PRISHTINË- Të dielën e 9 shkurtit, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur parlamentin e ri. Dy milionë e 75 mijë votues, brenda dhe jashtë vendit kanë të drejtën e votës ndërsa në garë për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike me 1280 kandidatë të certifikuar nga KQZ.
Me raportim live Report Tv dhe shqiptarja.com do përcjellin në kohë reale të gjithë procesin e votimit deri tek rezultatet.
Palët politike po shfrytëzojnë orët e fundit të fushatës për t’i adresuar qytetarëve mesazhet e tyre. Mbrëmjen e së premtes ‘Vetëvendosja’ mbylli fushatën me 25 zotime kryesore ndërsa kryeministri Albin Kurti, e quajti tubimin më të madh elektoral në Kosovën e pasluftës.
Ai i cilësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian si më të mirat që ka pasur ndonjëherë një qeveri kosovare, përkundër asaj që thonë zyrtarë në Uashington e Bruksel. Kurti sulmoi në fjalimin përmbyllës edhe opozitën atje, duke shtuar se ajo nuk ka arritur ta destabilizojë qeverinë dhe nuk ka pasur ndikim në skenën politike. Ditën e fundit të fushatës, këtë të shtunë mitingjet përmbyllëse do të mbajnë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët e koalicionit, ku peshën kryesore do ta ketë fjala e kandidatit për kryeministër Ramush Haradinaj, PDK-ja e Bedri Ramza në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë si dhe kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së Lumir Abdixhiku do të mbajë tubimin përmbyllës në sheshin “Skënderbeu”.
Heshtja zgjedh ore në Kosovë do të nisë nesër, një minutë para hapjes së qendrave të votimit dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se edhe serbët e zhvendosur do të mund të udhëtojnë me autobusë për në Kosovë për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe për këtë është marr garanci nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët do të jenë me përfaqësuesit e tyre të pranishëm në Kosovë për të ndjekur procesin zgjedhor.
Këto zgjedhje në Kosovë, të parat të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë mbahen në mesin e një klime të akullt mes qeverisë aktuale dhe ndërkombëtarëve.
Disa ditë më parë, emisari i Trump për misionet speciale Richard Grenell e quajti Kurtin të pabesueshëm për SHBA-të dhe përkundrejt retorikës së kryeministrit të Kosovës gjatë fushatës, tha se marrëdhëniet SHBA-Kosovë janë më të ulëta se kurrë ndonjëherë. Madje ai, u kërkoi qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen më nga Kurti.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)