Kosova & Rajoni

Kosova shpall 'Non Grata' dy zyrtarë rusë, njëri prej tyre u dëbua edhe nga Shqipëria! Osmani: Cenuan sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues

22 Tetor 2021, 16:29| Përditesimi: 23 Tetor 2021, 08:38

  • Share

KOSOVË- Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev, janë dy diplomatët rus të cilët Kosova i ka shpallur 'Non Grata' me argumentin se kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë mesditën e sotme nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz dhe i ka dhënë "vulën" përfundimtare, presidentja e Vjosa Osmani.

"Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së.

Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse. I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend” ka deklaruar Osmani.

Alexey Kryvosheev është i njohur për Shqipërinë, kjo sepse ky diplomat rus është shpallur 'Non Grata' edhe nga vendi ynë. Vendimi u mor në 21 janar, ku aso kohe qeveria shqiptare argumentoi se diplomati rus ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID duke u shndërruar në një kërcënim të shëndetit të qytetarëve.  

Ora 22:24
'Non Grata' e dy zyrtarëve rusë nga Kosova, ambasada ruse në Serbi: Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore

Ambasada e Rusisë në Serbi ka reaguar për shpalljen “non grata” të dy zyrtarëve rusë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Në reagimin e ambasadës ruse thuhet se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, për pasojë edhe të gjiha vendimet e Prishtinës nuk kanë fuqi ligjore për Rusinë.

“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat, ‘qeverinë’ rajonale dhe strukturat e tjera. Për ne asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hahaha: 22/10/2021 21:21

    Hahaha sa kam qesh

    Përgjigju
  • Kosovari: 22/10/2021 18:01

    Sikur Rusia nuk e njeh Kosoven. Paska ambasade ruse ne Kosove?

    Përgjigju
    • albania: 22/10/2021 20:50

      atë po pyes dhe unë..

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?