Nëpërmjet portës kryesore detare të vendit, Portit të Durrësit, kanë hyrë dhe dalë 111,049 pasagjerë vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, duke shënuar edhe muajin me ritmin më të lartë të këtij sezoni turistik.
Terminali i Trageteve ka operuar me kapacitet të plotë në të gjitha shërbimet e tij, përfshirë edhe agjencitë private e ato shtetërore, të cilat falë bashkëpunimit kanë kontribuar në një sezon të suksesshëm dhe pa vonesa apo problematika të evidentuara.
Në menaxhimin e fluksit kanë qenë të angazhuara Siguria Portuale, Policia Kufitare, agjentët doganorë dhe instancat e tjera ligjzbatuese, duke bërë të mundur pritjen e 83,116 pasagjerëve dhe përcjelljen e 27,933 të tjerëve.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, në këtë sektor kryesojnë shtetasit e huaj me 70,281 pasagjerë, ndërsa 40,768 janë shtetas shqiptarë që kanë përdorur transportin detar për pushime brenda apo jashtë vendit.
Në krahasim me korrikun e vitit 2024, shifrat mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, me një diferencë shumë të lehtë prej rreth 1% më pak, ose 1,981 pasagjerë, çka tregon një qëndrueshmëri të lartë të fluksit të udhëtarëve në këtë sektor.
Komente
