Politikë

Kosova në ‘Repolitix’/ Spahiu: Trump do i kërkojë Kosovës të kthejë borxhin e miliardave, siç ja kërkoi Ukrainës

4 Shkurt, 21:25| Përditesimi: 5 Shkurt, 07:13

  • Share

Zgjedhjet në Kosovë, kush do e qeverisë atë pas 9 Shkurtit dhe fati politik i Albin Kurtit pas përplasjeve me SHBA-të, ishin disa nga temat e diskutuara sot në mbrëmje (4 Shkurt) në studion e emisionit “Repolitix”, në Report Tv.

Sa i takon deklaratave të Grenell ndaj Kurtit, për të cilin emisari amerikan tha se nuk është i besueshëm për SHBA, juristi Kreshnik Spahiu u shpreh qartë se Grenell nuk mund të flasë pa pasur një dijeni edhe nga shteti amerikan dhe administrata e Trump.

Ai shtoi se Kosova duhet t’i kthejë një borxh politik SHBA-ve dhe Kurti gjithashtu, që e ka krijuar përplasjen me Uashingtonin.

“Duhet të jemi të qartë për qytetarët. A kemi të bëjmë me një qëndrim personal të Grenell apo të SHBA-ve. Nëse do dilte një zëdhënës i Kurtit, Ramës apo Berishës, do dilnin pa lejen e shefit? Pra duhet të sqarojmë nëse kemi qëndrim personal të Grenell apo një veprim të SHBA-ve ndaj regjimit politik të Kosovës. Regjimet politike ose të miqësojnë ose të armiqësojnë, të shtyjnë drejt miqësisë apo armiqësisë. Kemi 27 shtete në BE, popuj të të cilëve kanë bërë luftra të përgjakshme e të paimagjinueshme, me miliona të vrarë, kurse tani janë bashkë. Regjimet i kanë futur në luftë. Për ne nuk ka rëndësi pikëpamja e Grenell për Kosovën, por cili do jetë qëndrimi i SHBA për Kosovën, por populli i Kosovës sjell një person që SHBA nuk e do. Jo rastësisht Grenell publikoi listën e shpenzimeve dhe donacioneve për Kosovën, janë gjysmë miliardi euro. SHBA ka financuar jashtëzakonisht shumë në Kosovë”, tha Spahiu.

Teksa më tej trajtoi edhe dy çështjet në lidhje kthimin e borxhit për ndihmën që SHBA i ka dhënë Kosovës dhe se si të zgjidhet kjo armiqësi apo antiamerikanizëm.

“Trump do ia bëjë si Zelenskyt në Ukrainë, do i thotë zotërinj ju kemi dhënë kaq shumë ndihma, tani çfarë do na jepni ju. Trump ka të drejtë, se janë taksat e amerikanëve. Pra ose ekonomikisht kthehet borxhi, që nuk mund t’i japi dot. Pra nuk i jep as burime dhe as territore, pra mund t’i japim vetëm borxhin politik, që ëhstë partneriteti. Kosova ka me dhjetëra e qindra mijëra intelektualë që mund ta drejtojnë shtetin kosovar, nuk më takon mua të them kë të votojnë qytetarët kosovarë, por po them atë që thuhet nga SHBA”, shprehet juristi.

Ora 22:50
Spahiu: Shqiptarët çuditërisht e duan Trump kur ndërhyn në botë, por jo për zgjedhjet në Kosovë! Keqardhje për përgjigjen e Kurtit ndaj Grenell

 

Juristi Kreshnik Spahiu, sot në Report TV

Juristi Kreshnik Spahiu e cilësoi sjelljen e Kosovës jo të përshtatshme dhe madje të cekët, kurse për kryeministrin Albin Kurti shprehet se ka krijuar vetëm armiq në të gjithë Europën, rajonin dhe deri në SHBA. Madje ka ftohur marëdhëniet edhe me faktorin shqiptar, duke ngritur me grupime të caktuara edhe idenë e Kombit Kosovar.

“Ne nuk bëhemi merak për Albin Kurtin, ai është njeri, sikurse edhe Edi Rama, janë të përkohshëm. Shqipëria dhe Kosova janë të përhershme. Për demokracinë e vendeve s’ka më mirë se të ketë ndryshim elitash sa më shumë, zgjedhje sa më shumë e ndryshime. I them amerikanëve ta provojnë të publikojnë në Kosovë një kritikë dhe nuk do botohet, provoni në rrjete sociale dhe do merrni sulme. Atje po krijohet një sekt, atje po mendohet se Albin Kurti është kryetar i Partisë Komuniste Kineze. Ata nuk mendojnë për më gjerë politikisht. E keqja e partive politie në Kosovë është që të thonë se po jemi antiamerikanë apo të kenë program publik e ta thonë. Por këta hiqen si proamerikanë dhe kur shkojnë atje sillen më keq se Vuçiç. Kurti është në konflikt me të gjitha shtetet e mëdha partnere strategjike si SHBA, Angli, Gjermani, Francë, etj., me Tiranën i ka ngrirë marrëdhëniet”, u shpreh juristi.

Më tej ai i bëri një analizë edhe profilit politik dhe diplomatik të Kurtit, që ka krijuar armiq në të gjithë Europën, rajonin dhe deri në SHBA.

“Më thoni mua se kush është partneri politik i Kurtit në Itali, në Tiranë, Malin e Zi, në Preshevë, me të gjithë i ka ngrirë marrëdhëniet, opozitën kosovare e ka armike, gjithë shqiptarët armike, me Abazoviçin po, në Preshevë nuk e duan, në Maqedoni i bëri lëmsh. Ai nuk përfaqëson kauzë të bashkimit kombnëtar, por të ftohjes. Ai ka sjellë një dëm çështjes shqiptare. A e keni parë se meka e serbëve është në Beograd? A ke parë të kenë unitet shqiptarët për platformën e tyre kombëtare?

Sikur Trump nesër të thotë për ndryshim kufijsh meqë e kërkojnë prej 100 vitesh, a janë gati shqiptarët, a janë gati Kosova të ulen e ta pranojnë? Ata janë gati ta prishin për 10 minuta! Kush është projekti i Tiranës dhe Prishtinës për bashkim kombëtar, kush është projekti i Albin Kurti, ai ka 4 vite që ka marrëdhëniet më të ftohta e Tiranën. Do thoni ju është Rama, dakord. Katër vitet e fundit janë më të ftohta se ato 8 vitet e para, se Rama ka 12 vjet në pushtet”, argumenton Spahiu.

Madje ai jep alarmin se po ngrihet nga grupime të caktuara si sekte që po kërkojnë idenë e Kombit Kosovar.

“Kjo ndodh pasi 4 vitet e fundit po krijohet ideja e projektit të Kombit Kosovar. Lexoni komentet, janë shumë agresivë me Shqipërinë dhe SHBA-në, ata jetojnë në univeers tjetër, janë në univers paralel, këta janë aut (out). Shqiptarët çuditrisht e duan Trump kur ndërhyn në botë, por jo për zgjedhjet në Kosovë. SHBA për shkak të interesave politike e strategjike në rajon nuk na braktisin, por për sjelljen që kemi ne jemi shumë të cekët, kur një njeri i kthehet SHBA-ve, apo që t’i prekësh interesat Kurtit ose edhe Ramës këtu, të lëshohen të gjithë”.

Në fund juristi e mbylli me keqardhjen për përgjigjen që kryeministri Kurti i kishte kthyer Grenell mbrëmjen e sotme nga Podujeva, duke i kujtuar emisarit amerikan se "pushkët i kemi plotë".

“Sapo shoh një reagim të Albin Kurtit që i përgjigjet Richard Grenellit. Shpreh keqardhje për Albin Kurtin, ai i është përgjigjur duke i kujtuar se pushkët i kanë top. Ose Albini ka rrjedhur psiqikisht, ose kjo i nxori fytyrën e vërtetë të pushtetit të tij. Më këtë mua më vjen keq që kam qenë partneri i tij dikur. Me cilat pushkë që i ka plotë do e sulmojë, me ato që i dha Amerika? Kë do sulmojë, SHBA-të që i dhanë pavarësinë?!”, përfundon Spahiu.

Ora 22:00
Spahiu: Kosova duhet t’ia lajë borxhin Amerikës, duke votuar ç’ka duan ata politikisht, jo territorialisht

Juristi Kreshnik Spahiu u shpreh sot në emisionin “Repolitix” se Kosova ia ka borxh Amerikës votimin politik për ta larguar njeriun që krijoi armiqësi me SHBA-të këto vite.

Sipas tij, duket qartë se Uashingtoni nuk e do Albin Kurtin dhe për faktin se Kosova ekziston si shtet vetëm pse vendosi SHBA, lë të kuptohet se populli kosovar ua ka një borxh politik, sepse atë ekonomik nuk e jep dot dhe as mund ta japë.

Spahiu mendon se Trump ka ardhur për politike në rend të ri botëror dhe për rajonin do ngarkojë emisarë dhe ambasadorë fuqiplotë, si rasti Grenell, por do lëjë pika të qarta për zgjidhje dhe tashmë e ka lënë qartë me deklaratën e fundit se Albin Kurti ka pasur qasje antiamerikane.

“Ardhja e Trump në pushtet jo vetëm që ndikon në Shqipëri, Kosovë, rajon, por edhe në rendin botëror. Ai ka ardhur si doktrinë që do shkaktojë apokalips në politikën botërore. Pasi ai erdhi në pushtet Gjermania shkoi në zgjedhje, ra qeveria, Kanadaja po ashtu. Por është e vështirë që shqiptarët e Kosovës ta kuptojnë këtë gjë se mendojnë që boshti i tokës është në Prishtinë. Kosova dhe Shqipëria do jenë në bllokun e emisarëve specialë dhe ambasadorëve fuqiplotë. Kosova dhe Shqipëria s’mund të jenë në paradhomën e Trump se ai ka ardhur për gjeopolitikë ndërkombëtare”, tha juristi.

Më tej ai iu referua edhe deklaratës së Richard Grenell, duke lënë të qartë se SHBA-të nuk e duan Albin Kurtin më kryeministër.

“E theksoj duhet qartësuar a kemi të bëjmë me deklaratë personale të Grenell apo të SHBA-ve. Por emisarët amerikanë e kanë bërë të qartë deri më sot se e kanë me Albin Kurtin, duke përfshirë edhe raporte të NATO-s apo BE-së. Trump mund ta ketë këshilluar emisarin që të ketë kujdes me aleancat në Kosovë. Nga një njeri antiamerikan, të konsiderosh një popull të tërë antiamaeikan. Amerika të bën të qartë se Kurti konsiderohet si antiamerikan nga 4 administrata, nëse ti popull që e mbështet në linjën e tij, atëherë ti futesh në një linjë antiamerikane. Pra e vetmja mënyrë që të lahet borxhi ndaj Amerikës është vota politike në zgjedhjet parlamentare dhe jo kthimi i miliona euro. Kurtin e kam mbështetur 12 vjet politikisht, e njoh shumë mirë prej vitesh. Ai erdhi në politikë me qasje të re se do aplikonte sistem më demokratik se ish-liderët e UÇK-së. Ai nxori i pari që kryetarët e partive të kenë dy mandate, 8 vjet, por ai duket se do jetë 48 vjet. Por a e keni dëgjuar të thotë se do japë dorëheqjen nëse humbet? Pse po kthehet si liderët politikë të Tiranës që nuk njohin humbjen?”, vijoi mendimin e tij Spahiu për Report TV.

Juristi kujtoi edhe rolin e rëndësishëm të SHBA-ve në rajon dhe jo vetëm. Ai theksoi se nëse nuk do ishin SHBA-të, as Kosova nuk do ekzistonte, ndaj vota e kosovarëve këtë herë duhet të jetë borxh politik.

“Funksionimi i Kosovës nuk është njëlloj me të Shqipërisë. Kosova, edhe sikur mos t’i tërheqi trupat ushtarake dhe ndihmën financiare Trump në Kosovë, nëse nuk do e njihte SHBA me Bushin atëherë dhe më pas BE e më tej, nëse s’të njeh SHBA a mund të ekzistojë ai shtet? Nuk ka dy shtete shqiptare me 5 milionë banorë, nuk ka. Sepse mos të ishte SHBA, Albin Kurti do ishte kryetari i një krahine autonome të Kosovës, nëse nuk do Amerika, shteti i Kosovës nuk ekziston. Shteti i Kosovës mbahet me forcë dhe mëbshtetet nga SHBA-të që e krijuan, por ata nuk duan pikërisht këtë njeri, Albin Kurtin. Pra mund të zgjedhin 1,9 milionë të tjerë dhe vetëm atë jo”, shprehet ai.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?