Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklaratat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pasi Kosova i shqiptoi një muaj paraburgim një zyrtari qeveritar serb, janë kërcënuese që nuk duhet neglizhuar, pasi sipas tij rrezikojnë sigurinë e rajonit.
“Deklaratat e presidentit Vuçiq të bëra më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por politikë shtetërore”, tha Kurti gjatë një konference për media.
Vuçiq një ditë më parë e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim Igor Popoviqit, ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Popoviq dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të reagojë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit”, që tha se mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi sipas Kurtit, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin rendin dhe demokracinë tonë”, tha Kurti.
Pse u ndalua Popoviqi?
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Ndërkaq, më 20 korrik, ndaj tij u shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në anën tjetër, Prokuroria në Beograd njoftoi të hënë se i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) për mbledhjen e informatave të nevojshme, “me qëllim të identifikimit të personave” që e kanë arrestuar Popoviqin.
Kjo prokurori tha se kjo kërkesë u bë për të konstatuar nëse "ekzistojnë elemente të veprës penale të rrëmbimit".
Serbia po ashtu për këtë rast ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Popoviqit. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, por edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – e kanë cilësuar si “vendim politik” shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit serb.
Më herët, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendi nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë dhe të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.
Kundër pranisë së Popoviqit në Kosovë janë shprehur edhe kategoritë e dala nga lufta.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë./ REL
Komente
