Kosova dhe Maqedonia kanë vendosur që të anulojë të gjitha fluturimet që vijnë nga zonat e prekura me koronavirus në Itali. Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, shprehet se për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit ka vendosur anulimin e fluturimeve me vendet e prekura nga koronavirusi në Itali. Ai tha se këtë rekomandim e ka marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, për shkak të karantinës së vendosur nga qeveria italiane për zonën veriore të saj.
“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit.
Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, shkruan Abdixhiku.
Gjithashtu njëra prej kompanive në Maqedoni, “Wizz Air” i anuloi fluturimet nga Shkupi dhe Ohri për Trevizzo dhe Milano deri më 3 prill. Fluturimet e sotme për Trevizo të Italisë është anuluar për shkak të dekretit nga Qeveria e Italisë me të cilën e gjithë Lombardia dhe 14 provincat e tjera veriore janë karantinuar për shkak të koronavirus.