid 19? Trump: Ky ilaç dha rezultat! Veproni menjëherë, njerëz po vdesin

1584738890_korona.jpg

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka dhënë një shpresë të mirë për të gjithë të prekurit nga koronavirusi, ku deklaron se një kombinim ilaçesh konkretisht 'hydroxychloroquine & azithromycin' janë efektive dhe se ky ilaç do të ndryshojë të gjithë historinë e mjekësisë. Kjo është shpresa që Autoriteti i Barnave dhe Ushqimit (FDA) ka dhënë në SHBA përmes testeve të saj. Sipas Trump kjo kurë duhet të fillojë të përdoret menjëherë pasi njerëz janë duke vdekur.

"HYDROXYCHLOROQUINE & AZITHROMYCIN, të marra së bashku, kanë një shans të vërtetë për të qenë një nga ndryshuesit më të mëdhenj në historinë e mjekësisë. FDA ka zhvendosur malet. Faleminderit! Shpresojmë se këto barna do të vihen në përdorim sa më parë. Veproni shpejt, njerëzit po vdesin. Zoti i bekoftë të gjithë", shkruan Trump

Po çfarë janë konkretisht këto barna? Hydroxychloroquine përdoret për të parandaluar dhe trajtuar sulmet akute të malaries, ndërsa Azithromycin është përdorur për të trajtuar shumë lloje të ndryshme të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret, të tilla si infeksione të frymëmarrjes, infeksione të lëkurës, infeksione në vesh, infeksione në sy dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme.  

Në teste  kryera në disa pacientë në Kinë, por ende të pa miratuar zyrtarisht, këto ilaçe kanë rezultuar efikase ndaj covid 19. Azitromicina e shtuar në Hydroxychloroquine ishte dukshëm më e efektshme për eliminimin e virusit. Përdormi i tyre tek disa pacientë zhduku ngarkesën virale të covid 19.

Këto teste por dhe miratimi i presidentit Trump për të lejuar përdorimin e tyre si kurë ndaj koronavirusit duket se jep shpresa të mira se covid 19 mund t'i jetë gjetur kura ose të jemi afër një të tille.

Ora 15:52
Koronavirusi, parashikimet e Profesorit italian: Do të zgjasë për një kohë të gjatë, të paktën deri në verë

Pierluigi Lopalco, Profesor i Higjienës në qytetin e Pizës, në Itali dhe për, shumë vite ka punuar në Stokholm, ku koordinonte strategjitë e vaksinimit për Qendrën Evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, ishte ndër të parët që kuptoi se çfarë do të bëhej me koronavirusin.

I pyetur nga gazeta italiane ‘La Repubblica’ se kur Italia do ketë pikun e rritjes së infeksioneve, Lopalco thotë se për momentin nuk mund të bëhen parashikime. Ndoshat kjo situatë do të zgjasë të paktën deri në verë.

"Modelet e parashikimit për Covid-19 janë sot si parashikimi i motit. Ato janë 24 orëshe, më të mirat 48 orëshe deri maksimumi 72 orëshe. Variantet e përfshira janë aq shumë sa e bëjnë të pamundur parashikimin. Kush thotë se mund të bëj parashikime, ose ka një top kristali ose nuk di asgjë.

I pyetur se sa do të zgjasë kjo situatë pandemikë, Pierluigi Lopalco tha “ Jo pak. Parashikimi im është që masat kufizuese do të zgjasin të paktën deri në verë. Mund dhe duhet të ketë një zbutje të masave qeveritare por gjithçka do të duhet të bëhet me shumë qetësi dhe me kujdes”.

Pyetje: Por atëherë e gjithë kjo përpjekje është e kotë?

"Përkundrazi, po na kursen jetë. Numrat thonë se tashmë ka pasur një ngadalësim të infeksionit dhe mendoj se do të kemi edhe disa ditë me frenim të përhapjes. Qyteti i Milanos është një rast që padyshim shqetëson shumë. Nëse koronavirusi thyen brigjet e qyteteve metropolitane dhe qendrat urbane me një dendësi të lartë të popullsisë, atherë bëhet një problem edhe më i madhë”.

Pierluigi Lopalco tha gjithashtu se reduktimi deri në zero i kontakteve fizike sociale dhe mbyllja në shtëpi është mënyra e vetme për të fituar kohë, për të trajtuar pacientët e infektuar dhe për të shpëtuar jetë. Sa më shumë kohë në dispozicion aq më mirë. Ne jemi në gjendje ta mundim koronavirusin”.

Profesor i Higjienës tha se "Fatkeqësisht, numri i viktimave është shumë i lartë sepse virusi shkakton pneumoni të rëndë e cila mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit e brishtë. Ngadalësimi i shpejtësisë së transmetimit është për momentin arma e vetme.

Covid-19 duket shumë si ndikimi pandemik i atij të midis viteve 1918 dhe 1920 që shkaktoi 500 milion të sëmurë dhe 50-100 miliona vdekje. Masat drastike janë të domosdoshme në të kundërt koronavirusi do të lerë pas 100 milion vdekje. Ne kurrë nuk mund të pranojmë një tmerr të tillë”.

Ora 15:04
Koronavirusi/Itali, Kryebashkiaku: E domosdoshme është të rezistoni. Rënia e Milanos do ishte katastrofë

Kryebashkiaku i qytetit të Milanos në Itali, Beppe Sala iu ka bërë thirrje qytetarëve të rezistojnë dhe të zbatojnë masat e rrepta të vendosura nga qeveria e Kryeministrit Giuseppe Conte të cilat synojnë të frenojnë përhapjen e mëtejshme të infeksionit nga koronavirusi.

“Rezistoni, rezistoni, rezistoni...nëse bie Milano, do të jetë katastrofë. Kjo është beteja juaj, e jona e të gjithëve” – ishte ky videomesazhi qe kryebashkiaku i qytetit i drejtoi sot banorëve të Milanos.

Kryebashkiaku gjithashtu falënderoi milanezët që po bëjnë pjesën e tyre në këtë luftë, duke qëndruar në shtëpi. Ai gjithashtu falënderoi shumë individë privatë që kanë kontribuar në Fondin e Ndihmës e cila deri më tani ka mbledhur 5 milion €.

Ora 14:52
Koronavirusi/SHBA, Infeksioni mbërrin në Shtëpinë e Bardhë, del pozitiv zyrtari pranë zv/presidentit Mike Pence

Një pjesëtar i zyrës së nënpresidentit amerikan, Mike Pence, është infektuar me koronvirusin. 

“Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence nuk kanë pasur kontakte të ngushta me këtë person”, deklaroi Katie Miller sekretare për shtyp e numrit dy të administratës amerikane.

Katie Miller tha gjithashtu se zyra e nënpresidentit Pence ishte njoftuar të premten në mbrëmje për rezultatet e testimit të zytarit të saj.

Në deklaratë nuk u bë i ditur identiteti i këtij personi. Pence është duke udhëhequr grupin e punës të Shtëpisë së Bardhë për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.

Zyra e zëvendëspresidentit amerikan nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për detaje të mëtejshme dhe nëse Mike Pence do të kryejë një test të koronavirusit, raporton Reuters. Ndërkohë, vete presidenti Donald Trump rezultoi negative javën e kaluar nga koronavirusi.

Ora 14:23
Kina mundi infeksionin. Dalin konkluzionet e studimit të rasteve me koronavirus

Të dhënat nga Kina tregojnë se shumica e njerëzve me Covid-19 vuajnë vetëm nga simptoma të buta, kështu që shërohen

Tani që e keqja në Kinë thuajse ka mbaruar, sipas të dhënave nga autoritetet shumica e njerëzve që kontaktuan koronavirusin kanë patur simptoma të buta.

Muajin e kaluar, shkencëtarët nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikuan një punim hulumtues që analizonte të dhënat për 72,314 personat e parë të diagnostikuar me Covid-19. Epidemiologët thonë se do të duhet një kohë e gjatë për të kuptuar plotësisht mekanizmat e epidemisë së koronavirusit, por informacionet e publikuara nga shkencëtarët kinezë mund të japin disa informacione për njerëzit më të prekshëm nga virusi.

Të dhënat tregojnë se burrat dhe gratë kanë afërsisht të njëjtat shanse për tu infektuar.

Kur shkencëtarët ekzaminuan 44.672 pacientë që konfirmuan se kishin sëmundjen, zbuluan se ata ishin 106 burra dhe 100 gra.

Sidoqoftë, ndikimi i infeksionit tek burrat duket të jetë më i keq, të paktën midis atyre që ishin pjesë e këtij studimi fillestar. Ndërsa 2.8% e burrave të diagnostikuar me sëmundje nuk arritën të mbijetonin, gratë viktima ishin vetëm 1.7%.

Po sipas studiuesve, mbi 80% e të infektuarve kishin vetëm simptoma të buta. Pothuajse 14% u klasifikuan si raste serioze, ndërsa 5% në gjendje kritike.

Por edhe nëse një pakicë e rasteve janë serioze dhe kritike, shtrirja e  madhe e pandemisë ka bërë që sistemet shëndetësore në shumë vende të fillojnë të shkatërrohen.

Në Itali, qyteti verior i Bergamos është goditur aq shumë nga koronavirusi sa që po dërgon pacientë e shtruar në kujdesin intensiv po transportohen në pjesë të tjera të vendit.

Në mënyrë të veçantë, studiuesit kanë zbuluar gjithashtu se fëmijët në Kinë kanë shfaqur simptoma më pak të rënda sesa të rriturit. Një studim i botuar në internet në revistën mjekësore Pediatrics shqyrtoi 731 raste të konfirmuara dhe 1.412 të dyshuar te fëmijët me Covid-19.

Më shumë se 90% e të gjithë pacientëve pediatrikë ishin asimptomatikë, duke treguar forma të buta ose të zakonshme të sëmundjes.

Rreth 13% e pacientëve që u testuan pozitiv për virusin nuk treguan simptoma të sëmundjes.

Sidoqoftë, të dhënat nga Kina japin disa tregues se shumica e njerëzve shërohen nga sëmundja.

Në një raport situatë të lëshuar të enjten, Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se nga 80.928 raste të konfirmuara në territorin e Kinës, 70.420 njerëz u "trajtuan dhe u shëruan”  ndërsa 3,245 vdiqën. Pjesa tjetër është ende e sëmurë.

Ora 13:48
Koronavirusi, mbi 200 të vdekur në SHBA. 75 milionë amerikanë të izoluar në shtëpi. Rrugë të shkreta dhe dyqane të mbyllura (FOTO)

Rreth 75 milion amerikanë janë urdhëruar nga autoritetet të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa në vend - sipas të dhënave të fundit – ka patur tw paktwn 225 viktima ndërsa rastet e infektuar kanë tejkaluar shifrën 17.500. Ndërkohë, një anëtar i stafit tw zëvendës Presidenti Mike Pence wshtw testuar pozitiv për Covid-19.

Në foto rrugët boshe në Los Angeles

Pas New York dhe Californi-së, edhe Guvernatori i Connecticut dhe ai i New Jersey kanw urdhwruar mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo thelbësore.

Në foto një restorant i mbyllur në Los Angeles

Edhe Guvernatori i Illinois, gjithashtu ka urdhwruar 12 milionw banorwt tw qwndrojnw nw shtwpi.

Në foto një makinë policie në qendrën e shkretë të Los Angeles

Guvernatori i Nevada njoftoi mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo thelbësore, deri më 16 prill, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet si një veprim kriminal.

Në foto në Los Angeles

Guvernatori i Floridës, gjithashtu njoftoi sot masa shtrwnguese duke mbyllur restorante, bare dhe palestra.

Në foto rrugët e shkreta në Los Angeles

Ora 12:27
Koronavirusi/Itali, Ushtria përsëri në varrezat e Bergamo-s, 74 arkivole të tjerë përcillen jashtë qytetit

Kanë kaluar vetë tre ditë qëkurse një karvan mjete ushtarake përcollën për në vende të tjera 65 arkivole me trupat e viktimave nga koronavirusi, pasi në Bergamo ishin ezauruar vendet e varrimit, ushtria është rikthyer përsëri dhe ka marrë 74 arkivole të tjerë dhe i ka transportuar për në qytete të tjera.

Krematoriumi i Bergamos punon 24 orë në ditë, por nuk ka më vende.

Vetëm dje në qytet pati 48 të vdekur. Spitali Papa Giovanni XXIII, brenda dy javësh, e ka shndërruar repartin e tij të Kujdesit Intensiv në më të madhin në Europë, por nuk ka më vende.

Pacientët transferohen kudo që mund të ketë një vend të disponueshëm, po kështu edhe për varrezat, trupat e viktimave po mbahen edhe në kishat e qytetit.

Dje Mbrojta Civile Italiane njoftoi për 627 viktima të regjistruara brenda një dite të vetme duke e rritur numrin e të vdekurve në 4,032. Sipas të dhënave të fundit nga autoriteti shëndetësor rreth 4.670 persona të tjerë janë infektuar, duke çuar numrin e përgjithshëm në 37.860 persona.

Ora 10:55
Emergjenca e pandemisë - Gjendet një armë që bllokon 'motorin' e koronavirusit

Shkencëtarët studiojnë një frenues të ri të infeksionit. Koronavirus i parë si kristal, është ajo që studiuesit kanë arritur përmes riprodhimit të hollësishëm 3D, të krijojnë proteazën përgjegjëse për shumimin.

Analiza e arkitekturës 3D të kësaj proteine, e marrë falë teknologjive më të larta, do të lejojë, sipas autorëve, zhvillimin sistematik të barnave që pengojnë riprodhimin e virusit. Materiali 3D është nënshkruar nga studiuesit e Helmholtz-Zentrum Berlin für Materialien und Energie dhe Universitetit të Lübeck.

Analiza strukturore e proteinave në arkitekturën 3D mund të japë një kontribut vendimtar në prodhimin e kurave të suksesshme. Shkencëtarët mendojnë se kjo është arma e mundshme e aftë të bllokojë Covid-19.

Ajo është një molekul që lidh dhe frenon enzimën proteazë të përdorur nga virusi për të shtuar veten në  qelizat e infektuara në trupin e njëriut.

Krijimi i strukturës 3D do të ndihmojë në zhvillimin e ilaçeve të reja për të vrarë koronavirusin. Ndërkohë kompani gjigande farmaceutike, më shumë se 11 në mbarë botën, po punojnë ethshëm për krijimin e vaksinës.

 

Ora 09:56
Koronavirusi- Pse në Itali shkalla e vdekshmërisë është më e lartë se në vendet e tjera? Flasin virologët

Emergjenca e koronavirusit tani ka goditur gjithë Europën, por shkalla e vdekshmërisë së vendeve të tjera është më e ulët se në Itali.

Në Itali, në fakt, raporti midis pacientëve pozitivë me Covid-19 dhe viktimave është 8.2%, ndërsa në Gjermani dhe Austri është vetëm 0.3%. Në Gjermani aktualisht ka 15.320 te infektuar dhe 44 viktima ndërsa në Austri ka 6 viktima dhe 2.013 të infektuar. Vendet e tjera europiane gjithashtu udhëtojnë pak a shumë në të njëjtën linjë: në Norvegji, me 1.781 raste dhe 7 vdekje, vdekshmëria është 0.4%, në Danimarkë 0,5% (1,151 pozitivë dhe 6 vdekje) dhe në Zvicër pak më shumë se 1% (4,164 infeksione dhe 43 vdekje). Raporti midis pacientëve pozitivë dhe të vdekur është rritur pak në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, vende që megjithatë nuk e kanë nivelin italian, duke arritur respektivisht në 3.4%, 1.2% dhe 4.6%. Shkalla e vdekshmërisë së Britanisë është e lartë, në 5.1% por përsëri, më pak se në Itali.

Po pse ka kaq shumë ndryshime krahasuar me italianë? Një shpjegim mund t'i atribuohet moshës mesatare të popullsisë, më e lartë se në të gjitha vendet e Europës. Për më tepër, sipas ekspertëve, në Itali, numri i infeksioneve ka qenë i nënvlerësuar: shumë njerëz që e kanë kontraktuar virusin në forma të buta nuk i janë nënshtruar testit të tamponit.

Sipas një studimi të fundit, të kryer në Shenzhen në Kinë dhe i shpjeguar në gazetën italiane Corriere della Sera nga virologu gjerman Hendrik Streeck, " shumë fëmijë janë infektuar si të rriturit por zhvillojnë vetëm simptoma të buta, apo edhe pa simptoma. Nëse ndjekim këtë studim duke supozuar se vetëm 91 përqind e rasteve Covid-19 kanë simptoma të buta ose të moderuara, atëherë italianët u përqendruan vetëm në nëntë përqind të mbetur. Në Gjermani janë kryer testime në popullatë edhe  te ata me simptoma të buta.

"Që nga fillimi i epidemisë- tha presidenti i Institutit Koch, Lothar Wieler - ne kemi bërë sistematikisht teste te të gjithë të dyshuarit. Laboratorët gjermanë kanë një kapacitet prej 12,000 testesh në ditë, dhe kjo ka qenë e dobishme në kufizimin e shpërthimeve dhe uljen e kurbës së infrksioneve".

Në fund, shkalla e vdekshmërisë varet gjithashtu nga llogaritja e të vdekurve. Në Itali, njerëzit që kishin sëmundje serioze të mëparshme përfshihen në mesin e viktimave të koronavirusit.

Ora 09:48
Koronavirusi/Itali, rregullat e reja për sportet në natyrë, shëtitjet nëpër parqe dhe supermarketet

Referuar situatës së vështirë me të cilën po përballet Italia, kryeministri Giuseppe Conte ka nxjerrë një urdhëresë me 7 pika që përcaktojnë ndalime të tjera sociale si masa shtësë që tentojnë të frenojnë përhapjen edhe më shumë të infeksioneve nga Covid-19.

Masat e reja i shtohen atyre të dekretit qeveritar të 25 marsit ku u vendos mbyllja e bareve, restoranteve dhe dyqaneve në të gjithë Italinë si dhe limitimi i lëvizjeve të popullatë. Masa parashikonte daljen nga banesa vetëm për arsye të vërtetuara pune dhe nevoja ekstremisht të domosdoshme familjare.

Masat e reja konsistojnë:

1. Supermarketet mbesin të hapura gjatë fundjavës

Qendrat tregtare, supermarketet dhe dyqanet që shesin ushqime do të jenë të hapura në fundjavë. Kufizimet e kërkuara nga disa guvernatorë nuk u pranuan nga qeveria me arsyetimin se mbyllja e supermarketeve të shtunën dhe të dielën do të sillte kaos. Mbetet në fuqi rregulli i ruajtjes së distancës në ambjentet e jashtme dhe të brendshme të supermarketeve si dhe rekomnadimi për të mbajtur doreza dhe maska.

2. Zyra publike dhe private

Zyrat publike mbesin të hapura. Për zyrat private, mbetet kufizimi i orarit të reduktuar si dhe rekomandimi për të punuar online.

3. Parqet: Kufizime për shëtitje, koha dhe distanca

Urdhri i lëshuar nga qeveria ndalon hyrjen e publikut në parqe, vila, zona lojrash dhe kopshte publike. Dispozita shërben për të parandaluar lëvizjen e njerëzve për të parandaluar që ata të kalojnë kohë të madhe jashtë shtëpisë. Shëtitjet me kafshë shtëpiake lejohen vetëm pranë ambjenteve të banesës në një kohë të kufizuar.

4. Sportet në natyrë pothuajse të ndaluara

Kufizime të reja janë përcaktuar edhe për sportet në natyrë, përfshirë vrapimin. Sipas urdhëresës qeveritare  "nuk lejohe lojrat ose rekreacionet në natyrë". Vendimi i qeverisë italaine "lejon aktivitete individuale motorike” afër shtëpisë, si vrapimi, por gjithmonë duke ruajtur distancën sociale prej të paktën një metër nga çdo person tjetër”. Nuk lejohet praktikimi i sporteve në parqe jashtë qytetit.

5. Bare dhe autogrill

Masat e reja urdhërojnë mbylljen e bareve të vendosura brenda stacioneve hekurudhore dhe liqeneve, si dhe në zonat e shërbimit dhe karburantit, me përjashtim të atyre që ndodhen përgjatë autostradave.

6. Shtëpitë e dyta

Urdhëresa synon të parandalojë njerëzit të lëvizin, veçanërisht gjatë fundjavave ose festave. Në masat e reja parashikohet ndalesa për të frekuentuar shtëpitë e dyta që përdoren për pushime për ata që kanë një të tillë.

7. Kontrolle në rrugë

Me urdhër të Ministrisë së Brendshme, do të intensifikohen kontrollet në pikat e kontrollit dhe do të shtohen patrullimet (për këtë mund të përdoren edhe forca të ushtrisë). Masa e fundit synon të ulë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve sidomos në fundjavë.

Dje për Italinë ishte një ditë dramatike teksa numri i viktimave nga koronavirusi u rrit në 4,032 ndërsa 627 persona  ndërruar jetë brenda 24 orëve. Ky është numri më i lartë i të infektuarve brenda një dite, i arritur deri tani. Sipas të dhënave  nga autoriteti shëndetësor rreth 4.670 persona të tjerë janë infektuar, duke çuar numrin e përgjithshëm në 37.860 persona.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?