Flamuri i BE-së

Kosova dhe Serbia kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 17 shtatorit

13 Shtator, 21:02| Përditesimi: 13 Shtator, 21:04

  • Share

Burimet e Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian kanë thënë se presin që të martën, më 17 shtator, të zhvillohen takimet Kosovë - Serbi, në nivel të kryenegociatorëve, pasi pjesëmarrjen e kanë konfirmuar si Besnik Bislimi nga Kosova, ashtu edhe Petar Petkoviq nga Serbia.

Megjithatë, sipas tyre, ka pasur tentime prej të dyja palëve që të ndërhyjnë në agjendën e përgatitur për takime.

Prandaj, sipas tyre, nëse nuk do të ndodhë takimi trepalësh, atëherë fajin do ta kenë të dyja palët.

Më herët gjatë së premtes, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociatori i vendit në dialogun me Serbinë në Bruksel, ka thënë se ka pranuar pjesëmarrjen në një takim trepalësh, të caktuar për 17 shtator, dhe që Serbia e ka refuzuar atë.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Bislimi ka thënë se Kosova e ka pranuar takimin sipas një agjende të përcaktuar nga ndërmjetësuesi, ndërsa Serbia ka tentuar të përcaktojë agjendën “kryesisht për konsum të brendshëm politik”.

Bislimi e ka ftuar të dërguarin evropian për dialogun mes dy palëve, Mirosllav Lajçak që të hedhë poshtë ato që i ka konsideruar dezinformata të mediave lokale serbe, nëpër të cilat, ai ka thënë se është raportuar kinse Kosova e ka refuzuar takimin.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që palët bëjnë propozimet që kundërshtohen nga pala tjetër.

Nuk përjashtohet mundësia që të mos ketë takim trepalësh të martën, por vetëm takime bilaterale të të dyja delegacioneve me diplomatin Lajçak.

Kështu ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën kur palët nuk janë pajtuar të takohen.

Lajçak ka zhvilluar takime në ditët e fundit në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim të përgatitjes për rundin e ardhshëm të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

Palët dialogojnë prej vitit 2011 në Bruksel, nën ndërmjetësim të BE-së, kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Dialog i nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk është mbajtur që një vit.

Lajçak ka thënë së fundmi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se konsideron që shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë gati për normalizim./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?