DIMAL- Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga skema korruptive që kishin ngritur zyrtarët në Bashkinë e Dimalit, më konketisht Drejtori i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Dimal Altin Pali, Valentina Jançe, shefe e Urbanistikës, Agim Cuni, Specialist te Emergjencat, dhe Arben Guraj, Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve, të katërt në pranga.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë detyruar të paguajnë shuma monetare në këmbim të ndërtimit pa lejë ose nxjerrjes së një leje provizore. Një fakt i tillë është regjistruar në përgjime, ku evidentohet se si Arben Guraj, Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve i ka marrë 2 mijë euro një qytetari.
Gjatë një bisede të përgjuar mes Arben Guraj dhe njërit prej personave të hetuar zhvillohet një komunikim i tillë:
”…unë i mora 2 mijë euro atij legenit që po ndërtonte, tani shkoi ti mbaro punë…”.
Ndërsa personi tjetër ia kthen se ishte i zënë për momentin dhe kishte punë. Nisur nga kjo situatë Arben Guraj, ia kthen se:
”…shiko mos u merr shumë vetëm me punën e shtetit. Punët e shtetit nuk mbarojnë asnjëherë,… por shiko mbaro punët private…”.
Arben Guraj ndikonte që qytetarët të merrnin leje për restaurimin e objekteve të banimit dhe më pas në këto objekte kryhen ndërtime të paligjshme, kundrejt pagesave të ndryshme. Ndërkohë, siç raportohet në media, gjatë operacionit për arrestimin e personave dhe kontrollit të banesave, oficerët e policisë së Shtetit dhe BKH-së, kanë sekuestruar në banesën e Arjan Demirit, një shumë prej 25 mijë paund si dhe një armë gjahu.
Personat e arrestuar
Altin Pali (Arrest me burg), Drejtor i Urbanistikës! I Akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vali Jançe (Arrest shtëpie) Shefe e Urbanistikës në kohën e kryerjes së veprës penale. E akuzuar për “Shpërdorim detyre”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Agim Cuni (Arrest me burg), aktualisht specialist te Emergjencat, ish Shefi i IKMT në kohën e kryerjes së veprës penale! Akuzohet për ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arben Guraj (Arrest me burg), Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve. I Akuzuar për “Shpërdorim Detyre”.
Arjan Demiraj (Arrest në burg), inxhinier pranë një shoqërie tregtare! I dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vait Koshi (Arrest në burg) ekonomist, menaxher i një shoqërie tregëtare. I akuzuar për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.