Kosova & Rajoni

Kosova do të prodhojë dy lloj municionesh dhe do të dizajnojë dronë luftarakë! Nënshkruhet kontrata me kompaninë turke

16 Dhjetor 2024, 16:00| Përditesimi: 16 Dhjetor 2024, 22:18

  • Share

Qeveria e Kosovës nënshkroi sot një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, “Makine ve Kimya Endüstrisi”, për themelimin e një fabrike municionesh në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për atë që qeveria e ka cilësuar nevojë për një industri të vetë-qëndrueshme të mbrojtjes

Në një njoftim të zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, thuhet se fabrika do të prodhojë “kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”.

'Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi" (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes. MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore', shkruan Kurti. 

Me 27 nëntor Kryeministri Kurti tha se Kosova planifikon të ndërtojë fabrikën e saj të municionit dhe laboratorin e projektimit të dronëve, për të mbështetur industrinë e mbrojtjes së vendit.

Kryeministri Kurti ka theksuar shpesh se Kosova duhet të jetë e gatshme të përballet me çdo kërcënim nga Serbia fqinje, e cila e kundërshton pavarësinë e Kosovës, që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

S.G/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?