Në Itali numri i viktimave ka shkuar në 631 teksa vetëm sot u regjistruan 168 viktima të tjera. Numri i të infektuarve ka shkuar në rreth 10 000 kurse të shëruarit janë 280.
Nga dita e sotme kufizimi i lëvizjes i urdhëruar në 8 Mars për Lombardinë dhe 14 provincat e tjera qendrore-veriore, tani është shtrirë në të gjithë territorin kombëtar.
"Nuk ka më një zonë të kuqe - tha Kryeministri Conte - do të ketë vetëm një Itali që shpallet zonë e mbrojtur. "Objektivi ynë kryesor është shëndeti i qytetarëve i cili prevalon mbi interesat e tjera. E ardhmja e Italisë është në duart tona dhe secili duhet të bëj pjesën e tij".
Conte gjithashtu njoftoi pezullimin e të gjitha eventeve sportive, përfshi Kampionatin e Futbollit, Seria A si dhe zgjatjen e afatit të mbylljes së shkollave deri me 3 prill. Duke filluar nga sot, baret dhe restorantet në të gjithë Italinë do të duhet të qëndrojnë të hapura deri në orën 18. Mbyllen diskotekat dhe sallat e lojrave të fatit, ndalohen organizimet e ceremonive të dasmave dhe vdekjeve, mbyllen muzetë, teatrot dhe kinematë.
Në ditët në vijim, Rajoni i Lombardisë në Itali mund të përgatisë masa edhe më shtrënguese për të shmangur përhapjen e koronavirusit. Kjo u njoftua nga këshilltari rajonal i mirëqenies Giulio Gallera, i cili shpjegoi se infeksioni ishte aq i shpejtë sa, në 18 ditë, rrezikoi seriozisht sistemin shëndetësor të Rajonit.
"Deri më tani nuk ka asnjë shenjë se numri i infeksioneve ka nisur të ulet, përveç në zonën e kuqe të Lodigiano ku ne kemi miratuar masa shumë të forta. Prandaj, në dritën e këtyre rezultateve, Lombardia po mendon të ndalojë aktivitetet e transportit dhe të prodhimit”.
Giulio Gallera tha gjithashtu se “Natyrisht, mbyllja e gjithçkaje nuk është e mundur. Për këtë arsye, në rast të masave të tjera shtrënguese, do të mbeten të hapura vetëm dyqanet që shesin nevoja themelore, siç janë supermarketet dhe farmacitë.
Lajmi kryesor: