KOSOVË- Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë zgjedhur sot kryetarin e ri të partisë i cili është Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke u zgjedhur kryetar që në raundin e parë.
Në garë për tu bërë kryetar i LDK-së ishte edhe Lutfi Harizi i cili mori 117 vota dhe Besian Musatafa me vetëm 16 vota, ndërsa Anton Quni hoqi dorë nga kandidimi pak orë para se të fillonte procesi i votimit.
Pasi u shpall kryetar i LDK-së Lumir Abdixhiku, i falënderoi për besimin dhe tha se do të hapet një faqe e re në rrugëtimin politik të LDK-së duke e kthyer sërish në vendin e saj origjinal.
“Ju faleminderit nga zemra për besimin. Sot po e hapim një faqe të re në rrugëtimin tonë politik me synime të qarta për ta rikthyer LDK-në në vendin e saj origjinal”, tha Abdixhiku.
Ai tha se LDK-ja ka qenë gjithnjë promotore dhe kujdestare e vlerave, ndërsa tha se arsyen për humbjen e votuesve duhet ta gjejnë në vetvete.
“LDK u tregua kujdestare e vlerave, promotore e secilit hap euro-atlantik. LDK nuk arriti të mbajë e as të rrisë votuesit e saj. Arsyen e vërtetë e gjejmë te vetvetja dhe nga vetvetja duhet ta nisim rrugëtimin tonë të madh”, tha ai.
Pas certifikimit të zgjedhjeve më 14 shkurt, LDK-ja ka dalë partia e tretë me 12.76 % të votave. Ky është rezultati më i ulët që ka marrë ndonjëherë LDK-ja në zgjedhje parlamentare.
Pas rezultatit të shënuar, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje.