Foto ilustruese

Kosova 15 vjet shtet i pavarur! Mesazhet nga politika shqiptare dhe ndërkombëtarët: Të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë

17 Shkurt 2023, 12:24| Përditesimi: 17 Shkurt 2023, 15:15

  • Share

TIRANË- Sot Kosova feston 15 vite shtet i pavarur dhe sovran. Urimet kanë nisur që prej mëngjesit nga Shqipëria dhe e gjithë bota që kanë uruar Ditën e Pavarësisë. Edhe mesazhet për normalizimet e raporteve me Serbinë kanë mbërritur nga liderët ndërkombëtarë. Kryeministri Edi Rama e nisi ditën me fotografinë e një fëmije të vogël që mbante në dorë balonën me flamurin e Kosovës dhe uronte “Gëzuar”. Ministrja e Jashtme Olta Xhacka e cilëson ditë për t’u ndjerë krenarë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Mesazhet, që u dërguan në adresën e Presidentes Vjosa Osmani janë publikuar nga mediat e Kosovës. Përveç urimeve dhe zotimeve për thellime të raporteve, këtë vit kanë theksuar edhe nevojën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të planit të BE-së.  Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier vlerësoi përpjekjet e panumërta të Kosovës për liri, demokraci dhe diversitet. Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se mirëpresin miratimin për propozimin e BE-së në normalizimin, me synimin eventual të njohjes reciproke, i cili mund të ndihmojë të sigurojë një të ardhme më paqësore. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron tha se situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thotë se është i rëndësishëm dialogu i këshilluar nga ShBA e BE  dhe normalizimi i raporteve me Serbinë. Ndërsa Sali Berisha thotë se Kosova këto vite është përballur me shantazhe, provokime të serbomëdhnjve të Beogradit dhe vasalëve të tyre, por ka qëndruar gjithnjë një faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.

 Ish kryetari i PD Lulzim Basha shkruan se rruga drejt së ardhmes është e mbushur me sfida ndërsa shton se se lidershipi politik dhe populli i Kosovës do t'ia dalin ti tejkalojnë me sukses përgjatë rrugës së konsolidimit të shtetit dhe integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, krerët më të lartë të shtetit si dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan për pavarësinë e vendit. Ata folën për forca të errëta që tentojnë destabilizim, por theksuan se sovraniteti i Kosovës është i panegociueshëm! 

Dita nisi me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe u pasua me ngritje solemne të flamurit të Kosovës. Më pas u bën homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Pas përfundimit të seancës solemne, u mbajt një parakalim i i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.

Ora 16:38
FOTOLAJM/ Surpriza e veçantë, Posta Shqiptare emeton pullë për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Posta Shqiptare ka emetuar një pullë të re dedikuar 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë foton nga pulla, ndërsa vihet re se është përdorur edhe logoja e Shqipërisë dhe Kosovës në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Ora 15:37
15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Veliaj homazhe në Prizren: Kujtesa na motivon për të ecur përpara

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në homazhet në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Ai tha se kjo është një ditë e bekuar për Kosovën dhe se kujtimi për sakrificën e dëshmorëve na motivon të ecim përpara.

“Kjo është një ditë e bekuar për Kosovën! 15 vjet mund të jetë moshë e vogël, por kur mendon se në këto 15 vjet janë aspiratatat e qindra viteve dhe sakrificat e mijëra njerëzve, atëherë kanë shumë më shumë kuptim se koha që ka kaluar. E nisëm ditën sot për të respektuar gjakun e të rënëve. Një komb që harron sakrificat dhe historinë, që harron sa mund, sa djersë, sa gjak është derdhur, nuk ka mundësi të bëjë përpara. Kosova, pikërisht se është themeluar mbi sakrificat, është themeluar në jetë rinore të atyre që ishin në kulmin e ëndrrave të tyre, që lanë gjithçka për këtë tokë të shenjtë, meritojnë të parët respekt. Respekt për dëshmorët, qofshin gjithmonë të paharruar! Respekt për familjet, respekt për shoqatat që e mbajnë gjallë atë frymë. Unë besoj se kujtesa është ajo që na motivon për të ecur përpara”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se qytetet janë shumë të rëndësishme në historinë e kombeve tona.

“Ne vërtetë festojmë pavarësitë e Shqipërisë dhe Kosovës, ama qytetet kanë ekzistuar edhe para se të kishim shtetet e pavarura. Shpeshherë qytetet si Prizreni, me Lidhjen e Prizrenit, apo shumë qytete të rëndësishme të Shqipërisë dhe Kosovës, si Kruja etj, kanë ekzistuar para se ta kishim pavarësinë si shtet. Qytetet na kanë prodhuar energjinë edhe për të pasur shtetet. Qytetet merren më pak me politikë, më shumë me punë konkrete, ndaj edhe unë besoj se vëllazëria mes qyteteve, njerëzve të thjeshtë, është ndoshta vëllazëria më e sinqertë. Është pa protokoll, pa burokraci, pa traktate e marrëveshje. Është si ta ndien zemra e si ta ndjen shpirti, ndaj edhe sot shikoj që janë bashkuar zemrat tona dhe mezi pres të bëjmë sa më shumë punë të përbashkëta. Unë e di se kush merret me punë publike, s’ngelet pa u kritikuar, s’bën dot punë pa marrë kritika, pa marrë opinione, ama detyra jonë është të udhëheqim dhe teksa udhëheqim, sigurisht që ka opinione të ndryshme, por besoj se qëllimi ynë i përbashkët është që t’i ngremë emrin Tiranës, Prizrenit dhe t’i vëllazërojmë qytetet tona”, u shpreh Veliaj.

Ora 12:21
Blinken uron Pavarësinë e Kosovës, rikonfirmon partneritetin mes 2 vendeve

1676633169_bliken.JPG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e shtetësisë, dhe ka rikonfirmuar partneritetin mes dy vendeve.

Ai ka thënë pret vazhdim të bashkëpunimit për forcim të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, është thelbësor për këtë gjë. Marrëveshja e propozuar së fundi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen tonë të madhe dhe ajo do të drejtojë shtetin tuaj drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe integrimeve evropiane e euro-atlantike”, ka thënë Blinken.

Ora 12:03
15 vite Pavarësi e Kosovës, Berisha: Ka në themel shpirtin e pamposhtur të qytetarëve të saj ndaj barbarive

1676547342_Screenshot15.jpg

Ish kryeministri Sali Berisha ka ndarë një mesazh për pavarësinë e Kosovës.

Mesazhi i plotë: 

Të dashur miq, sot shqiptarët në Kosovë, dhe kudo që janë në mbarë botën, festojnë 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës si ditën e dytë më të madhe të lirisë se tyre pas pavarësisë së Shqipërisë. Por ne shqiptarët sot kremtojmë 15 vitet e para në historinë tonë shekullore si një komb në liri, mbasi liria kombëtare është një dhe e pandarë.

Kosova e lirë dhe e pavarur ka në themel shpirtin e pamposhtur të qytetarëve të saj ndaj barbarive dhe genocidit ciklik serb, ka luftrat, gjakun, qëndresën epike dhe sakrificën sublime të qindra e mijëra martirëve të saj që luftuan dhe ranë për tu bërë të pavdekshëm për liri dhe dinjitet kombëtar nga vitet 1870 në vitet 1999, ka luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të saj, komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë, si faqja më e ndritur në historinë e luftrave të kombit tonë pas atyre të prijësit të përjetshëm të shqiptarëve, Skenderbeut.

Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitetktit te saj, politikanit mëndjendritur të kombit shqiptar, Presideniti Ibrahim Rugova,Gandit Ballkanik dhe Europës që thuri tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike, njeriut të civilizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe që themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbar.

Presidenti Rugova paraqiti dhe mbrojti me vendosmëri dhe vizion në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të botës çështjen e drejtë të popullit të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Ai arriti ta shndërrojë këtë kauz në çeshtje kryesore të axhendes të SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!

Pas lufte, ai me urtësi dhe vizion hodhi themelet e shtetit të sotëm të pavarur, demokratik properendimor të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari që i la kombit të tij kreshtën e trimërisë, heroizmit dhe sakrificës si dhe heronjve të tjerë të pavdekshëm dhe dhjetra mijëra luftëtarëve të lirisë që me guximin, heroizmin, sakrificën e tyre bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë dhe çliruan Kosovën.

Pavarësia e Kosovës është vepër e shqiptarëve në rajon dhe kudo në botë që moton ‘Një komb një qendrim’ u bashkuan si një trup i vetëm, dhe Shqipëria pas çlirimit të saj nga diktatura hoxhiste luajti rolin e saj të pazëvendesueshëm!

Por Kosova u bë e lirë dhe e pavarur vetëm falë mbështetjes së fuqishme dhe rolin përrcaktues të SHBA, të Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Klinton dhe Presidentit George Ë Bush, vendeve të mëdha të perëndimit dhe vendeve anëtare të NATOS në Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës!

Sot në këtë 15 vjetor me arritjet e saj mahnitëse për një kohë të shkurtër si vend i pavarur, Kosova bënë krenar çdo shqiptar. Ajo sot është një demokraci funksionale që ka konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe ka arritur standartet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave në rajon.

Ajo u ngrit si feniksi nga hiri dhe shkrumbi që lënë pushtuesit dhe ka sot një ekonomi solide në rritje, ka ndërtuar infrastrukturën më moderne në rajon. Kosova është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në trojet e tyre. Ajo në këto vite ka bërë emër botëror me talentin e rallë dhe zërin magjeps të çikave të saj dhe shkëlqimin e mbretëreshave të saj në sport.

Kosova këto vite është përballur me shantazhe, provokime të serbomëdhnjve të Beogradit dhe vasalëve të tyre, por ka qendruar gjithnjë një faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.

Të dashur miq, duke uruar nga zemra, Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe mbarë shqiptarëve 15 vjetorin e Pavarësisë, ju ftoj të përulemi me nderimin më të madh dhe mirënjohjen tonë më të pakufijshme para sakrificës së qindra e mijëra martirëve të saj, luftëtarëve të lirisë, që luftuan e flijuan jetën dhe rininë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para veprës së pavdekshme të arkitektit të pavarësisë së Kosovës Presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe të falenderojmë me mirënjohjen më të thellë SHBA dhe vendet e tjera anëtare të Natos që me ndërhyrjen e tyre luajtën rol përcaktues në çlirimin e saj .Gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe miqtë e tyre!

Ora 12:00
15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Meta: Urimet më të përzemërta!

1676633514_3315693948862095692971677333589733149507053n.jpg

Ish presidenti Ilir Meta ka uruar pavarësinë e Kosovës. Ai ka ndarë edhe foto me ish presidentin historik, Ibrahim Rugova.

"Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur!

Ndajmë krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat dhe elementët shtetndërtues duke u kthyer në vetëm pak vite një shembull frymëzues për Shqipërinë dhe rajonin!

Urimet më të përzemërta!"- shkroi Meta. 

Ora 11:34
Njohja e Kosovës, ambasadori ukrainas në Tiranë: Na lini të dalim nga zjarri i luftës pastaj u kthehemi temave të tjera

 

Ambasadori ukrainas në Tiranë Volodymyr Shkurov në kuadër të 15-vjetorit të pavarëisë së Kosovës u shpreh se njohja e Prishtinës si shtet i pavarur do te jetë në plan të dytë.

“Ne e dimë këtë çështje, e dimë këtë situatë, dimë gjithçka në lidhje me Kosovën, por unë dua të theksoj se Ukraina sot ndodhet në zjarrin e luftës dhe ju kërkoj të na lini të dalim nga zjarri i luftës dhe pasi të fitojmë, në fund t’i kthehemi temave të tjera. Sot për sot, gjëja më e rëndësishme për ne është të fitojmë luftën dhe të dalim nga ky tmerr i luftës që po ndodh në Ukrainë. Kosova do të jetë hapi i dytë. “- tha ambasadori.

Ora 11:06
15 vjet shtet sovran, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë: Kemi qenë me ju qysh prej fillimit! Urimet më të përzemërta nga Uashingtoni

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka ndarë mesazhin e urimit për Kosovën në kuadër të 15-vjetorit të pavarësisë. Diplomati thotë se SHBA ka qenë pranë Kosovës qysh prej fillimeve të hershme, kur shteti i Kosovës forcoi sovranitetin dhe këmbënguli për liri e demokraci.

Ambasadori i SHBA-ve vlerësoi përpjekjet e panumërta të Kosovës për liri, demokraci dhe diversitet. Ai shtoi se SHBA shpreh sot urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës.

“15 vjet më parë në 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Po anë atë ditë, SHBA-të e njohën pavarësinë e saj. Më pas sekretarja e shtetit amerikan në atë kohë lidhën bashkë marrëdhëniet diplomatike dhe ri konfirmuan bashkëpunimin e miqësisë mes dy vendeve.

Gjatë një dekadë e gjysmë pavarësi kam pasur privilegjin dhe nderin të shoh përparimin e historisë së pabesueshme të Kosovës. Mbani mend, ky është rezultati i punës së palodhur dhe dedikimit e popullit të Kosovës për ta çuar përpara pavarësinë, demokracinë dhe sovranitetin e vendit të tyre. SHBA janë krenarë për mbështetjen e hershme ndaj Kosovës. Kemi qenë me ju qysh prej fillimit dhe partneriteti ynë mbetet i fortë si guri. Teksa shohim përpara, ne vlerësojmë e çmojmë këmbënguljen e Kosovës për vlerat e lirisë, demokracisë diversitetit. Sot teksa kujtojmë këtë moment historik jam i nderuar t’u shpreh urimet më të përzemërta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”- tha ambasadori i SHBA në Kosovë.

Ora 10:03
15 vjet nga Pavarësia e Kosovës, Basha: 17 shkurti 2008 është një moment historik për çdo shqiptar

1676625006_6400623f4d14610e7.jpg

Ish kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar Kosovën për Pavarësinë e Kosovës

“Sot 15 vjet më parë burrat dhe gratë e Kosovës kurorëzuan një përpjekje shekullore, shpalljen e pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti 2008 është një moment historik për çdo shqiptar, ndërsa për mua, një nga ditët më të bukura të jetës time, kur si nip Kosove pashë të bëhet realitet ëndrra e gjyshërve të mi.

Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan për këtë ditë, ata që e mbajtën gjallë ëndrrën dhe e përçuan ndër breza, ata që ranë në altarin e lirisë për ta mbrotjur atë, ata që sot fatkeqësisht po sakrifikojnë e po përballen me akuzat, dhe ata që çdo ditë po punojnë për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Rruga drejt së ardhmes është e mbushur me sfida dhe këtë po e shohim përditë. Jam i bindur se me maturi dhe vendosmëri, lidershipi politik dhe populli i Kosovës do t'ja dalin ti tejkalojnë me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së konsolidimit të shtetit dhe integrimit të Kosovës në stukturat euroatlantike.

Në këtë rrugëtim Kosova nuk është vetëm. Në krah të saj janë sot shqiptarët anembanë botës, janë miqtë dhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë që mundësuan ta gëzojme këtë ditë të madhe. Sot e përgjithmonë do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, të vendosur dhe krah për krah partnerëve tanë euroatlantikë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!”- shkruan Basha.

Ora 10:02
15 vite Pavarësi e Kosovës, Nikolla: Rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar

1676558457_Screenshot2.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar pavarësinë e Kosovës. Nikolla e cilëson si ditë historike që u arrit si rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar.

“Si sot, 15 vjet më parë, në atë dimër shprese të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Pergamena 200-vjeçare në të cilën janë “qendisur” teksti dhe  nënshkrimet e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është simboli i përpjekjeve titanike të vëllezërve kosovarë për çlirim, liri, pavarësi e drejtësi.

Pavarësia e Kosovës është vijimi logjik i Kosovës së lirë.

Kosovës e lire është rezultat i luftës çlirimtare të UÇK dhe popullit kosovar.

Rezultat i rezistencës dhe përpjekjeve paqësore të popullit dhe udhëheqësve kosovarë për të sensibilizuar ShBA, BE dhe vendet e tjera të botës së qytetëruar. 

Të gjithë këta faktorë bënë të mundur çlirimi dhe liria e Kosovës të bëhej provë e ndërgjegjes së botës së lirë ndaj një populli të shtypur.

Kuvendi i Shqipërisë është në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës për luftën çlirimtare të UÇK, integrimeve evro-atlantike,  rritjes së njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dialogut të këshilluar nga ShBA e BE  dhe ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe rritjes së kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë në rajon, kontinent e më gjerë.

Në këtë ditë historike i shpreh urimet e mia dhe të Kuvendit të Shqipërisë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarit Glauk Konjufca si edhe  popullit të Kosovës.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit.

Ora 08:55
15 vite Pavarësi e Kosovës, ministrja Kushi: Po e uroj Prishtinën me punimet nxënësve të realizuara nga e gjithë Shqipëria, krenare për mesazhet kuptimplota

1676620551_kushi.jpg

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka zgjedhur të urojë Kosovën me anë të disa punimeve të nxënësve në shkolla të cilat do të jenë pjesë e ekspozitës së përbashkët me datë 21 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Në këtë ditë të shënuar, zgjodha të uroj vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë me disa nga punimet e realizuara nga nxënës të shkollave nga e gjithë Shqipëria, të cilat do të jenë pjesë e ekspozitës së përbashkët, më datë 21, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Prishtinë.

Ndihem krenare për mesazhet kuptimplotë që përcjellin nxënësit tanë nëpërmjet talentit të tyre dhe është detyra jonë e përbashkët që të ushqejmë tek ata ndjenjat e atdhedashurisë, vëllazërisë dhe krenarisë kombëtare.

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!”- shkruan Kushi.

Ora 08:44
15 vjet shtet sovran, Liderët botërorë urojnë Kosovën për pavarësinë: Duhet marrëveshje me Serbinë

1676619880_64001676618075x11112022zkm6600x360727.jpg

Liderë botërorë, partnerë e aleatë të Kosovës, kanë uruar për Ditën e Pavarësisë. Mesazhet, që u dërguan në adresën e Presidentes Vjosa Osmani janë publikuar nga mediat e Kosovës. Përveç urimeve dhe zotimeve për thellime të raporteve, këtë vit kanë theksuar edhe nevojën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të planit të BE-së.

Joe Biden: Ne mirëpresim miratimin tuaj për propozimin e BE-së në normalizimin, me synimin eventual të njohjes reciproke, i cili mund të ndihmojë të sigurojë një të ardhme më paqësore dhe më me prosperitet për qytetarët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Ëalter Steinmeier: Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë Ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier dërguar Presidentes Osmani.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron: Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është ajo në të cilën jemi fokusuar gjatë presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2022. Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron.

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella: Konteksti aktual europian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi europian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim europian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në urimin e kreut të shtetit italian.

Mbreti Charles: Dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese”, thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III.

Ora 08:39
15 vjet Pavarësi e Kosovës, Xhaçka: Gëzuar vëllezërve dhe motrave tona kudo që janë

1676619580_WhatsAppImage20220227at6.38.46PM.jpeg

Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka ka ndarë një urim në kuadër të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës vëllezërve e motrave tona në &të gjithë kudo që janë! Një ditë për t'u ndjerë krenarë për sa shumë ê arritur në këto 15 vjet& për të kujtuar me nderim të gjithë ata që punuan e luftuan duke sakrifikuar gjithçka për Kosovën e pavarur.”- shkruan Xhaçka.

Ora 08:13
15 vite nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, uron kryeministri Rama: Gëzuar

1676396982_GSAAA.JPG

Me rastin e 15 viteve pavarësi e Kosovës ka uruar kryeministri Rama. Nëpërmjet një postimi në Facebook kreu i qeverisë ndan një foto ku përbri shkruan:

“MIRËMËNGJES

Gëzuar Pavarësinë”- shkroi ai.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kosovari: 17/02/2023 19:48

    Te gjithe liderat boterore uruan Kosoven per 15 vjetorin e pavaresise ndersa kosovaret perdhosen monumentin e pavaresise NEWBORN ne vend qe ta zbukuronin e sakatuan nga NEWBORN qe ishte e kane bere NONEWBR kjo perdhosje i shkon per shtat serbeve dhe miqve te tyre.

    Përgjigju
  • Mala: 17/02/2023 14:56

    Po mos te kishe pasur disa veprim antikosove,si: Arrestimin e Komandantit legjendar Adem Jash ari,Drjetuesine UCK Z.Hashim Thacin dhe sh ume pengesa te tjera,pa permendur edhe bisedimete mudnshme ne serbomalazezet per autonom8i te Kosoves,shitjen e derivateve Miloshit,kur ai ishte ne bllokade nderkombetare, qe te na vrete te na pret e debojhe me lehte. e shume te tjera.Sot do te gezoheshim dhe do ishim mirenjohes per deklaraten dhe urimin "shpirteror" qe na e thua me goje apo e sh kruan me dore !!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?