TIRANE- Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Harizi, ka deklaruar se Kosova mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme, nëse Albin Kurti jep dorëheqjen si kryeministër. Në një lidhje skype, ditën e sotme për emisionin "Sot Live ne Shqipëri" në Report Tv, ai u shpreh se po flitet që zgjedhjet të mbahen në fillim të qershorit ose në korrik të këtij viti.
“Zgjedhjet janë çështje kryesore, flitet për në pranverë ose në vjeshtë të këtij vitit. Kurti në moment të fundit di të reagojë. Por, po flitet për fillimin e Qershorit dhe fundin e Korrikut si mundësi. Por, LDK beson se politikisht korrekte janë akti i dorëheqjes së kryeministrit që mund të shkaktoj që për 45 ditë Kosova të shkoj në zgjedhje”, tha ai.
Ndër të tjera, Harizi theksoi se Kosova është në raport të kryqëzuar me aleatët.
“Kosova është në një raport të kryqëzuar me aleatët, me SHBA si edhe me Shqipërinë, për shkak të mendësisë së zotit Kurti”, tha ai.
Sa i përket raporteve Kurti-Rama, ai tha se marrëdhëniet sot janë vetëm formale.
“Mund të themi se janë raporte shumë formale. Edhe pse kemi një numër të madh marrëveshjes, por marrëdhëniet mes vendeve janë formale. Raportet mes vendeve duhet të jenë funksionale, në rafshinë politik. Por, Kurti ka bërë një ftohje të pakuptimtë”, tha ai.
Për mundësinë e zgjedhjeve të reja - më pak se një vit para përfundimit të mandatit të Qeverisë aktuale - foli vetë Kurti më 13 maj, por nuk dha arsyet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në mbrëmje se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.
Ai i bëri këto komente pas një darke me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në të cilën ishin ftuar edhe dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por të cilat refuzuan të marrin pjesë.