Koronavirusi shtyn afatin për përfundimin e bypass-it të Fierit, Balluku: Kantieret hapur, masa për punonjësit

7 Prill 2020, 15:33| Përditesimi: 7 Prill 2020, 16:59

  • Share

Nga fillimi i majit, afati për përfundimin e punimeve në bypass-in e Fierit shtyhet për në fund të këtij muaji për shkak të situatës nga koronavirusi. Ministria e Infrastrukturës njofton se në bypass-in e Fierit po punohet me intensitet të lartë për përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme. Kompania kontraktuese, sipas njoftimit të ministrisë ka marrë të gjitha masat e sigurisë lidhur me parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, duke pajisur të gjithë punonjësit me maska dhe doreza si dhe duke respektuar distancën e përcaktuar mes punonjësve.

Ministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektoi punimet në bypass-in e Fierit për të parë nga afër masat e marra, si dhe për tu njohur me ecurinë e punimeve.

Po sipas ministrisë, përfaqësues të kompanisë ngriti si shqetësim pezullimin e punës nga ana e disa prej fabrikave në Europë të cilat furnizojnë tregun vendas me lëndët e nevojshme, një vonesë e cila do të shtyjë me disa ditë afatin e parashikuar për përfundimin e kësaj vepre.

Ministrja Balluku u shpreh se ky është një shqetësim, i cili po ndihet edhe në sektorë të tjerë, por shtoi se transporti i mallrave po vijon normalisht dhe me një koordinim më të mirë me furnitorët këto problematika mund dhe duhet të kapërcehen, sepse është i rëndësishëm vijimi i punës në kantieret ku ofrohet siguri.

“Ne kemi nisur nga 31 marsi duke kuptuar të gjithë problematikën, duke kuptuar të gjitha mungesat që vijnë në tregun e furnizimeve me mallrat e ndërtimit, nga bitumi dhe deri tek sinjalistika, megjithatë ne do mundohemi që të bëjmë më të mirën, për të arritur dhe për të rikuperuar kohën, që kemi humbur, sigurisht duke marrë parasysh problematikat, të cilat janë të mëdha në këto momente dhe që shpresojmë që do të zgjidhen për të gjithë ne”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur se pas vendimit të Qeverisë puna ka rinisur edhe në disa kantiere të tjera, teksa shtoi se fokusi kryesor mbetet siguria e punonjësve në këto kantiere duke marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Qeveria ka marrë një vendim për të lejuar kantieret që të vazhdojnë punën. Ne po vazhdojmë punën kudo. Siç po vazhdojmë në bypassin e Fierit, ashtu dhe në Rrugën e Arbrit, ashtu dhe në bypassin e Tepelenës, në të gjitha segmentet e Kardhiq-Delvinës. Edhe mirëmbajtja e rrugës po vazhdon të bëhet me rigorozitet, por na duhet të kuptojmë që të gjitha kantieret mbi të gjitha duhet të respektojnë rregullat e sigurisë që lidhen me COVID-19. Ky është prioriteti dhe më pas absolutisht duhet të mbarojmë gjithçka që kemi nisur dhe gjithçka që kemi premtuar”, u shpreh Balluku.

Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho, e informoi ministren mbi ecurinë e punimeve deri në këto momente duke theksuar se nga ana e kompanisë po punohet deri në 15 orë në ditë, me qëllim përfundimin sa më shpejt të kësaj vepre.

“Tashmë jemi në shtresat asfaltike. Në të gjithë trupin e rrugës është bërë përmirësimi shtresave. Në krahun e djathtë jemi në kuotën e binderit dhe jemi afër tapetit. Prodhohet 1400 metër kub asfalt në ditë dhe vazhdohet punohet me intensitet duke pasur parasysh dhe masat e marra për distancat e respektuara për epideminë e COVID. Supervizori i ka dhënë trajnimin e duhur stafit dhe vazhdohet puna 14-15 orë në ditë”, bëri të ditur Verdho.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë së infrastrukturës, megjithë pezullimin e punimeve për dy javë, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 si dhe penalizimit që vjen për shkak të marrëdhënieve me kompanitë e huaja që furnizojnë tregun vendas, Balluku  tha se vepra do të jetë e përfunduar brenda muajit maj.

“Padyshim, data 1 maj që kishim parashikuar për të përfunduar punimet do të shtyhet me disa ditë, por sigurisht brenda majit e gjithë kjo rrugë do jetë e aksesueshme për të gjithë qytetarët, duke shpresuar se deri në atë kohë lëvizja do të jetë pak më e lehtësuar sesa është sot. Ashtu si ka thënë dhe kryeministri Rama, do kemi një ndryshim të masave, por sigurisht ky ndryshim i masave do vijë i shoqëruar me penalitete akoma më të mëdha, për shkelësit, pasi sakrifica që po bën një popull i tërë nuk mund të prishet nga individë, të cilët vendosin të thyejnë rregullat”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur gjithashtu se ka marrë zgjidhje edhe problemi me shpronësimet, i cili ka qene pengesë për ecurinë e kësaj vepre dhe shtoi se në ditët e ardhshme do të ketë një lëvrim të fondeve nga ana e Bankës Europiane të Investimeve, çka do të mundësojë përshpejtimin e ritmit të punimeve. Ndërkohë që kanë rifilluar punimet për rikonstruksionin e Bulevardit në Sarandë, punime të cilat kishin nisur në tetor, por që ishin ndërprerë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së koronavirusit.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • vera: 07/04/2020 21:17

    KETO projektet rrugore mos I nderprisni ,,,se jane te domosdoshme,,,por mos vidhni,,,mos e coni 1 km,,20 milion euro...qendroni tek 3 milion euro /km..../////

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?