Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e dënimit për ish drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari dhe 9 zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme. Ata janë dënuar për shkeljen e barazisë në tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Përveç Naqellarit, me 1 vit burg që konvertohet me 20 muaj shërbim prove, u dënua dhe ish zyrtarja Flutura Çekrezi. Ndërsa kolegët e tyre u dënuan të gjithë me 10 muaj burg që edhe për ata konvertohet në shërbim prove.
Ndryshimi i vetëm që bëri Gjykata e Posaçme e Apelit është që tre ish- zyrtarët Anisa Bogdani, Ani Omuri dhe Gëzim Mingaj të vihen në provë për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur pavuajtur të dënimit me burgim. Të gjithë të hetuarit janë përjashtuar nga cdo funksion publik për 5 vitet e ardhshme.
Edhe Apeli, ashtu si GJKKO provoi akuzën e SPAK për abuzim në tenderin për uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë. Hetimet zbuluan se tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.