Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-sekretaren e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, nën akuzë për korrupsion lidhur me një procedurë tenderimi për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.
Në fuqi u la dhe dënimi me 8 muaj burg edhe për biznesmenin Vladimir Topi administratorin e kompanisë “Dricons” dhe inxhinierin Silvi Shehi të cilët akuzohen se kanë ndërhyrë në tenderin e ministrisë së Shëndetësisë për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore duke i dhënë 330 mijë lekë ryshfet Joana Duros në mënyrë që kjo e fundit t’i shpallte fitues të tenderit.
13 nëntorin e 2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të deklarojë fajtore Duron si dhe tre të pandehurit e tjerë të akuzuar për korrupsion me një tender. Me kërkesë të prokurorisë Duro u dënua me 4 vjet burgim në cilësinë e funksionarit të lartë shtetëror, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj burgim. Laura Shteto, Vladimir Topi dhe Silvi Shehi u dënuan me nga një vit burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj heqje lirie.
Prej 2 qershorit të 2023 Duro ndodhet në burg ndërsa akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Të pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv u morën Laura Shteto, administratori i kompanisë Dricons, Vladimir Topi si dhe Silvi Shehi, inxhinier pranë këtij operatori ekonomik.
Sipas prokurorisë, shuma e parave që ka marrë Duro është dhënë nga Vladimir Topi, i cili akuzohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar. Shehi akuzohet se pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, ka marrë shumën e parave dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dhënë Duros. Vetë Duro ka shprehur pendesë nëpërmjet avokates së saj për faktin se nuk kishte qenë e kujdesshme të kontrollonte se çfarë gjendej në zarfin e përcjellë nga Shteto. Ajo pretendoi se nuk kishte pasur dijeni se aty gjendej shuma e parave që u sekuestrua.
Po te kishte marre 330 milione, do te ishte e nderuar dhe e paprekshme! Ndoshta hidhte edhe kandidaturen per kryeministre…
Përgjigju