Korrupsioni në universitete/ Skandal tek ‘Bujqësori’, vidhen nafta, peshqit, gruri e misri

16 Dhjetor 2018, 07:10| Përditesimi: 16 Dhjetor 2018, 11:29

  • Share

Administrata e Universitetit Bujqësor të Tiranës ka përvetësuar 6 261 litra karburant, ka abuzuar me vaskat e peshkut në Tapizë, ka përvetësuar ushqimin e peshkut si dhe ka lidhur kontrata korruptive për dhënien me qira të ambienteve në pronësi të universiteteve. Këto janë disa nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një raport të vitit 2014, për kontrollin e veprimtarisë ekonomiko-financiare” të Universitetit Bujqësor të Tiranën, për periudhën 2011-2013. Abuzimet janë bërë me paratë e studentëve dhe të buxhetit të shtetit, të cilat janë dy burimet kryesore të financimit të universitetit. Sipas KLSH, shpenzimet për karburant në këtë universitet nuk justifikohen me dokumentacion financiar dhe me projektet e pretenduara. “Nga auditimi i shpenzimeve të projekteve rezultoi se shpenzimet e karburantit nuk përkonin me kohën në të cilën është bërë shërbimi, daljet e karburantit në sasi janë bërë në kohën kur projekti ka përfunduar dhe nuk justifikoheshin me dokumentacion financiar”, thuhet në raport. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht ish-teknikun e shërbimit pranë Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit dhe FEA/B, për shkelje gjatë viteve 2011-2012, gjë që ka sjellë një dëm ekonomik prej 6,261 litra karburant, në vlerën 1,085,421 lekë.

Abuzimi me peshkun

Sipas KLSH, për vitet, 2011, 2012 dhe 2013, në sektorin e rritjes së peshkut në Tapizë, shpenzimet në raport me të ardhurat janë 1/10. Gjithashtu, KLSH ka konstatuar abuzime me shitjen e rasatit të peshkut. “Bazuar në nenin 281 të ligjit nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë” si dhe nenin 248 “Shpërdorimi i detyrës”, të “Kodit Penal të RSH”, për z. R. M ,znj. N. I, znj. J. K dhe z. E. T është depozituar kallëzim penal në Prokurori pasi, nga auditimi i ushtruar për shpenzimet e kryera në Ekonominë e rritjes se peshkut Tapizë për periudhën objekt auditimi u konstatua se, të ardhurat janë në raport 1/10 krahasuar me shpenzimet e kryera për këtë njësi, për vitet, 2011, 2012, 2013. Nga kontrolli i dokumentacionit në këtë Ekonomi u konstatua se shitja e rasatit bëhej me blerje të drejtpërdrejte me lekë në dorë, nga një komision i përbërë nga tre persona sipas një propozimi të bërë nga znj. J. K dhe R. M dhe miratuar nga Rektori, ky komision është ngritur për shitjen e rasateve, varkave dhe peshkut të prodhuar në këtë ekonomi, pas këtij urdhri koordinatorja e laboratorit nxjerr urdhrin e shitjes së rasateve, në të cilin është i specifikuar vetëm lloji i rasatit dhe jo sasia, në kundërshtim me rregulloren e funksionimit të njësisë”, thuhet në raport.

‘Zhduket’ ushqimi i peshkut

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, sasia e ushqimit për peshkun në Tapizë, e pretuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, është e pajustifikuar, duke ngritur dyshime të forta që ushqimi i peshkut është përvetësuar ose nuk është blerë fare, duke marrë paratë. “Kështu sipas dokumenteve financiare rezulton se: me fletë dalje nr. 319 datë 10.08.2011 është furnizuar njësia ekonomike Tapizë me 169 kg ushqim rasati 20-26%. Kjo sasi ka mbuluar nevojat për ushqimin e peshkut për një periudhë 15 muaj pasi Njësia Tapizë me flete dalje nr. 604 datë 17.10 .2012 rezulton të jetë furnizuar me 206 kv ushqim rasati dhe hipofizë 1 gr në vlerë 1 877 280 lekë. Kjo sasi ushqimi duhet të mbulonte nevojat e ekonomisë për rreth 9 muaj deri më 4.07.2013 pasi në këtë datë rezulton e tërhequr nga EDE sasia prej 140 kv grurë dhe misër si bazë ushqimore në vlerë 420 000 lekë. Me fletë dalje nr. 279 date 28.05.2013 është furnizuar me 200 kg sojë kokërr me vlerë 24 000 lekë, kjo sasi është pasuar me furnizimin e 150 kv grurë e misër si ushqim në vlerën 466 500 lekë për vitin 2014. Nga llogaritjet e konsumit të ushqimit rezulton sasi ushqimore e cila i kapërcen nevojat reale të konsumit që shpenzon peshku në vaskat e Tapizës. Referuar tabelës së racionit ushqimor të paraqitur nga p/sektorit Tapizë dhe sipas ditarëve të mbajtur prej tij rezulton se për vitin 2013 qendra ekonomike Tapizë ka shpenzuar vetëm 140 kv grurë në vlerën 420 mijë lekë. Pra rezulton se sasia prej 206 kv ushqim peshku të jetë shpenzuar për rreth 2 muaj nga 17.10.2012-31.12.2012. Konsumi i kësaj sasie ushqimi është e pajustifikuar”, ka konstatuar KLSH.

Kontratat e qirave

Kontrolli i Lartë të Shtetit ka kontrata abuzive për dhënien me qira të objekteve në pronësi të Universitetit Bujqësor të Tiranës. “Nga auditimi u konstatua se objektet në pronësi të UBT-s dhënë me qira subjekteve private nuk ka gjetur zbatim VKM-në nr. 529, datë 08.06.2011 në, kreun II, pika ç) ku citohet: “genplanin e objektit origjinal, ku të jenë shënuar sipërfaqja e truallit, gjithsej, sipërfaqja e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqja e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), në territorin e së cilës ndodhet pasuria”, inxhinieri nuk ka llogaritur sipërfaqen nën ndërtesë dhe atë funksionale dhe ka hequr nga llogaritjet trashësinë e mureve, gjë që ka sjell diferencë në pagesën e kontratës për sipërfaqen totale në m²”, thuhet në raport.

Abuzimi me sigurimet shoqërore në Universitetin Bujqësor

Kontrolli i Lartë të Shtetit ka konstatuar se Universiteti Bujqësor i Tiranës ka abuzuar duke mos kryer ndalesën për për sigurimet shoqërore të personelit akademik të ftuar.

“Nga auditimi i listëpagesave të personelit akademik të ftuar rezultoi se në çdo rast është kryer ndalesa e tatimit mbi të ardhurat personale, por në asnjë rast nuk është bërë ndalesa për sigurimet shoqërore deri në kufirin e lejuar (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal)”, thuhet në raport. Sipas KLSH kjo bie në kundërshtim me VKM nr. 1114, datë 30.07.2008, “Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ligjit nr. 9136,datë 11.09.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,dhe ligjit nr. 7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku në kapitullin e V “Pagesa e Kontributeve”, pika 3, thuhet: “Për rastet kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte, pagesa e kontributit është e detyrueshme në çdo subjekt, sipas pagës, por jo më shumë se kontributi maksimal.” “Kështu nga përllogaritjet e bëra rezulton se për 88 punonjës së ftuar, shuma totale e ndalesës së llogaritur për t’u mbajtur është 663,056 lekë, e cila ka krijuar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Gjithashtu UBT (punëdhënësi) nuk ka llogaritur dhe derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore (16,7%) deri në kufirin e lejuar (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal)”, thuhet në raport. Gjithashtu, KLSH thotë se nga auditimi që ju bë listëpagesave të personelit akademik në zbatim të Ligjin nr. 10139, datë 15.05.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, qendrës së studimeve albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, u konstatua se stafit akademik që gëzon titullin shkencor ‘Profesor”, dhe ”Profesor i asociuar” kishte mangësi në lidhje me ndalesën e sigurimit suplementar të mbajtur, pasi ndalesa e sigurimit është mbajtur vetëm mbi pagën mujore të punonjësve, dhe jo mbi gjithë të ardhurat e realizuara , (ku përfshihen edhe pagesat për orët shtesë të paguara). Kështu nga përllogaritjet e bëra rezulton se shuma totale e ndalesës së llogaritur për t’u mbajtur ( si diferencë e detyrimit për t’u mbajtur dhe atij të mbajtur në fakt) është 4,758,042 lekë.

(kliko këtu për të lexuar 'Mbi Auditimin e Ushtruar në Universitetin Bujqësor Tiranë')

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Piciri: 16/12/2018 08:42

    Korrupsion universitar nuk ka vetem ne Shqiperi. Mendoj se duhen verifikuar edhe ata qe kane diploma dhe mastera ne Rumani dhe Bullgari pasi shumica i kane te blera me korrupsion.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?