SHBA- Një fabrikë për paketimin e mishit në Kolorado, ku dhjetëra punonjës kanë kontraktuar koronavirusin, është e mbyllur për pastrim të rrënjësishëm, dhe të gjithë punëtorët do të testohen para se të kthehen në punët e tyre, thanë zyrtarët të premten.
Sindikata që përfaqëson 3,000 punonjës në fabrikën JBS në Greeley tha në një letër drejtuar zyrtarëve të shtetit, qarkut dhe kompanisë që dy prej anëtarëve të saj kanë vdekur.
Sindikata thotë se të paktën 50 punonjës janë të infektuar nga virusi, ndërkaq zyrtarë të kompanisë janë shprehur se 36 punëtorë janë të infektuar. Kompania tha se po shpenzonte 1 milion dollarë për kite testimi.
Presidenti i sindikatës së punëtorëve, Kim C. Cordova kishte kërkuar mbylljen e uzinës për 7 ditë.
"Ne e kuptojmë plotësisht seriozitetin e mbylljes së një fabrike dhe ndikimin e saj ekonomik. Sidoqoftë, siguria duhet të ketë përparësi ndaj fitimeve," shkroi Cordova në letrën e saj. "Një vdekje është një tragjedi - dy vdekje në të njëjtën fabrikë është thjesht përtej të kuptuarit njerëzor".
Guvernatori i Kolorados, Jared Polis tha se uzina ishte e mbyllur dhe se qeveria e shtetit po punonte me zyrtarë federalë dhe lokalë për ta rihapur javën e ardhshme.