Kampionati Europian të luhet nga 23 nëntori deri në 23 dhjetor. Kjo është ideja e fundit që po studiojnë në UEFA dhe që pritet ta zyrtarizojnë nesër në takimin që do kenë drejtuesit me krerët e 55 federatave nëpërmjet një video konference. Nesër, pra të martën do të merret vendimi se çfarë do të ndodhë me futbollin në Europë si me kampionatat respektive, Kupat e Europës apo edhe Kupat kombëtare. Koronavirusi për momentin i ka vënë kyçin çdo eventi në Europë.
Europiani është në program nga 12 qershori deri në 12 korrik dhe me të gjitha mundësitë do të shtyhet. Mediat zbulojnë planin për ta luajtur Euro 2020 në dimër dhe më ekzaktësisht nga 23 nëntori deri në 23 dhjetor por që do të vendoset nesër. Pra në këtë pikë do të thotë se futbolli i madh kontinental do të luhet në dimër.
Në këtë pikë kampionatet kombëtare mund të rinisin dhe mund të përfundojnë edhe pse në një tjetër kohë. Ashtu siç propozoi dje edhe Presidenti i Federatës italiane Gabriele Gravina kampionatet mund të rinisin më 2 maj dhe të përfundojnë deri në fund të qershorit. Periudhë kjo që do të zhvillohen edhe Champions e Europa League dhe po ashtu edhe Kupat kombëtare në secilin shtet. Diskutime do të ketë edhe për mënyrën se si do të vijojnë Kupat e Europës dhe opsionet janë nga më të ndryshmet. Që nga ato të cilësuara si “final Four” ,”final eight” apo edhe çerekfinalet dhe gjysmëfinalet me ndeshje teke. Këto janë opsionet që UEFA i ka në mendje por emergjenca për shkak të koronavirusit qëndron mbi gjithçka.