Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

Sulmoi efektivët e policisë në pikën kufitare të Jarinjës, njëri mori trajtim mjekësor! Arrestohet një serb në Kosovë

3 Tetor, 14:10| Përditesimi: 3 Tetor, 14:14

  • Share

Një shtetas i Serbisë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje policore, pasi ka sulmuar zyrtarët policorë në pikën kufitare të Jarinjës, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më 2 tetor në orën 04:55 dhe një zyrtar policor ka marrë tretman mjekësor, sipas raportit 24-orësh të Policisë.

Për këtë rast, Policia nuk ka dhënë detaje të tjera.

Pika kufitare e Jarinjës gjendet në Leposaviq – një nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – që lidh Kosovën me Serbinë.

Përveç Jarinjës, pikat tjera kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë ajo e Bërnjakut, Merdarës, Mutivodës, Dheut të Bardhë dhe Muçibabës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe të dyja shtetet zyrtarisht nuk e kanë kryer procesin e demarkacionit të kufirit.

Gjatë viteve të fundit, në vijën kufitare kanë ndodhur disa incidente.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga përfundimi i luftës më 1999 përkujdeset për sigurinë e kufijve të Kosovës.

Ky mision e ka këtë përgjegjësi bazuar në atë që njihet si Marrëveshje Ushtarako-Teknike e Kumanovës, e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë. Serbia e ka nënshkruar këtë marrëveshje me NATO-n në vitin 1999, duke i tërhequr më pas të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

Megjithatë, që nga viti 1999 edhe Policia e Kosovës kryen patrullime në vijën kufitare./REL

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?