Autorët shqiptarë prezantohen edhe këtë vit përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig, i cili po mbahet nga kjo e enjte deri më 30 mars 2025. Pjesëmarrja e vendit tonë në Panairin e Lajpcigut, një nga panairet më të mëdha të librit, është ngjarje me rëndësi për letërsinë shqipe. Motoja e këtij viti është “Fjalët lëvizin botën”.
“Është ndoshta panairi më i madh që kam parë ndonjëherë. Nuk guxoj të them është më i madhi në botë, por dikush më tha që është më i madhi në Evropë. Gjithë populli është sulur te libri, të gjitha kanalet televizive flasin për librin dhe kjo është kënaqësi e jashtëzakonshme për ne, sepse na jep mundësi që në tendën tonë të vijnë vizitorë. Janë nga të gjitha nacionalitetet, të veshur si për festë të jashtëzakonshme. Këtu janë autorët shqiptarë. Rita Petro, Lulejta Lleshanaku, Namik Dokle, Kadare si gjithmonë nuk mungon. Sa shumë emra të rinj ka në letërsinë shqipe. Tenda është e mbushur plot dhe akoma një pjesë nuk e kemi zbrazuar nga çantat.”,- shprehet shkrimtarja Mimoza Ahmeti, pjesëmarrëse në panairin e Lajpcigut.
Përmes këtij panairi, Shqipëria synon edhe shkëmbime kulturore, takime e diskutime që do të shërbejnë edhe për t’u njohur me mënyrat më kreative të nxitjes së leximit dhe afrimit të brezave të rinj me librin. E veçanta e këtij viti është se Shqipëria dhe Kosova janë bërë bashkë në përpjekje që Kosova të jetë pjesë e rrjetit “Traduki”.
“Panairi i Lajpcigut është një mundësi shumë e mirë komunikimi edhe me partnerët tanë. Prej kohësh Shqipëria është duke lobuar, që Kosova të jetë pjesë e rrjetit “Traduki”, një rrjet i rëndësishëm në rajon, i cili mbështet letërsinë e vendeve të vogla, jo vetëm në gjuhën gjermane, por edhe në gjuhë të tjera të rëndësishme të rajonit. Në mbledhjen e rradhës që ne kemi në Zagreb shpresojmë të kemi edhe votën e vendeve si Serbia, e cila është pjesë e kësaj organizate.”, - thotë drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.
“Kosova nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës po përiqet të jetë pjesë e rrjetit letrar “Traduki” me qëllimin e promovimit të letërsisë shqipe të Kosovës dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me organizata të tjera. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë që së shpejti ta arrijmë.”, - vëren Blerina Rogova-Gaxha, drejtore e Bibliotekës së Kosovës.
Në eventin që bën bashkë mijëra lexues anembanë botës, stenda e autorëve tanë ngjalli interesin e ministrit gjerman të Kulturës, Manuel Frick, që shprehu adhurimin për Ismail Kadaren dhe pranoi si dhuratë romanin “Kur sunduesit grinden”.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në këtë ngjarje të madhe të librit botëror, nga data 27-30 mars do të mbajë edhe aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip në kontekste më të gjera hapësirash dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën si dhe përkthimin.
Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Këtë vit, një panel diskutimi do t’i kushtohet edhe letërsisë dhe gjeopolitikës, ku do të diskutohet letërsia shqipe në kufij më të gjerë.
Komente
