Kosova shpall të mërkurën ditë zie për Ismail Kadarenë! Osmani dhe Kurti nesër në ceremoninë shtetërore të varrimit

2 Korrik, 11:03| Përditesimi: 2 Korrik, 11:20

  • Share

KOSOVË- Jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova do të mbajë zi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Me vendim të presidentes Vjosa Osmani e mërkura është shpallur ditë zie në nder të kolosit të letërsisë shqipe, ndërsa po nesër Kadare do përcillet për në banesën e fundit me ceremoni shtetërore.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim. 

Për të nderuar Kadarenë, homazheve në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë do i bashkohen edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.  Një ditë më parë, ata shprehën mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kadaresë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi se Kadare i dedikoi jetën dashurisë për kombin ndërsa Albin Kurti tha se arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm Kadaresë.

Kujtojmë që Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?