Droni RQ-20 Puma LE

Kosova & Rajoni

Kosova pajisjet me dronët pa pilot ‘Puma’, Maqedonci: Bashkëpunimi me Amerikën po thellohet

8 Shtator, 16:03| Përditesimi: 8 Shtator, 16:22

  • Share

Javën e kaluar, Kosova ka pranuar dronët pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të blera nga Shtetet e Bashkuara, njoftoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se këta dronë janë blerë përmes programit shtet më shtet dhe se pagesa për këto fluturake është realizuar më 2021.

Specifikat e dronëve RQ-20 Puma LE

Sipas kompanisë që i prodhon dronët RQ-20 Puma LE, ata mund të fluturojnë 3.200 metra mbi nivelin e detit dhe mund të qëndrojnë në ajër afër 6 orë.

Rrezja e veprimit e këtyre fluturakeve është nga 20 deri në 60 kilometra.

Shpejtësia e tyre është nga 46-76 kilometra në orë. Ngarkesa që mund të bartin është deri në 2.5 kilogramë.

Gjerësia e krahëve është deri në 4.6 metra dhe gjatësia është 2.2 metra.

Dronët mund të lëshohen me dorë apo edhe nga automjetet.

Ai nuk tregoi se për sa fluturake pa pilot bëhet fjalë. Megjithatë, sipas raportimeve të mëhershme nga mediat amerikane, Kosova ka porositur 40 njësi të këtyre fluturakeve dhe vlera e tyre vlerësohet të jetë 11.1 milionë dollarë apo 215 mijë për njësi.

“Fluturaket Puma krahas fluturakeve tjera janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot”, shkroi Maqedonci.

Njoftimi për pranimin e dronëve vjen disa javë pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pranoi autoblinda të blerë nga SHBA-ja.

Maqedonci tha se bashkëpunimi me SHBA-në në fushën e mbrojtjes “po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht” dhe ky bashkëpunim, sipas tij, i kontribuon interesave të përbashkëta të të dyja vendeve.

Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, vendi ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre.

FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Edhe në të kaluarën Kosova ka blerë pajisje ushtarake nga SHBA-ja. Më 2018, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Viti i ri shkollor, sa i sigurt iu duket ambienti për fëmijën tuaj?