Pak më shumë se një javë më parë, Presidenti Vladimir Putin tha që Rusia kishte përhapjen e koronavirusit "nën kontroll". Tani vendi po ndryshon taktikat, pasi autoritetet pranojnë se janë duke u përgatitur për një shpërthim të madh të Covid-19.
Në një fjalim mbarëkombëtar të Mërkurën, Putini pranoi se ishte "objektivisht e pamundur të ndalosh shpërndarjen e koronavirus" në një vend të madhësisë së Rusisë. Ai u bëri thirrje rusëve të "kuptojnë kompleksitetin e situatës" dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke deklaruar javën e ardhshme si një festë të paguar qëndrimi në shtëpi.
Putin njoftoi një numër masash për të forcuar ekonominë e vendit dhe inkurajoi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ai u la në dorë zyrtarëve të tjerë që të njoftojnë më shumë masa përfshirëse të bllokimit.
Në mëngjesin pas fjalimit të tij, qeveria ruse njoftoi se do të mbyllë kufijtë e saj dhe do të anulojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare, me përjashtim të aeroplanëve të riatdhesimit që pritet të sjellin mijëra të tjerë rusë në shtëpi nga zonat me goditje të forta.
Zyrtarë të tjerë po bëjnë përpjekje për parandalimin e përhapjes më tej të koronavirusit. Për ditë të tëra, Kremlini kishte këmbëngulur që planet për të karantinuar banorët e kryeqytetit nuk ishin pjesë e diskutimeve. Por të enjten, kryetari i Moskës Sergey Sobyanin njoftoi mbylljen e të gjitha restoranteve, kafeneve, bareve, dyqaneve dhe parqeve në kryeqytet për një javë duke filluar nga e shtuna.
Këto masa janë më të rreptat që ka parë Rusia deri më tani, pasi numrat zyrtar për përhapjen e koronavirus filluan rritjen me shpejtësi. Të enjten, zyrtarët shëndetësorë raportuan rritjen më të madhe një ditore deri më tani me 182 raste të reja, duke e çuar në 840 numrin e përgjithshëm. Tre njerëz kanë vdekur nga Covid-19, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Rrëfimi zyrtar rreth rreziqeve që sjell virusi ndaj Rusisë gjithashtu ka filluar me një zhvendosje delikate. Sërish ka qenë Moska e para e cila ka marrë masa. Zyrtarët e lartë rus fillimisht thanë që masat parandaluese, të tilla si mbyllja e kufijve me Kinën dhe testimi i njerëzve që ktheheshin nga zona të prekura keq si Irani, kanë ndihmuar në vonimin e shpërthimit.
Por vendi nuk lëvizi menjëherë për të marrë mostra nga njerëzit që vinin diku tjetër, veçanërisht Evropa. Shumica e rasteve të mëparëshme me COVID-19 në Rusi u raportua se ishin sjellë nga Italia. Këtë të martë, kryebashkiaku i Moskës, Sobyanin ndërmori hapin e pazakontë për t’i thënë publikisht Putinit që shifrat e mëparshme zyrtare ishte e mundur të jenë nënvlerësuar, pasi shumë rusë që ktheheshin nga udhëtimet jashtë vendit nuk u testuan.
"Gjysma e të gjithë personave që erdhën nga jashtë kaluan nëpër Moskë, dhe vetë Muskovitët duan të udhëtojnë", tha Sobyanin të mërkurën vonë pas fjalimit të Putinit, duke iu referuar rusëve të kamur, të cilët shpesh u pëlqen të kalojnë pushimet e pranverës në vendpushimet e skive Franceze. "Shumë njerëz kanë vizituar po ashtu Courchevel duke sjellë një valixhe virusesh nga atje."
Megjithë trajektoren alarmante të rasteve nga koronavirusi, mesazhet e politikës ruse ndaj qytetarëve janë të përziera. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve në një video-konferencë të enjten se nuk kishte nevojë për panik në Rusi.
"Nuk ka një epidemi de fakto", tha Peskov. "Dhe de-fakto situata jonë është shumë më e mirë se në shumë vende, kjo padyshim për shkak të masave që qeveria jonë ka marrë paraprakisht."
Numrat ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten shpejt, tani që testimi privat është në dispozicion në vend dhe qeveria ka lëshuar një direktivë për të testuar të gjithë që vijnë në Rusi.
Ndërkohë, profesionistët e mjekësisë po përgatiten në rast se gjërat përkeqësohen, me qeveritë lokale të nxitojnë të blejnë ventilatorë dhe të zgjerojnë kapacitetet e ICU.