Pak kohë më parë hapësira mediatike në Kosovë u turbullua nga një deklaratë e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliut, i cili ndër të tjera teksa fliste si i ftuar në një emison televiziv, tha se “unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm”.
”Unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”.
“Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”,- është shprehur Aliu nëntorin e vitit të kaluar.
I ftuar në “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv, ministri Aliu sqaroi në mënyrë shteruese deklaratën e tij të bërë pak kohë më parë, e cila u keqkuptua apo edhe keqinterpretua në mediat e Kosovës.
Si fillim, Aliu tha se qëllimi kryesor i Kosovës gjithmonë ka qenë bashkimi kombëtar, pra me shtetin e Shqipërisë. Ai shprehet se pavarësia e Kosovës ka qenë kërkesë kompromisi për hir të paqes.
“Kosova republikë ka qenë kërkesë kompromisi, kërkesa reale ka qenë bashkimi kombëtar. Ibrahim Rugova ka thënë po bëjmë kompromis për hir të paqes dhe kjo është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është kompromis për hir të paqes. Por sot shohim kërcënimin nga Serbia, po armatosen se një ditë duan të kthehen në Kosovë. Kjo është politika reale e tyre. Kosova duhet të jetë e përgatitur”,-është shprehur Aliu.
Ministri kosovar nënvizoi se Serbia ka akoma në plan të parë pushtimin e Kosovës dhe se sipas tij kjo e fundit mbetet ende e kërcënuar për shkak se është një shtet i vogël. Aliu thekson se bashkimi i shqiptarëve do sillte paqe dhe balancë të garantuar në Ballkan.
“Një ditë ata (serbët) synojnë ta pushtojnë Kosovën me ushtri, ne jemi të vetëdijshëm dhe duhet të jemi të përgatitur për diçka të tillë. Sa kohë Kosova do të jetë shtet i vogël, do jetë e kërcënuar. Bashkimi i shqiptarëve do sillte paqe se do krijonte balancë dhe paqe të garantuar. Unë nuk besoj se Serbia do të ndryshojë ndonjëherë, besoj se nevoja për t'ju kundërvënë Serbisë në mënyrë permanente do sjellë bashkimin e shqiptarëve dhe Kosova një ditë do t'i bashkohet Shqipërisë. Do të jemi treg më i madh. Do të kemi më shumë siguri. Ja si ndodhi lufta në Ukrainë”,- u shpreh Aliu.
I pyetur në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës, Aliu u shpreh i bindur se një projekt i tillë do të sillte konflikte me baza etnike, ndaj qeveria nuk do ta mbështesë.
“Është një kërkesë që qeveria nuk do ta pranojë. Asociacioni është “de facto” krijimi i një etniteti me vija etnike që do të sillte konflikte me baza etnike. Pse duhet të krijojmë etnitet që do të krijojë çarje mes shqiptarëve dhe serbëve ndërkohë që kemi integrimin në një shtet mes shqiptarëve dhe serbëve? Kjo do të krijojë konflikte permantente në të ardhmen. Kjo do të thotë me e minuar” tha ai.