Korriku uli fuqinë e “borxhlinjve” për të paguar këstet! Rriten kreditë e këqija

10 Shtator, 15:31| Përditesimi: 10 Shtator, 15:48

  • Share

Kredimarrësit problematikë vijojnë të bëjnë rezistencë në kthimin e huave, duke sjellë stopim të rënies së kredive të këqija në muajin korrik, madje ka rritje të lehtë.

Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i kredive me probleme në muajin korrik ndaloi në 4.72%, nga 4.7% që ishte në muajin qershor. Praktikisht përqindja e kredive me probleme në bilancet e bankave ka mbetur në vendnumëro, që prej fundit të vitit të kaluar, kur ishin 4.74%.

Kurse në vlerë kreditë e pakthyera janë në rritje me mbi 2.2 miliardë lekë nga dhjetori 2023 në korrik të 2024. Sipas shifrave zyrtare nga 798,3 miliardë lekë që ishte kredia e dhënë deri në fund të korrikut, më shumë se 37.6 miliardë lekë klasifikohej kredi me probleme nga 35.2 miliardë lekë që ishte në fund të vitit të shkuar.

Më problematikët në shlyerjen e detyrimeve janë bizneset thotë banka qendrore të cilët mbajnë edhe peshën më të lartë të kredive me probleme. Vlera më e madhe e kredive me probleme është në monedhën kombëtare, për shkak se prej vitesh ka pasur norma më të larta interesi se kredia në valutë.

Për shkak të moskthimit të borxhit, bankat kanë shitur 70 mijë kontrata kredie tek shoqëritë që mbledhin detyrime, vlera e të cilave aktualisht sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë përllogaritet në 13 miliardë lekë.

Këto kontrata aktualisht janë në regjistrat e tre kompanive të licencuara për veprimtari të mbledhjes së kredive të këqija me licenca aktive, ndërsa njëra kompani e licencuar vjet nuk ka ende portofol të blerë.

 

Ndërkohë Banka po punon për rregulloren e re për mbrojtjen e konsumatorëve nga mikrokreditë, ku do të kufizohet mosha e klientëve që do të mund të marrin hua pranë këtyre institucioneve, si dhe nuk do të jepet asnjë kredi pa u bërë një analizë e thellë e gjendjes financiare të qytetarëve.

KREDIA ME PROBLEME
Korrik 2023             37,188 mln lekë 5.28%
Dhjetor 2023            35,273 mln lekë 4.74%
Korrik 2024             37,679 mln lekë 4.72%

 

TOTALI I KREDISË 
Korrik 2023           704,322 mln lekë      
Korrik  2024          798,301 mln lekë     
Rritja                    + 93,979 mln lekë
 

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?