Kosova dhe Ishujt Faroe luajnë nesër testin e radhës miqësor në "Fadil Vokrri". Në 18:00 drejtësinë e vendosin tre arbitrat nga Superliga shqiptare. Juxhin Xhaja do jetë kryesor në këtë duel, teksa ndihmësa të tij Denis Rexha dhe Nertil Bregasi.
Arbitër i katërt do jetë Dardan Çaka nga Kosova. Kujtojmë se dy ditë më parë Kosova barazoi 2-2 me Armeninë po në Prishtinë, me armenët që nesër në 17:30 luajnë miqësoren me Shqipërinë në "Air Albania".
UEFA ka vendosur që përballjen e Kosovës ta gjykojnë arbitrat nga Shqipëria, teksa në Shqipëri 1-3 Itali gjykuan arbitrat kosovarë me kryesor Genc Nuzën. Trajneri i Kosovës, Alain Giresse nesër kundër Ishujve Faroe pritet të hedhë në fushë emra të rinj dhe që nuk kanë marrë shumë minuta, njëjtë si në barazimin e dy ditëve më parë.