Sport

Kosova bën historinë në Lojërat Olimpike, merr medaljen e dytë të artë! Nora Gjakova shpallet Kampione Olimpike në Tokio: Faleminderit Majlindës që na hapi rrugën

26 Korrik 2021, 12:18| Përditesimi: 29 Korrik 2021, 16:57

  • Share

TOKIO- Kosova ka siguruar sot medaljen e dytë të artë në Lojrat Olimpike të Tokios, pasi ka shkëlqyer me një tjetër xhudiste. Për të bërë krenarë ‘dardanët’ mendoi sot Nora Gjakova, e cila fitoi të artën në kategorinë 57 kilogramë. Gjakova në finale u ndesh me francezen Sarah Leoine Cysiquen, të cilën e mposhti jo me pak vështirësi. Në gjysmëfinale xhudistja nga Kosova mundi japonezen, Tskukasa Yoshida që ishte dhe pretendentja kryesore në peshën deri në 57 kg.

Pak pasi fitoi medaljen e Artë, Gjakova tha se për të është gati e pabesueshme, teksa mes falënderimeve, nuk harroi edhe Majlinda Kelmendin, ish-kampionia Olimpike në vitin 2016.

“Unë dua t’i falënderoj të gjithë, ekipi është i jashtëzakonshëm, faleminderit Tonit i cili është meritori më i madh për sukseset tona, faleminderit familjes, faleminderit Majlindës që na i ka hap rrugën”, tha ajo.

Medalja e 28-vjeçares vjen dy ditë pas asaj të Distria Krasniqit, e cila u shpall kampione në kategorinë 48 kilogramë. Në historinë e Kosovës kjo është medalja e tretë në olimpiada, pasi Majlinda Kelmendi fitoi po të artën në Rio 2016.

Ora 13:29
Nora Gjakova: Faleminderit Majlindës që na hapi rrugën, doja që edhe vëllai të fitonte medalje

Pas përfundimit të garës ku u shpall kampione dhe për rrjedhojë mori medalje ari xhudistja nga Kosova Nora Gjakova ka folur me superlativa për trajnerin e saj, por edhe për Majlinda Kelmendin, që fitoi medaljen e parë në histori të Kosovës në Lojrat Olimpike.

Për Radio Televizion Kosova, Nora Gjakova u shpreh: “Nuk e di ende po më duket e pabesueshme, edhe kur kam arrit në finale veç e kam pa Tonin edhe e kam ditë që kom arrit në finale. Padyshim që është ndjenjë e pabesueshme, nuk e kam menduar që kam me fituar medalje olimpike, normalisht kam ardhur për fitore, por nuk i dihet kurrë fitores apo humbjes.

Unë dua t’i falënderoj të gjithë, ekipi është i jashtëzakonshëm, faleminderit Tonit i cili është meritori më i madh për sukseset tona, faleminderit familjes, faleminderit Majlindës që na i ka hap rrugën. Ka qenë një ditë me emocione të dyfishta, kam pas emocione edhe për vete por edhe për Akilin, kam pas dëshirë edhe Akili me qenë medalist por prapëseprapë një medalje po e dërgojmë në shtëpi”.

Ora 13:28
Fitimi i medaljes së arit, trajneri i Gjakovës: Me kampionen numër 3 Olimpike të popullit shqiptar

Pas fitimit të medaljes së artë së Nora Gjakovës ka reaguar trajneri i ekipit kombëtar të xhudos Driton Kuka, i cili këtë arritje ia dedikon të gjithë popullit shqiptar, por në veçanti Kosovës.

“Me Kampionen numër 3 Olimpike për popullin Shqiptar! Kosova mbi të gjitha…”, shkroi Driton Kuka.

Dy ditë më parë në Tokio Kosova fitoi medaljen e artë po në xhudo me Distria Krasniqin, ndërsa në Lojrat Olimpike të Rios këtë traditë e nisi Majlinda Kelmendi.

Ora 13:25
Tjetër e Artë e Kosovës në Tokio, Rama uron Nora Gjakovën: Yll, bravo

Pas marrjes së medaljes së dytë të Kosovës me shpalljen kampione olimpike të xhudistes Nora Gjakova, Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai ka uruar sportisten, duke postuar edhe një foto të saj.

" YLL! Bravo, Bravo, Bravo", shkruan Rama.

Ora 12:58
Gjakova merr medalje të artë në Lojërat Olimpike, Basha: Kosova një shtet që po ngrihet nëpërmjet sportit ballë lartë në arenën ndërkombëtare

1627297108_E7N3T1XEAIPB5s.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar xhudisten Nora Gjakova, për medaljen e artë të marrë në Lojërat Olimpike.

“Gëzojmë për medalisten e artë Nora Gjakovën dhe për Kosovën sepse ky nuk është vetëm një sport por një shtet që nëpërmjet sportit ngrihet ballëlartë në arenën ndërkombëtare dhe na nderon të gjithëve! Historike”, shkruan Basha.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • shkodrani: 26/07/2021 21:12

    eh ju lumta vajzat e kosoves na nderuat shqiptarine

    Përgjigju
  • Bravo te qoftë: 26/07/2021 11:15

    Urime moj dardane! E paq hallall qumshtin e nanes , na e bone mal zemren!

    Përgjigju
  • Agjenti: 26/07/2021 10:39

    Bravoo Kosova urime

    Përgjigju
  • F-35: 26/07/2021 10:33

    Te lumte moj sokoleshe! Nuk mund t'i beje dhurate me te bukur Kosoves pas aksidentit tragjik te ndodhur dje! Brvo e urime!

    Përgjigju
    • Loku: 26/07/2021 12:29

      Sokol tradhetari e ke fjalen?!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?