Edi Rama dhe Albin Kurti

Politikë

‘Kosova nuk duhet të shohë nga Beogradi', Rama ‘këshilla’ Kurtit: Përmbushni obligimet për BE-në! Serbia kurrë mos i bëftë

28 Shtator, 08:12| Përditesimi: 28 Shtator, 09:04

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për Klan Kosova teksa ka folur për situatën aktuale në Kosovë, për zhvillimet e fundit politike dhe rajonale si dhe gjykimin në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.

Për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Europian, Rama tha se është e vetmja formë që shteti të fitojë paqen. Kryeministri u shpreh se Kosova nuk duhet të mendojë aspak për Serbinë në arritjen e qëllimeve të veta, 'këshilla' këto që i adresohen dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Që të fitojë paqen do të thotë që të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është e gjitha. Që ta bëjë këtë nuk duhet të shoh fare nga Beogradi, nuk duhet të mendojë fare për Serbinë, nuk duhet t’ia di fare për çfarë thonë apo çfarë pretendojnë serbët, por duhet të bëjë detyrat e veta.

Duhet t’i bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët. Dhe këto lidhen me dialogun por lidhen me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara pastaj, që do të thotë se nëse në tryezën e dialogut janë ‘x’ pika për tu përmbushur, Kosova t’i bëjë në mënyrë unilaterale dhe të shkojë përpara. Nuk ka rëndësi fare se çka bën Serbia, kurrë mos i bëftë, s’ka asnjë problem”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se nëse Kosova përmbush obligimet e veta si shtet dhe Serbia jo, atëherë Kosova më drejtë i thotë të gjithëve “shkoni merruni me Serbinë, unë dua vendin tim, dua rrugën time, dua vëmendjen time’”.

Ndër të tjera, Rama foli dhe për Gjykatën Speciale të Hagës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të akuzuar për krime lufte.

Rama u shpreh se krijimi i Gjykatës Speciale erdhi pas një raporti të politikanit zvicerian Dick Marty të titulluar “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë” gjatë luftës në Kosovë.

Gjithashtu dhe dëshmitarët që kanë marrë pjesë në këtë proces, kryeministri Rama i ka cilësuar aktorë të epokës së Millosheviçit.

“Po të shohësh se çfarë e nxiti krijimin e Gjykatës Speciale edhe për çfarë po flitet në këtë proces, se në fund të ditës është harruar se krijimi i Gjykatës është nxitur nga raporti i famëkeqit Dick Martyt, dhe nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë shkronjë dhe asnjë tingull të lidhur me atë trafik organesh, qoftë në atë çarçafin e akuzës, qoftë në gjithë zhvillimin e procesit.

Pra, që këtu ka një devijim dramatik dhe është e gjitha një histori insinuatash e pa mbështetur në asnjë provë bindëse, përkundrazi e mbështetur nga dëshmitarë super-qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviqit”, u shpreh Rama.

Ora 09:02
Kryeministri Rama: Kosova e ka të pamundur të përparojë në BE pa zgjeruar miqësitë ndërkombëtare

1758188182_edirama.jpeg

Kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për Klan Kosova, foli dhe për çështjen e Bashkimit Europian lidhur me Shqipërinë dhe Kosovën. Për këtë të fundit, në krahasim me Shqipërinë, Rama u shpreh se Kosova e ka të pamundur të përparojë në këtë aspekt pa krijuar simpati, besim dhe pa zgjeruar marrëdhëniet diplomatike me partnerët ndërkombëtarë.

“Është e pamundur të përparohet në asnjë lloj drejtimi në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse ne kemi të gjithë miqtë e mjaftueshëm dhe aleancat e mjaftueshme për t’ia dalë.

Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. S’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, tha Rama në “Jehona Politike”.

Rama u shpreh se bashkimi kombëtar për të është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër, teksa shtoi se çdo gjë tjetër është përrallë.

“Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregoj vetes por nuk ka asnjë shans që ta sheh të realizuar në realitet.

Jetojmë në shekullin 21 dhe nuk mund të mendojmë në shekullin 21 me formula të shekullit 20 dhe lëre pastaj të shekullit 19 apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete por as për vete jo sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”, tha Rama.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • five company: 28/09/2025 09:04

    Para se gjithash, ( Edi, me kupto nuk deshiroj te ze vendin e zedheneses ose keshilltares tuaj), me duhet te te korrigjoj. Kam nje pyetje: " Nese te burgosurit e Spacit, qe shumica u torturuan, u vrane dhe u asimiluan, per te sjelle demokracine dhe te drejtat e njeriut ne Shqiperi, duhet te gjykojne dhe urrejne te gjithe popullin shqiptar qe nuk i ndihmoi dhe ti mbronte??! Retorike!!! Sepse makina politike me veglat dhe propaganden ndertuan zinxhiret e burgosjes. Ne lidhje me Kosoven, sepse nostalgjiket e politikes se Milloshevicit per " Velika Srbija", dhe propaganda ndertuan zinxhiret dhe hallkat e tyre.. Te vrasesh nje komb, ta asimilosh nuk eshte e thene te perdoresh gjithmone makinen e luftes. Te vrasesh nje komb ne vlera shpirterore dhe humane do te thote te varferosh pikerisht keto ndjenja qe e mbajne te lidhur dhe te forte... Nese BE ju pranon ju pike se pari( Shqiperine), me varferine tuaj ekstreme shpirterore, intelektuale dhe humane, Shqiperia do te konsiderohet si shembull personal per vete idene tuaj te Ballkanit " frymezues"...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?