Koronavirusi/Lëvizja e papritur e Bankës Qendrore Amerikane: Ul normat e interesit me 0.5%

3 Mars 2020, 17:26| Përditesimi: 3 Mars 2020, 17:35

  • Share

Banka Qendrore e SHBA, (Fed) njoftoi një ulje me gjysmë pike të normave të interesit si përgjigje ndaj emergjencës së epidemisë prej koronavirusit. Kështu, kostoja e parave bie në 1-1.25%. Kjo është hera e parë që nga kriza financiare e vitit 2008, që ‘Fed’ ka vendosur të ulë normat e interesit jashtë atyre të planifikuara.

"Bazat e ekonomisë botërore mbeten të qëndrueshme. Në çdo rast, koronavirusi paraqet rreziqe për aktivitetin ekonomik", shpjegon Fed.

"Në dritën e këtyre rreziqeve dhe në mbështetje të objektivave të punësimit dhe stabilitetit të çmimeve, Fed ka vendosi të ulë normat e interesit me gjysmë pike, duke i sjellë ato midis 1% dhe 1.25% dhe ‘Fed’ po monitoron nga afër zhvillimet dhe implikimet që mund të shfaqen në perspektivën ekonomike dhe do të përdorë mjetet e saj si dhe do të veprojë si duhet për të mbështetur ekonominë", - thuhet në njoftimin e Banka Qendrore Amerikane.

Jerome Powell, presidenti i Rezervës Federale, i sulmuar shpesh nga Trump për mosdhënien e mbështetjes financiare për ekonominë siç do të donte manjati, shpjegoi në një konferencë për shtyp se FOMC, krahu operativ i Bankës Qendrore Amerikane, vlerësoi se rreziqet për skenarin ekonomik amerikan në thelb kanë ndryshuar këto javë. Ndikimi i epidemisë në ekonomi mbetet i pasigurt, por përhapja e sëmundjes me një ritëm të përshpejtuar ka çuar në veprime të menjëhershme nga banka. Ndërsa tha se bazat ekonomike të SHBA janë të qëndrueshme, Powell pranoi se pasojat e kësaj situate do të ndihen edhe për disa kohë.

Analistët tani janë të bindur se kjo lëvizje e Bankës Qendrore Amerikane do të vinte në lëvizje tregjet, pas shenjave të luhatjes në javët e kaluara. Shumë guvernatorë, përfshirë Lagarde nga Banka Qendrore Europiane, kanë thënë qartë se janë të gatshëm të ndërhyjnë për të stopuar reagimin negativ ekonomik prej epidemisë, e cila ka goditur shumë tregjet financiare këto ditë.

Vetëm dje, Banka e Investimeve ‘Goldman Sachs’ azhornoi parashikimin e saj duke bërë zbritje të normës kumulative të ‘Fed’ për 100 pikë bazë nga muaji mars e deri në muajin qershor, një manovër kjo që mund të koordinohet, në shkallë të ndryshme, me ndërhyrjet nga bankat e tjera qendrore.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk duket i lumtur me vendimin e ‘Fed’, pasi ai ka kërkuar nga Bankat Qendrore të "bëj më shumë" në përgjigje të masave urgjente ndaj koronavirusit.

"Eshtë koha që ‘Fed’ të luajë një rol udhëheqës," duke lehtësuar më shumë politikat monetare dhe duke ulur normat e interesit më shumë”- shkruante në Twitter presidenti amerikan.


Lajmi kryesor:

Itali, 79 viktima dhe 2.263 të infektuar nga koronavirusi. Mosha mesatare e të prekurve nga epidemia mbi 65 vjeç. Qeveria Conte, terapi intensive ekonomike (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?