Politikë

Basha në Njësinë 5 në Tiranë: Koalicioni Euroatlantik është alternativa që të korruptuarit të shkojnë tek 7x7=313 dhe buxheti t’u kthehet qytetarëve   

1 Maj, 15:19| Përditesimi: 1 Maj, 15:28

  • Share

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatja për deputete, Shpresa Fasllia, zhvilluan takime me qytetarë dhe biznese në Njësinë 5 në Tiranë.

Gjatë takimeve në rrugët e kësaj zone, Bashën e ndaluan qytetarë për të shprehur shqetësimet që nga ish-minatorë,  ish-të përndjekur e deri tek pensionistë që përballen me kostot e larta të jetesës. 

Një nga banorët tha se edhe pse kishte punuar për 18 vite në minier, pensioni i vogël që merr sot e detyron të bëjë punë si roje.  

“Brigader në minier të Valiasit, prej 18 vitesh, tani më duhet mua të vete të bëj punën e rojes. Pensioni 240 mijë. Nuk bëhet statusi pas vdekjes, ne na duhet sa jemi gjallë. Po ikëm, ndaç ta aprovojnë, çfarë vlere ka, pastaj pjesa dërrmuese e jona, i ke o në Tufinë o në Sharrë” – tha ai.
Ndërsa një tjetër ish- i përndjekur politik tha se vuajtjet e diktaturës janë pothuajse edhe sot me vështirësitë ekonomike që përballen. “A do bëhemi as s’do bëhemi? Na kanë mbytur mo. Jam i persekutuar, po puna është që s’po bëhemi. Kështu siç jemi me atë plakush nuk kemi për t’u bërë kurrë. Na shkelën me këmbë, nuk ngremë dot kokën, na shkelën me këmbë. Vuaj në atë kohë, vuaj në këtë kohë, nuk shkon më ky muhabet” – tha ai.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre Basha tha se paratë e statusit të minatorit që nuk miratohet dhe dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit po vidhen nga Edi Rama dhe shokët e tij tek 7x7=313. Ai tha se me programin e Koalicionit Euroatlantik dhe dhënies fund të korrupsionit, çështja e minatorëve do të adresohet përmes statusit të minatorit. Ndërsa për ish-të përndjekurit, tha se përveç shpërblimit financiar që ka munguar në këto 35 vite, ata do të trajtohen të barabartë si personat me statusin e ish-ushtarakut. 

“Po pra, paratë për statusin i kanë vjedhur. Se duhej të ishte bërë prej kohësh, por i vjedhin për vete. Ne duhet t’i japim fund korrupsionit në mënyrë që të kemi mundësinë që të rrisim pensionet në tërrësi e të adresojmë çështjen e punëve të vështira të minatorëve. 
Shtresa e ish-të përndjekurve, i kemi hyrë në hak 35 vite. Ka ardhur në fushatë e në fushatë tek ju, kemi ardhur në qeveri ju kemi harruar. Ata që kanë vuajtur meritojnë në radhë të parë dëmshpërblimin financiar dhe dëmshpërblimin moral. Përfshirë statusin me vlerë financiare të barabartë si statusi i ish-ushatarkut. Tani më 11 maj mundësinë për të votuar Euroatlantikët i ke” – tha Basha.

Një pensioniste i adresoi Bashës problemet që sot shumë moshatarë të saj përballen çdo ditë. Ajo tha se pensioni nuk i del as për ilaçe, jo më për gjë tjetër.

“Pensionet t’i rregulloni, atë duam. Se 100 mijë lekë marrë. Plus që marr dhe ilaçe 300 mijë lekë  që s’më dalin as për bukë dhe as për një gjë. Vetëm për ilaçe” – tha ajo. 

Basha gjithashtu foli për disa nga pikat kryesore të programit siç janë ato për  familjet shqiptare,  ish-të përndjekurit, pensionistët dhe biznesin. 

Për familjet shqiptare:
    •    Subvencione për strehimin e çifteve të reja
    •    Dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare
    •    Deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë

Për ish-të përndjekurit: 
•    Përmbylljen e plotë pas rishikimit sipas objektivave të dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, në mënyrë të plotë brenda katër viteve të ardhshme. 
•    Trajtimin e statusit financiar të statusit të të përndjekurit politik me efekt retroaktiv të barazvlefshëm me statusin e ish-ushtarakut në Republikën e Shqipërisë.
•    Zgjatja me efekt të menjëhershëm dhe deri në përfundim të procesit të shqyrtimit të mbi dy mijë dosjeve të mbetura pezull dhe të pashqyrtuara për mungesë të qartë të vullnetit politik. 
•    Rishikimin e vendimeve të padrejta të marrë për të paktën 1600 raste të persekutimit, përfshirë të ekzekutimit, në veçanti në periudhën shtator 1944, mars 1945.

Për pensionistët: 
•    Brenda katër viteve pensioni minimal 250 mijë lekë, pensioni mesatar 450 mijë lekë. 
•    Për çdo pensionist nën 300 mijë lekë një shumë fikse për të kompensuar çdo muaj faturën e energjisë, si dhe sa i takon barnave, rimbursim 100% i barnave. 

Për sipërmarrësit:
•    Vendosja e taksës së sheshtë në masën 9%
•    Heqja e TVSH për biznesin e vogël
•    Lehtësira reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme
Në përfundim të takimeve, Basha theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë:

Ose Shqipëria e 313-s dhe korrupsionit të pandëshkuar, ose Shqipëria e ndershme që zhvillohet dhe garanton një të ardhme më të mirë për çdo familje

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pirro: 01/05/2025 15:39

    Shime eshte fryre ky lulushi. Ka harruar si duket qe eshte pergjegjes si saliu ne vrasjet a 21 Janarit, marreveshja/shitja e detit Greqise dhe skandali i rruges se Kombit. Ky duhet te ishte tek 313 vite me pare, dhe jo te kakarise per drejtesi tani. Keta jane turpi i kombit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?