Nga viti i ardhshëm nxënësit e klasave të 11-ta do të kenë edhe një lëndë të re mësimore. Edukimi për Siguri pritet të bëhet lënda më re në shkollat e Kosovës. Futja e kësaj lënde në shkollat e Kosovës, është vendosur në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Aty është votuar projekt koncepti për plan-programin e lëndës “Edukimi për Siguri”. Por çfarë mund të mësohet nga kjo lëndë dhe çka thonë ekspertët për të?
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë Kurti të mbajtur me 16 dhjetor 2022 është votuar koncepti i plan-programit për lëndën “Edukimi për Siguri”. Kjo lëndë ka për qëllim edukimin e të rinjve për bazë ushtarake, fushës së sigurisë dhe reagimit në emergjenca civile.
Çka thanë ministrat?
Ky program thuhet se do të realizohet në koordinim mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. E pas votimit në Qeveri, ministrat e dikastereve të përmendur me lart, iu drejtuan qytetarëve në Facebook, për të shpjeguar se çfarë është ky program dhe çka ofron.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tregoi se çka mund të përfitojnë të rinjtë tanë nga kjo lëndë.
“Ky program do të realizohet në koordinim mes MASHTI-t me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka për qëllim edukimin e të rinjve për aftësitë bazë ushtarake dhe përfitimin e njohurive rreth fushës së sigurisë dhe reagimit në emergjenca civile,” - ka thënë Nagavci.
“Të rinjtë dhe fëmijët tanë duhet të mësojnë historinë e vendit, e çmimin shtrenjtë të lirisë dhe mënyrën për ta mbrojtur atë. "Edukimi për Siguri" është një nga mundësitë për t'i edukuar ata.”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Në anë tjetër ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kopjoi shkrimin e ministres Nagavci.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimin për Koncept-Programin Edukativ për nxënësit e klasave të 11-ta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ” Edukimi për siguri”, i cili është koncept i iniciuar nga Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit,” - thuhet në shkrimin e Mehajt.
Por, çka thonë ekspertët e fushës?
Ndërkaq ekspertët e fushës kanë mendime të ndryshme rreth lëndës “Edukim për Siguri”. Për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, kjo nismë apo kjo lëndë nuk ka vizion, teksa ka akuzuar autoritetet përgjegjëse për mos konsultim me ekspert të fushës.
“Ky model të cilin qeveria është duke futur në plan program shkollor është ajo e viteve të 90-ta të cilën e ka patur ish sistemi edukative arsimor "Mbrojtja dhe Siguria ". Ministria e Mbrojtjes por edhe ajo e Arsimit nuk janë konsultuar më ekspert të fushës për të analizuar pjesën profesionale të cilën pjesëtarët që ligjërojnë në kuadër të Forcës nuk janë të thirrur në krijimin e kutikulave adapte pedagogjike por edhe pjesa e ministrisë së Arsimit nuk kanë idenë se ku dëshirojnë të dalin përmes këtij veprimi, pra janë pa vizion në këtë nismë”, ka thënë Shala për Nacionalen.
Më tej, ai ka propozuar modelin e Kroacisë për këtë çështje.
“Për të përcaktuar është mirë të merret për bazë shkolla e mesme policore e Kroacisë, e cila ka standard mbi këtë bazë më të cilën Kosova do mund të arrij suksesin e saj.” - nënvizoi ai.
Në anë tjetër, njohësi i fushës së arsimit në Kosovë, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, për Nacionalen e ka mirëpritur këtë lëndë për arsye se pas kësaj mund të plotësohet kurrikula shkollore edhe me lëndë të tjera që janë përmendur ndër vite.
“Prezantimi i lëndës së sigurisë në arsimin parauniversitar është i mirëserardhur, është një hap i mirë drejt çeljes se kurrikulës për plot lëndë të tjera për të cilat është avokuar me vite. Kush do të jetë dobia specifike nga kjo lëndë ngelet të dëshmohet,” - ka thënë ai.
Ndërkohë, Qeveria Kurti përveç futjes së Edukimit për Siguri si lëndë në shkolla, gjatë fushatës kishte premtuar edhe shërbim të detyrueshëm ushtarak. Deri më tani për këtë premtim nuk është bërë ndonjë lëvizje. Po ashtu, Qeveria Kurti këtë vit ka hapur “Fondin e Sigurisë”. Në këtë fond mund të kontribuojë çdo qytetarë dhe mjetet që do të grubullohen këtu do të përdoren për të përforcuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Nuk dihet shuma që është mbledhur në këtë fond pasi Qeveria e Kosovës me vendim kishte bërë konfidencial çdo informacion rreth fondit. Më tej, fokusi i Qeverisë në aspektin e sigurisë, ka bërë që të ndahen mjete buxhetore mbi 100 milionë euro për vitin e ardhshëm për FSK-në./Nacionale
Te futet edhe zbori.
Përgjigju