Korrupsioni te AMA/ Gjykata e Apelit liron nga qelia tetë të arrestuarit

7 Korrik 2019, 07:37| Përditesimi: 7 Korrik 2019, 07:40

  • Share

Gjykata e Apelit në Durrës ka liruar nga qelia 8 personat e arrestuar për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në Autoritetin e Mediave Audiovizive. Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg”, në detyrim paraqitje, është marë pak ditë më pare për Bledar Karaj, përfaqësuesi i TV kabllor “Brado” në Elbasan, vjehrri i tij Adem Boriçi, Suela Musta, anëtare e Autoritetit të Medias Audivizive, Izmir Hajdari, ish-inspektor i AMA-s, Artan Drazhi, Shkëlqim Sula dhe Ervin Tahiri, pronar i TV kabllor “Tata Junior” Tropojë. I vetmi që ka mbetur në “arrest shtëpie” është Andrea Nathanaili, ish-zyrtar i AMA-s. Personat e mësipërm u zbuluan gjatë përgjimeve në terren nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. Vënia në përgjim e Bledar Karaj, me qëllim zbulimin e plagosjes së tij në vitin 2013, në Elbasan, ka nxjerë këtë të fundit dhe zyrtarë të AMA-s në një aferë korruptive në Elbasan dhe Tiranë. Këto përgjime kanë nxjerë të implikuar në korrupsion anëtaren e Autoritetit të Medias Audiovizive Suela Musta dhe dy ish-zyrtarë të AMA-s Andrea Nathanaili dhe Izmir Hajdari, por dhe dy biznesmenë.

Shqiptarja.com disponon të plotë vendimin e gjykatës së Elbasanit. Nga përgjimet telefonike rezulton se, në datën 29 mars 2019, inspektorët e AMA-s kanë ushtruar kontroll në njësinë administrative Bradashesh, në subjektin kabllor “Brado”, në qytetin e Elbasanit. Sapo nga Bledar Karaj është konstatuar se inspektorët kanë qenë në selinë e këtij televizioni, ai ka biseduar me ish-zyrtarin e AMA-s Andrea Nathanaili, duke i thënë se inspektorët kanë shkuar te televizioni. Nathanaili ka komunikuar me anëtaren e bordit të AMA-s Suela Mustën, duke i thënë se inspektorët kanë shkuar për kontroll te subjekti “Brado” në Elbasan dhe i ka kërkuar që të ndërhynte me qëllim largimin e tyre. Nga ana e anëtares së AMA-s, Suela Musta, pasi i kërkohet të dijë se në ç’gjendje është ky subjekt, nëse është i gjobitur apo jo, është marrë përsipër që të ndërhyjë me qëllim largimin e inspektorëve nga ky televizion dhe të mos ushtronin kontroll. Nga përgjimet rezulton se inspektorët e AMA-s kanë ushtruar kontroll në këtë subjekt dhe kanë bërë konstatimet përkatëse.

Ndërsa nga përgjimet telefonike mes Bledar Karajt dhe vjehrrit të tij, Adem Boriçi, konstatohet se subjekti, i cili është në pronësi të Adem Boriçit dhe realisht administrohet nga dhëndërri i tij Bledari, transmetonte në mënyrë të paligjshme, pa kontratat përkatëse me televizionet e licensuara, programe të ndryshme televizive. Nga këto përgjime rezulton se Bledar Karaj dhe Adem Boriçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, realizonin nëpërmjet televizionit kabllor “Brado” transmetime të paligjshme dhe, duke paguar shuma të ndryshme parash te Andrea Nathanaili, kërkonin prej tij ndërhyrjen tek anëtarët e bordit të AMA-s dhe punonjësve të tjerë të këtij institucioni që të mos pengoheshin në kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Nga përgjimet telefonike rezulton se, pasi inspektorët kanë ushtruar kontroll në subjektin “Brado”, nga ana e ish-anëtarit Andrea Nathanaili, i është kërkuar anëtares së bordit të AMA-s Suela Musta,që të ndërhynte te ndihmonte televizionin.

Emrat
1.    Bledar Karaj, përfaqësues i TV kabllor "Brado" në Bradashesh
2.    Adem Boriçi, pronar i televizionit privat kabllor "Brado" me frekuencë në Bradashesh/ Licensën e ka marrë në vitin 2011
3.    Andrea Nathanaili, ish-Këshilltar në AMA
4.    Suela Musta, anëtare e Autoritetit të Medias Audivizive
5.    Izmir Hajdari, gazetar dhe ish-inspektor i AMA-s
6.    Artan Drazhi, lindur dhe banues në Elbasan,
7.    Shkëlqim Sula, u shpall në kërkim
8.    Ervin Tahiri, pronar i TV kabllor “Tata Junior”, Tropojë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?