COVID-19/ Manastirliu: Rritje e qëndrueshme e rasteve, masat nuk ndryshojnë! Mësimi në universitete vijon online! Fluturimet me Britaninë të pezulluara deri më 1 shkurt

16 Janar 2021, 13:56| Përditesimi: 16 Janar 2021, 17:10

  • Share

Masat anti-COVID në Shqipëri do të vijojnë të mbeten të njëjta. Ky është vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve të shëndetësisë të cilët e bënë të ditur këtë të shtunë gjatë një deklarate për shtyp. Në fuqi do të qëndrojë orari i kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 - 06:00 si për qytetarët ashtu edhe për aktivitetin e bizneseve, bareve e restoranteve.

Ndërkohë do të vijojë funksionimin vetëm shërbimi në shtëpi 'delivery' gjatë kësaj periudhe kohore. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se universitetet do të vijojnë mësimin online deri në një urdhër të dytë. Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, Sindikata e Përfaqësuesve të Universiteteve në Shqipëri përmes një letre drejtuar qeverisë kërkonin vaksinimin e stafeve akademike dhe rikthimin e studentëve në auditore.

Ministrja Ogerta Manastirliu tha se gjatë dy javëve të fundit është vënë re një rritje e qëndrueshme e rasteve pozitive me COVID-19 e cila nuk paraqet probleme. Ajo tha se kjo situatë është e kuptueshme dhe vjen për shkak të festave të fundvitit. Gjithashtu ajo tha se ka pësuar një rritje dhe numri i shtrimeve në spitale.

"Përsa i përket situatës epidemiologjike, komiteti duke ndjekur situatën mbi baza ditore e javore ka vlerësuar një rritje të incidencës 2 javore që ka pësuar rritje në 14 ditët e fundit. Një rritje që është 217 raste të reja për 100 mijë banorë nga 2-15 janar. Kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki duke u rritur numri i bashkive që ka raste të reja nga 44 në 50 bashki me një mesatare të përjavshme prej rasteve të cilat vlerësohen që kanë numra të rritura. Përsa i përket numrit të pacientëve të shtruar, ballafaqohemi me një rritje të rasteve. Rritja është e qëndrueshme, nuk është alarmante. Është një situatë që tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës. Numrat të pacientëve të shtruar në spital ka pësuar rritje me një mesatare prej 273 shtrimesh në 14 ditë. Në radhët e terapisë intensive ka pësuar një rritje. Duke bërë një vlerësim të pozitivitetit në raport me testimet, në të gjithë vendin vijon testimi në komunitet për të izoluar çdo rast në kohën e duhur. Rritja e numrit të testimit, përmes testimit të shpejtë, vlerësohet një rritje e qëndrueshme e pozitivitetit. Kjo kërkon që qytetarët të bëjnë kujdes. Efekti i rritjes së qëndrueshme vjen dhe si efekt i festave të fundvitit nga mbledhjet familjare gjatë kësaj periudhe. Do vijojmë të kemi në zbatim masat që tashmë janë dhe që kanë dhënë impakt dhe që ka dhënë efekt.

Edhe fluturimet me Britaninë e Madhe do të vijojnë të qëndrojnë të pezulluara deri më datë 1 shkurt për shkak të shfaqjes së variantit të ri COVID.

“Fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt. Më pas do të kemi një rivlerësim mbi këtë vendim”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli edhe për rastin e sanitares Tire Alldervishi , e cila u hoq si infermiere dhe u mori 8 mln lekë familjarëve të një pacienti të shtruar me COVID te Shefqet Ndroqi. Manastirliu tha se ky është një rast i neveritshëm dhe inkurajoi qytetarët që të denoncojnë raste të tilla. Ajo tha se ka ngritur një grup për hetim të thellë administrativ pasi ky rast goditi edhe marrëdhënien mjekë-pacientë që është duke u kuruar me përmirësimin e shërbimit.

Manastirliu tha se marrëveshja me Pfizer për vaksinën do të zbatohet dhe se 10.000 mijë doza do të mbërrijnë brenda janarit. Gjthashtu ajo tha se qeveria shqiptare po pret përgjigje nga platforma COVAX për mbërritjen e vaksinave të tjera.

Ora 16:19
Manastirliu: Kemi siguruar vaksina anti-COVID për rreth 800 mijë qytetarë (1,6 mln doza) nga Pfizer dhe COVAX

1610810632_manastirliu.jpg

Duke folur për vaksinën antiCOVID, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se deri tani qeveria ka siguruar vaksinën për 800,000 qytetarë, pra 1,6 milion doza, nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

“Brenda Janarit, sipas kontratës që kemi me Pfizer, mbërrijnë mbi 10 mijë dozat e para të parashikuara, më pas vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar. Ndërkohë javën që vjen, presim një njoftim nga COVAX për kohën e mbërritjes së dozave të para. Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani vaksinën anticovid për rreth 800 mijë qytetarë (1,6 mln doza) nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX, ndërkohë që jemi në negociata të tjera për të patur akoma më shumë sasi të vaksinës”, tha Manastirliu.

Ora 14:23
Vaksina COVID, Manastirliu: Kontrata me Pfizer do zbatohet, mbi 10.000 doza do vijnë brenda janarit! Presim përgjigje nga COVAX

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë konferencës për shtyp këtë të shtunë u shpreh se marrëveshja me Pfizer për vaksinën do të zbatohet dhe se 10.000 mijë doza do të mbërrijnë brenda janarit. Gjthashtu ajo tha se qeveria shqiptare po pret përgjigje nga platforma COVAX për mbërritjen e vaksinave të tjera.

"Ashtu sikurse jeni në dijeni, ne kemi filluar vaksinimin me mjekët e frontit të parë. Jemi në pritje të vaksinave që priten të mbërrijnë brenda muajit janar nga marrëveshja me Pfizer dhe nga COVAX. Javën tjetër mund të kemi një përgjigje në këtë platformë të COVAX për të mësuar mbi kohën kur do vijnë. Kemi shpresa që dhe nga kjo platformë ku kemi parapaguar 4 mln dollarë, ku do të vaksinojmë 500 mijë qytetarë. Nëpërmjet marrëveshjes me Pfizer presim 500 mijë doza dhe vijojmë në fund të janarit.

Ne jemi besimplotë që kontrata me Pfizer do zbatohet sipas afateve të parashikuara ku përshkruhet se ardhja e 10 mijë dozave do bëhet brenda janarit. Përsa i përket vaksinimit të 4 spitaleve ne po vijojmë. Janë rreth 1000 punonjës në 4 spitale. Janë 5000 mjekë dhe infermierë që janë më të ekspozuarit në vendin tonë, në reanimacione, urgjenca kombëtare. Me të përfunduar do kemi dhe një vaksinim të kombinuar. Ekziston dhe një kategori e riskuar, në shtëpitë e të moshuarve, ata që kanë sëmundje shoqëruese, po bëhet punë për identifikimin e tyre. Dua që tju bëjë të ditur që nuk do ketë vetëm një qendër vaksinimi. Do kemi qendra të tjera në qendra të tjera të vendit" - tha Manastirliu.

Ora 14:18
Skandali 'Tire' tek COVID2, Manastirliu: Rast i neveritshëm nga këto batakçinj! Kemi ngritur grup pune për hetim të thellë administrativ

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli edhe për rastin e sanitares Tire Alldervishi , e cila u hoq si infermiere dhe u mori 8 mln lekë familjarëve të një pacienti të shtruar me COVID te Shefqet Ndroqi. Manastirliu tha se ky është një rast i neveritshëm dhe inkurajoi qytetarët që të denoncojnë raste të tilla. Ajo tha se ka ngritur një grup për hetim të thellë administrativ pasi ky rast goditi edhe marrëdhënien mjekë-pacientë që është duke u kuruar me përmirësimin e shërbimit.

“Këto nuk janë ditë të këqija por të mira për sa herë që një qytetar bën një denoncim me fakte dhe na jep ne mundësinë të pastrojmë sistemin. Ashtu siç kemi dhe pamë rastin e qytetarit që denoncoi mund të kemi edhe raste të tjera që nderojnë bluzën e bardhë. Inkurajoj gazetarët dhe qytetarët të denoncojnë rastet dhe të shkojnë deri në fund qofte edhe indicieve më të vogla. Do të kenë mbështetjen tonë të pakursyer. Unë kam ngritur një grup pune nga MSH që do të kryej një investigim të plotë administrativ dhe verifikim të çdo akuze në spitalin COVID2. Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, mos bini pre e askujt, informoni autoritete nëse iu cenohet e drejta për shërbim apo ka diçka që nuk shkon në kryerjen e detyrës dhe marrjen e shërbimit. Sistemi nuk është i përsosur, ka batakçij të këtij lloji që shkel besimin e familjarëve që i ka lënë në duart jetën e të afërmit të tij dhe kjo është e neveritshme dhe meriton ndëshkim maksimal ashtu sikurse ka ndodhur. Ata na bëjnë një dëm shumë të madh pasi na godasin një marrëdhënie mjekë-pacientë që ne jemi duke e kuruar. Toleranca do të jetë zero në çdo strukturë dhe ndëshkimi do të jetë maksimal”, tha Manastirliu.  

Ora 14:05
Mësimi në universitete, Manastirliu: Do vijojë online deri në një urdhër të dytë

Pavarësisht kërkesës nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ndaj qeverisë për vaksinimin e stafeve akademike dhe rikthimin e studentëve në auditor, ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se mësimi online në Universitete do të vijojë online deri në një urdhër të dytë.

"Puna në 4 spitalet vijon pa ndalur në shërbim të qytetarëve dhe rasteve, ne kemi siguruar të gjithë kapacitetet e nevojshme dhe furnizimet me barna dhe materiale mjekësore në mënyrë që bluzat e bardha të kenë kapacitete e nevojshme për të trajtuar pacientët. Spitalet rajonale vijojnë vijojnëë të kryejnë triazhin në të gjithë strukturat e tyre, ku përveç tamponit bëhet dhe testi i shpejtë. Vijon puna për të gjithë procesin që e kemi nisur të vaksinimit, të mjekëve dhe infermierëve në frontin e parë të luftës COVID. 369 mjekë e infermierë janë vaksinuar ku më pas do të shkojmë te shtëpitë e azileve dhe për të vijuar më pas me të moshuarit mbi 75vjeç duke vijuar me vaksinimin e kombinuar. Për universitetet, mësimi online do të vijojë të qëndrojë i tillë deri në një urdhër të dytë.

Ashtu sikurse, Silva Bino jua shpjegoi, mund tju përsëris se ky vendim përsa i përket universiteteve vjen bazuar në disa të dhëna epidemiologjike ku kemi një rritje të rasteve pozitive në grupmoshën e re. Kjo na çon në një vendimarrje për të bllokuar përhapjen e virusit në këtë grupmoshë. Nëse do kemi grumbullim të rinjsh në sallat e universiteteve, do kemi rritje. Me të dhënat që kemi është vlerësuar nga Komiteti i Ekspertëve që mësimi të vijojë online. Kjo mund ta shihni dhe në vendet e tjera. Dhe universitetet kanë pasur kohë për përgatitjen e platformave online. Vendimi është deri në një urdhër të dytë, do ketë vlerësim në baza epidemiologjike. Ajo çfarë është fokusi ynë, është shëndeti i qytetarëve. Mbi këtë nisemi kur marrim vendim." - tha Manastirliu.

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ergi: 16/01/2021 14:42

    Ky qe ka shkruar kete artikullin eshte gazetari me i mire ne bote

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?