Koronavirusi prek Italinë/ Shqipëria rrit masat në kufi: 'Korridor' intervistimi, termometër me lazer e izolim provizor (VIDEO)

23 Shkurt 2020, 12:57| Përditesimi: 23 Shkurt 2020, 16:44

  • Share

Me përhapjen e koronavirusit në Italinë fqinje, në Shqipëri janë shtuar masat në pikat kufitare me dyfishimin e personelit mjekësor dhe me ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk. Në aeroportin e Rinasit, në portet e Vlorës e Durrësit, dhe në pikat e tjera në vend, janë shtuar edhe masat mbrojtëse, me dizifektues, maska, dhoma izolimi provizor pranë këtyre pikave, për t'u spostuar më tej në karantinë spitalore nëse është e nevojshme. Kontrolli i parë në kufi është përmes një aparature për matjen e temperaturës. Rastet që marrin vëmendjen e autoriteteve janë të ardhurit nga Kina, apo që kanë pasur historik me këtë shtet, ata nga Italia, por edhe vende si Gjermania, Turqia apo Vjena.

Bota në fakt, po e heq vëmendjen nga kontrollet për temperaturën në aeroporte, duke i konsideruar të padobishme, referuar edhe një investigimi të CNN. Njëjtë tha edhe shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila tha se virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Kapja në kohë e tij bëhet në radhë të parë nga vetë përkujdesja që duhet të tregojnë qytetarët duke sinjalizuar në numrin 127 për simptomat e dyshimta, vetëkarantinimi nën kujdesin e mjekëve të trajnuar, dhe nëse lind nevoja, për karantinë spitalore. Deri më tani, Shqipëria nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus, ndërsa apeli i bluzave të bardha është për të mos krijuar panik e për të ndjekur masat kryesore që rekomandohen për parandalimin e infeksionit nga koronavirusi.

Ora 13:24
Trageti në Vlorë, pasagjerët: Nuk na kontrolloi askush! Mjeku: Rastet e dyshuara merren me mjet të posaçëm (VIDEO)

Pasagjerët e zbritur nga trageti i linjës Brindizi-Vlorë, kanë folur për Report Tv ku thanë se nuk kanë pasur asnjë kontroll, por vetëm iu është dhënë një formular në traget për të plotësuar. Pas shtimit të rasteve të infektuarve me koronavirus në Itali, banorët e tragetit thanë se masat janë të kota, pasi i vetmi kontroll ishte duke i vënë dorën në ballë.

'Nuk është bërë asnjë kontroll, nuk na pyeti askush', tha një udhëtare që zbriti nga trageti.

'Për mua masat janë kot, nuk ja vlen kështu siç e bëjnë këta. Nuk na dhanë asnjë maskë, kam vënë shallin se unë jam dhe e sëmurë', tha një tjetër pasagjere.

'Na dhanë nga një cope letër në traget dhe atë e dorëzuam këtu në Vlorë, asgjë nuk na thanë', u shpreh një pasagjere.

Shefi i epidemiologjisë Vlorë, Agron Bashllari tha se pas urdhrit të ministrisë janë shtuar masat dhe kontrollet në portin e Vlorës, ndërsa foli dhe për dy shtetas italianë që vinin nga jugu, një zonë që nuk paraqet rrezik infektimi, por që iu nënshtruan kontrollit dhe rezultuan të pastër. Bashllari  tha se nëse do të evidentohet ndonjë person i prekur nga koronavirusi menjëherë do të njoftohet urgjenca kombëtare e cila do të kryej të gjitha procedurat mjekësore dhe do të bëjë transportimin e tij me mjet të veçantë.

'Në pikën kufitare të Vlorës, pika e kujdesit të Inspektoratit Shëndetësor ka shtuar masat monitoruese me shtimin e rasteve në vendin fqinj. Dhe këtu janë fuqizuar masat e kontrollit që konsistojnë në grupe pune të shtuara nga ana e jonë dhe inspektimin e pasagjerëve, u matet temperatura, kryesisht atyre që vijë nga Italia. Konkretisht sot kemi pasur 2 pasagjerë që vijnë nga jugu i Italisë , që nuk kanë lidhje me Lombardinë e prekur në veri, dhe nuk mund t'i klasifikojnë si raste të dyshuara, por janë në ndjekje nga struktura mjekësore. Ai person që është i dyshuar njoftohet urgjenca kombëtare qe me mjet të posaçëm transportohet drejt një strukture të posaçme për të për kryerjen e analizave dhe identifikimin e të gjitha kontakte që ai ka pasur dhe nëse është e nevojshëm dhe kryera e analizave për personat e tjerë që kanë kontaktuar me rastin e dyshuar', tha Bashllari

Në portin e qytetit prej të hënës do të ngihet një ekip me mjek të specializuat të cilët do të kryejnë vizitat mjekësore të pasagjerëve të huaj, italian dhe atyre me kombësi aziatike në traget pa i lejuar këta të fundit të zbresin në port. Vlora është pika lidhëse me Brindisin,e mundësitë janë të mëdha,që persona të prekur të hyjnë nga ky port. 

Ora 13:06
Korridor intervistimi në Rinas për të ardhurit nga Italia, dyfishohet stafi mjekësor! Çfarë thonë të sapombërriturit nga shteti fqinj? (VIDEO)

Në aeroportin e Rinasit është dyfishuar personeli mjekësor, ashtu si në çdo pikë kufitare.

Lorenc Harshova, shefi i Njësisë së Inspektimit Shëndetësor në Rinas, tha se për të ardhurit në vendin tonë, veçanërisht nga Italia, dhe shtetet me risk, është krijuar një korridor intervistimi, përpara se të shkohet në policinë kufitare për 'vulosjen' e pasaportës. Aty, shpjegoi Harshova, pyeten një më një të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia, nëse kanë shfaqur probleme shëndetësore, nëse kanë pasur kontakt me kinezë apo udhëtime drejt Kinës së fundi, ndërsa më tej u bëhet edhe matja e temperaturës me termometër me lazer.  Ai tha se nga kontrollet deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar me koronavirus. Kur ka dyshime, në aeroport qëndrojnë në një dhomë izolimi për disa orë pasi të vijnë mjekët e Urgjencës Kombëtare.

Harshova shtoi se të gjithë kinezët që kanë hyrë në Shqipëri, janë intervistuar, janë skeduar, dhe u janë marrë edhe adresat se ku do të qëndrojnë në dy javët e ardhshme nga mbërritja në Shqipëri, për t'u mbajtur nën kontroll brenda periudhës që koronavirusi shfaq simptomat.

Shefi i Njësisë së Inspektimit Shëndetësor në Rinas tha se jo vetëm stafi mjekësor, por edhe policia kufitare janë të pajisur me dizifektantë. "Jemi të sigurtë", theksoi ai.

Në aeroportin e Rinasit, janë shpërndarë fletëpalosje për të informuar qytetarët, ndërkohë që është i shpalosur edhe numri i gjelbër 127, i urgjencës kombëtare ku çdo qytetar mund të telefonojë nësë ndjen se ka probleme shëndetësore që i përngjasojnë simptomave të koronavirusit. 

Por çfarë thonë për mikrofonin e Report Tv vetë udhëtarët të cilët sapo kanë zbritur në Rinas nga linja të Italisë?

Disa thonë se i janë nënshtruar kontrolleve të temperaturës dhe intervistimit, e të tjerë jo. Madje disa thonë se nuk janë kontrolluar as në Itali, prej nga kanë ardhur.

"Nga Itali, jo nuk na bënë kontrolle, fare, asgjë nuk na vendosën. As në Itali nuk na bënë.

Nuk na kontrolluan.

Nga Milano vijmë, na kontrolluan por nuk na thanë gjë. Na kontrolluan vetëm në ballë për temperaturën. Nuk kemi frikë.

Na matën temperaturën, por nuk na morën ndonjë të dhënë", thonë disa prej udhëtarëve.

Ora 11:18
Shtohen masat në Morinë për koronavirusin, mjeku: Kemi gati karantinën për çdo rast (VIDEO)

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për dyfishimin e personelit mjekësor dhe kontrolleve në pikat kufitare është vënë në praktikë në pikën doganore të Morinës. Dy ekipe mjekësh monitorojnë situatën në 24 orë, ndërsa shprehen se ata kanë infrastrukturën e duhur për identifikimin e rasteve, ku fatmirësisht prej një muaji që janë në vëzhgim të pasagjerë që hyjnë dhe dalin, nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar. I pyetur nga Report Tv, mjeku Fatjon Zeneleaj, epidemiolog pranë njësisë vendore të shëndetësisë Kukës, tha se situata është nën kontroll dhe se ka pasur hyrje të shtetasve kinezë nga zonat  e prekura, por gjatë muajve të fundit nuk kanë udhëtuar në Kinë dhe për këtë arsye kanë rezultuar të pastër nga koronavirusi. Gjithashtu ai tha se në doganë ndodhet gati dhe dhoma e karantinës nëse do të ketë raste dyshuese se janë prekur nga virusi vdekjeprurës.

'Ne ndodhemi këtu prej një muaji në pikën doganore të Morinës, monitorojmë situatën me dy grupe në 24 orë. Pas shfaqjeve të rasteve në Itali, Task Forca ka vendosur të dyfishojë personelin në pikat kufitare dhe kjo gjë ka ndodhur. Kontrollet janë të vazhdueshme ndërsa i kushtohet më shumë rëndësi personave që vijnë nga harta e zonave të prekura. Deri tani nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar. Ne jemi pajisur nga Ministria e Shëndetësisë me maska, termometrin për matjen e temperaturës në distancë, kemi gati dhomën e karantinës për çdo rast dyshimi, nuk na mungon gjë, kemi infrastrukturën e duhur. Kemi pasur ardhje të personave nga zonat e prekura, por nuk kemi pasur raste që kanë shfaqur koronavirus. Kemi pasur edhe shtetas kinez, por që nuk kanë udhëtuar nga Kina gjatë muajve të fundit', tha mjeku Zenelaj.

Në pikën kufitare të Morinës, prej një muaji ndodhet personel mjekësor që kontrollojnë personat që vijnë nga harta e zonave të infektuara. Morina mban numrin më të lartë të hyrje-daljeve në shkallë vendi për vetë pozicionin gjeografik me Kosovën por edhe në rajon.

Ora 09:03
Koronavirusi/ 340 pasagjerë nga Bari në portin e Durrësit kontroll në distancë me termometër! Asnjë rast i dyshuar (VIDEO)

Në orën 7:40 trageti i linjës Bari-Durrës mbërriti në qytetin bregdetar shqiptarë, me 340 pasagjerë. Report Tv ndoqi nga afër proceduarat për personat që vijnë nga Italia, vend i prekur së fundi nga koronavirusi.

Në port qëndrojnë 7 mjekë të cilët paraprakisht kanë marrë një natë më parë nga autoriteti portual listën e pasagjerëve, në të cilën vërehet paraprakisht nëse ka të ardhur nga Kina apo dhe vende të tjera të prekura. Pikërisht tek këta persona fokusohet edhe kontrolli i mjekëve.

Pasi trageti hap portën, mjekët hyjnë brenda në traget dhe më termometër masin në distancë temperaturën e pasagjerëve. Mjekët kanë qëndruar brenda në traget rreth 15-20 minuta, më tej të gjithë pasagjerët kanë dalë jashtë. Kontrollet me termometër për të parë temperaturën, që është simptoma e parë që mund të lindë dyshime për të infektuar nga koronavisuri, fokusohen kryesisht tek personat që vijnë nga Kina, apo tek ata që ka informacione që mund të kenë shfaqur simptoma që të shtyjnë drejt koronavirusit. Këtë mëngjes, mjekët, kanë qëndruar në distancë teksa pasagjerët dilnin nga trageti me aparaturën që mat temperaturën në largësi për shkak se është me lazer që tregojnë rastet e dyshimta. Nga kontrollet e kryera ditën e sotme,  nuk u identifikua asnjë pasagjer me simptoma të koronavirusit.

Në raste se do ketë pasagjerë të infektuar ata do të merren të shoqëruar me ambulancën e portit dhe dërgohen në dhomën e karantinës e cila është jashtë ambientit portual në zonën e "Vollgës", për t'u kryer analiza më të detajuara.

Mjekët në Portin e Durrësit

Pasagjerët që zbresin nga trageti
G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 23/02/2020 19:50

    Mbyllni kufijte! Urgjent mbyllni kufijte! Mbyllni kufijte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?