Gjykata e Posaçme

Kronikë

Korrupsion e fshehje e pasurisë, GJKKO dënon me 5 vite burgim Ilir Pashajn, ish-gjyqtari i Elbasanit përfiton nga gjykimi i shkurtuar! I konfiskohen edhe 2 prona (VENDIMI)

5 Mars, 16:20| Përditesimi: 5 Mars, 16:57

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme shpall fajtor dhe dënon për herë të dytë ish-gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ilir Pashaj, me 5 vite burgim me gjykim të shkurtuar dhe 5 vite largim nga çdo funksion publik.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar do i ulet një e treta e dënimit dhe përfundimisht do vuajë në një qeli burgu të sigurisë së zakonshme 3 vjet dhe 4 muaj izolim.

Vendimi është dhënë ditën e sotme (5 mars), teksa hetimet kishin nisur prej vitit 2020 dhe u konkluduan vitin e kaluar nga SPAK, kur dhe dosja u dërgua për proces gjyqësor.
Vendimi u dha nga një trupë gjykuese e përbërë nga Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari.

Gjykata pasi dëgjoi konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme në pretencë dhe të palës mbrojtëse, vendosi shpalljen fajtor për 3 vepra penale të ish-gjyqtarit, i cili u dënua edhe kohë më parë për një tjetër krim që e kishte konsumuar si avokat, pas daljes nga sistemi i drejtësisë.

Pashaj u dënua me 3 vite burg për “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, me 3 muaj burgim për “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe me 5 vite burgim për veprën “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në aplikim të bashkimit të dënimeve u dhanë në total 5 vite izolim dhe duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, u ul një e treta dhe përfundimisht u la në 3 vite dhe 4 muaj izolim. 

“Në aplikim të neneve 30/1, 35/1, 44/2 të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Ilir Pashaj, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet, dënim i cili fillon të zbatohet pas vuajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në vendim për masën administrative përveç dënimit.

Gjithashtu u vendos në lidhje me këtë çështje konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurisë së paluajtshme të llojit apartament dhe autoveturë të markës “Mercedes Benz”, Model E200CDI, që ishin sekuestruar nga SPAK gjatë procesit hetimor.

Dorëheqja para Vettingut, arrestimi dhe dënimi si avokat dhe gjyqi i dytë në GJKKO

Ish-gjyqtari Ilir Pashaj u përball për herë të dytë me gjykatën, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi më 2024 se kishte përfunduar hetimet ndaj tij për veprat penale të korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Sipas njoftimit për mediat të SPAK, Pashaj ka konsumuar të paktën një herë veprën penale të korrupsionit gjatë kohës që ushtronte detyrën e gjyqtarit, ndërsa akuzohet se pasuritë e përfituara nuk i ka deklaruar në përputhje me ligjin, por i ka fshehur në emër të familjarëve të tij.

SPAK ka identifikuar dhe sekuestruar një automjet dhe një apartament në qytetin e Elbasanit, që dyshohet se janë pasuri e fshehur e ish-gjyqtarit.

“I pandehuri Ilir Pashaj është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive…,” thuhej në njoftimin e SPAK.

Ilir Pashaj është një nga gjyqtarët që u largua me dorëheqje në vitin 2017 nga sistemi i drejtësisë, përpara se të niste procesi i vetingut. 

Ai punoi më pas si avokat, por në korrik të vitit 2022 u arrestua si i impikuar në një çështje korrupsioni që përfshiu edhe gjyqtaren Zamira Vyshka.

Në janar 2024, Pashaj u dënua me vendim të formës së prerë me 1.4 vjet burg për veprën penale të korrupsionit aktiv, dënim i cili u shlye me kohën e paraburgimit. Ai u përball për herë të dytë me Gjykatën e Posaçme, lidhur me akuzat e reja të ngritura nga Prokuroria.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreth 239 mijë regjistrime, sa përcaktuese do të jetë vota e diasporës më 11 maj?