Kosova & Rajoni

Kosova pritet të sigurojë mbi 100,000 doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech

12 Prill 2021, 20:41| Përditesimi: 12 Prill 2021, 20:47

  • Share

Kosova do të sigurojë mbi 100,000 vaksina kundër koronavirusit Pfizer/BioNTech deri në fund të qershorit. Lajmi është bërë i ditur nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e drejtë të vaksinave edhe në vendet në zhvillim.

COVAX publikoi të hënën një listë me 146 vende të botës, ku ka shpërndarë dhe pritet të shpërndajë vaksina kundër koronavirusit. Në këtë listë bëhet e ditur se në rundin e tretë të shpërndarjes nga COVAX, i cili përfshin periudhën prill-qershor 2021, Kosova do të sigurojë 100,620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Kosova, në fund të muajit të kaluar, ka marrë 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, përmes COVAX-it. Në listën e publikuar të hënën bëhet e ditur se në rundin e dytë të shpërndarjes nga COVAX, që mbulon periudhën shkurt-maj 2021, Kosova do të sigurojë në total 100,800 vaksina AstraZeneca.

Marrë parasysh 24,000 dozat fillestare, Kosova do të marrë edhe 76,800 vaksina AstraZeneca deri në fund të muajit të ardhshëm. Si Pfizer/BioNTech, ashtu edhe AstraZeneca duhet të jepen në dy doza për të arritur efektin maksimal. Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur më 29 mars.

Prioritet në imunizim u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve. Kosova, deri më 12 prill, ka regjistruar mbi 98,341 raste me koronavirus dhe 1,996 viktima. Numri i rasteve aktive aktualisht është 13,763. /REL

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?