Ministria e Financave kryesoi renditjen për korrektësinë e përdorimit të fondeve buxhetore sipas ligjeve dhe rregullave në vitin 2024 duke u rritur me 4 pikë në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në të kundërt Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përjetuar rënien më të madhe në renditje me gati 7 pozicione në vitin 2024 në krahasim me 2023.
Por dobësitë më të mëdha në treguesit e përformancës së përdorimit të buxhetit i ka Ministria për Europën me vetëm 44.5 pikë nga 72 të mundshme në 2024.
Raporti Vjetor për Funksionimin e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik për vitin 2024 dha një vlerësim të performancës financiare të ministrive të linjës për vitin 2024, Ministria e Financave kryeson renditjen me 63.
Pas saj renditet Ministria e Mbrojtjes, e cila ka bërë një përmirësim të ndjeshëm prej nëntë vendesh, duke arritur në vendin e dytë me 61.5 pikë ne krahasim me 2023.
Në vendin e tretë vjen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e cila ka fituar dy pozicione dhe është vlerësuar me 61 pikë. E katërta renditet Ministria e Drejtësisë me 59.5 pikë, duke shënuar gjithashtu një përmirësim prej katër vendesh.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka rënë me tre pozicione, dhe Ministria e Brendshme që ka humbur dy vende, të dyja me nga 56 pikë. Më pas vjen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në vendin e shtatë, me 55.5 pikë, duke pësuar një rënie me tre vende.
Në vendin e nëntë ndodhet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me 54 pikë, një rënie me dy pozicione nga viti i kaluar. Ndërsa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit zë vendin e dhjetë me 50 pikë, duke rënë me një pozicion. Në fund të listës renditet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka zbritur me një vend dhe ka marrë vetëm 44.5 pikë në total.
Vlerësimi i performancës u bazua në 18 treguesit që lidhen me planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit si dhe treguesit mbi zbatimin e kërkesave ligjore të kontrollit dhe auditimit të brendshëm.
Performanca financiare e enteve buxhetore bazohet në 17 drejtime që kanë qëllim evidentimin e progresit të sistemit të kontrollit të brendshëm në tërësi dhe adresimin e problematikave.
Në themel të përformancës janë treguesi “Realizimi i shpenzimeve buxhetore”, “Realizimi i shpenzimeve buxhetore sipas klasifikimit ekonomik”, “Reduktimi i nivelit të detyrimeve të prapambetura”, “Realizimi i shpenzimeve kapitale”, treguesi “Të gjitha faturat janë dërguar në kohë për pagesë pranë degës përkatëse të thesarit” etj./Monitor
Komente
