Drejtori i DPSHTRR: Kamera në çdo makinë autoshkolle! Shumë shpejt 'Auto Moto Park' për të 'çmendurit' pas shpejtësisë (VIDEO)

17 Janar 2020, 11:40| Përditesimi: 17 Janar 2020, 17:50

  • Share

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor,  Blendi Gonxhe, në një prononcim për Report Tv është shprehur se situata problematike me aksidentet në rrugë dhe sjelljet jo të mira, lidhet edhe me pajisjen me patentë të personave që nuk e kanë merituar. Tashmë sipas Gonxhes, në çdo automjet ku do të kryhet testi i praktikës për marrjen e patentës do të ketë kamera që filmon çdo situatë dhe me zë.

"Ka njerëz dhe komisionerë që kanë sjellje negative. Por detyra jonë është që testi të jetë objektiv dhe i saktë. Të mos i hahet askujt haku për personat që mësojnë e përgatiten për testin. Kemi hequr 1,200 pyetje që ishin një çark për të futur dhe ata që mësonin në kurth dhe kemi korrigjuar rreth 1,800 pyetje të tjera duke rregulluar rreth 70% të pyetjeve të testit të teorisë. Është mundësuar simulimi i testit zyrtar online për të gjithë qytetarët pa pagesë në faqen zyrtare të DPSHTRR. Ndërkohë, ka nisur puna për implementimin fizik të sistemit intereaktiv të monitorimit ku do lidhen gjithë sportelet, sallat e testimeve, mjetet e autoshkollave gjatë testit të praktikës në qarkullim, ambientet administratë e oborre, kontrolli fizik, poligonet e testimit të manovrave të parkimit, arkivat, sistemet e radhës, etj. çka do t’a ngrejnë shërbimin, sigurinë e testimeve, kredibilitetin ndaj çdo afere/abuzimi në një nivel të panjohur më parë. Për të rritur standardin dhe monitorimin për testimin praktik të kandidatëve, DPSHTRR ka planifikuar investime në poligonet e testimit praktik të kandidatëve për t’u pajisur me lejedrejtimi në 8 qytete kryesore të Shqipërisë për vitin 2020”, tha Gonxhe.

Ndërkohë për targat e reja, Gonxhe është shprehur se kanë 15 elementë sigurie dhe që nuk mund të falsifikohen.

“Targat e reja tashmë do të aplikohen për të gjitha regjistrimet e reja të mjete apo ndërrime që lidhen me humbjen, vjedhjen apo dëmtimin e targave. Targat përmbajnë 15 elementë sigurie, kanë një barkod unik progresiv që reflektohet në sistem. Është e pamundur të falsifikohet. Targat e tjetërsuara, targat e falsifikuara duhet të hiqen nga mendja. Targat tona të reja, më të mirat në rajon dhe në standardet e BE-së.”, tha Gonxhja.

Për sa i përket garave të shpejtësisë që shpesh herë janë kthyer në një problem dhe burim aksidentesh për përdoruesit e tjerë të rrugës, Gonxhja është shprehur se kjo gjë pritet të marrë fund. Sipas tij, shumë shpejt në Shqipëri do të ketë një "Auto Moto Park" pë të gjithë të apasionuarit pas garave si për përdorim sportiv, ashtu edhe për testime specifike.

“Një nga risitë është që adrenalina e talenteve të timonit të shkarkohet në kushte të sigurta dhe jo në rrugë duke rrezikuar veten dhe të tjerët”, u shpreh ai.


Lajmi kryesor:

Propozimet për sigurinë në rrugë/ Deri në 80 mijë lekë gjobë për celularin në timon, testi i 'idiotit' për shoferët e rrezikshëm (VIDEO)


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?